Vrasësi i gazetares Viktorija Marinova të vrarë më 6 tetor në Ruse të Bullgarisë është kapur dhe arrestuar në Gjermani.

Kryeministri bullgar Bojko Borisov, kryeprokurori publik Sotir Tzatzarov dhe ministri i Brendshëm Mladen Marinov, në një konferencë të përbashkët për media në kryeministri njoftuan se bëhet fjalë për 21-vjeçarin Severin Krasimirov.

Kryeprokurori Tatzarov tha se janë duke u hetuar të gjitha shkaqet e vrasjes, duke përfshirë veprimtarinë profesionale të gazetares dhe jetën e saj private, por shtoi se gjetjet e para tregojnë se sulmi ka qenë një “ngjarje e çastit”.

Sipas të dhënave të siguruara, Marinova është sulmuar gjatë një vrapimi të saj rutinor në brigjet e lumit Danub. Siç thuhet, Krasimirov është ish-boksier dhe para aktit ka konsumuar sasi të madhe të alkoolit.

Sipas Tzatzarov, agresori e ka përdhunuar dhe e ka grushtuar për vdekje gazetaren dhe nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri në 20 vite burgim apo edhe me burgim të përjetshëm.

Ndërkaq, kryeministri Borisov tha se testet e ADN-së dëshmojnë se Krasimirov është 100 për qind vrasësi i Marinovas. Krasimirov më 7 tetor ka udhëtuar në Gjermani, ku gjendet nëna e tij. Siç njoftohet, ai do të japë dëshmi në Gjermani, ndërkohë që janë duke vazhduar procedurat e nevojshme për sjelljen dhe gjykimin e tij në Bullgari.

Gazetarja e vrarë Marinova punonte në televizionin TVN në Ruse.

Burimi: AA

15