Në ditët e sotme, çështja e privatësisë dhe posaçërisht çështja e jetës private është një temë mjaft e rëndësishme për shoqërinë tonë. Në kohën e zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe me rritjen e përdorimit të mjeteve të komunikimit, çështja e privatësisë është injoruar në masë të madhe

Shkruan: Flora HAJDARMATAJ, Tropojë

Dikur, në të kaluarën e afërt, privatësia kishte një kuptim tjetër për ne. Ajo ishte diçka shumë e vlefshme dhe bënim çmos për ruajtjen e saj. Privatësia nënkuptonte shumëçka si të dhënat e jetës sonë private, mosha, datëlindja, të dhënat familjare ose shoqërore. Po ashtu shtëpia ose lagjja llogaritej si zonë private. Madje, edhe sendet e ndryshme i konsideronim si gjëra private, si për shembull albumet e fotografive ose bllokët shënues në formë ditari që i mbanim të mbyllura me dry. Ne e përcaktonim se kush mund t’i shikojë albumet tona. Mendimet tona nuk ishim të detyruara t’i ndanim me çdokënd. Mimikat e fytyrave tona nuk ishim të obliguar t’i shfaqnim çdokund. Të dhënat personale ose familjare nuk ishim të detyruar t’i shpërndanim në çdo vend. Ne e përcaktonim vijën e privatësisë. Ngase aq sa kishim privatësi kishim edhe siguri, duke mos iu ekspozuar rreziqeve të ndryshme të botës. Prandaj, kur ruhej privatësia, ruheshin edhe shumë vlera tjera. Të gjitha këto sigurisht që hyjnë në lirinë e individit, i cili ishte më i lirë përderisa e ruante të drejtën e privatësisë ose jetës së tij private. Njëjtë siç thekson filozofi i njohur australian Ludwig Wittgenstein se “Kufijtë e jetës private janë kufijtë e lirisë”. Këtu fjala e theksuar “kufij” nuk nënkupton një pengesë ose barrierë për aktivitetin individual ose shoqërorë, por është mundësi për të jetuar i lirshëm.

Në ditët e sotme, çështja e privatësisë dhe posaçërisht çështja e jetës private është një temë mjaft e rëndësishme për shoqërinë tonë. Në kohën e zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe me rritjen e përdorimit të mjeteve të komunikimit, çështja e privatësisë është injoruar në masë të madhe. Përkufizimet e këtij koncepti dallojnë sipas njerëzve, kulturave ose shoqërive të ndryshme. Për këtë arsye kuptimet dhe përkufizimet e shumta mbi privatësinë, e paraqesin atë si një çështje të komplikuar. Për shembull, në kulturën perëndimore privatësia, si koncept, bazohet në “mosprekjen e trupit njerëzor në sferën publike”, ndërsa në kulturën e lindjes në “mosshfaqjen e gjerave që janë të ndaluara, pra qëndrimin larg shikimit nga individët e tjerë”. Thënë ndryshe, përderisa në perëndim privatësia përkufizohet në “mosprekje”, në lindje privatësia fokusohet më shumë në “fshehtësi” dhe “mosshfaqje”. Richard Sennet, duke iu referuar jetës private (mosprekjes) dhe mjeteve të komunikimit si shkatërruese të privatësisë, në ditët e sotme pavarësisht dominimi të njeriut, flet për dhunimin e personalitetit në sferën publike dhe despotizmin e privatësisë.

Në veprën e njohur të Alan F. Westin Privacy and Freedom, autori thekson se përcaktimi i privatësisë dhe e drejta për shpërndarjen e të dhënave personale i takon çdo njeriu, grupi ose institucioni, në çfarëdo kohe, mënyre ose forme. Po ashtu, sipas tij, privatësia është një formë e lirisë që përpiqet për ruajtjen e vlerave personale dhe shpirtërore. Kjo liri krijon një mur personal ndaj botës dhe e ruan personalitetin. Jeta private e individit ose e njeriut të lirë i ruan për vete disa mendime dhe gjykime. Madje, nuk e ndjen të nevojshme t’i ndajë ato as me të dashurit ose të besuarit më të afërt.

Transformimi i privatësisë

Duke iu referuar klasifikimit të bërë nga studiuesi i njohur Alvin Toffler, mund të dallojmë tri lloje të shoqërive: shoqëria agrare, shoqëria industriale dhe shoqëria e informacionit. Nisur nga kjo, shoqëritë e para që kanë jetuar në Mesopotami janë marrë me bujqësi dhe kanë jetuar së bashku në një vend të caktuar. Kështu, në atë kohë me jetën dhe formën e re të jetuarit kanë filluar të lindin edhe konceptet e reja si privatësia. Njëri nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në shoqërinë agrare për formimin e konceptit të privatësisë ka qenë edhe feja. Urdhëresat dhe ligjet e sjella nga feja në shoqëritë agrare ka ndikuar në formimin e kufijve dhe perceptimit të privatësisë.

Ndërsa, pozita e sotme e konceptit të privatësisë ka filluar që në kohën e Renesancës dhe Iluminizmit, ku individi fillon të shikohet si një vlerë e vetme. Periudha e urbanizimit dhe zhvillimit industrial ka sjellë ndryshime thelbësore të konceptit, posaçërisht në shek. 18 me lulëzimin e filozofisë së Iluminizmit. Gjatë kësaj kohe shfaqen shtetet-kombe, sistemi ekonomik-kapitalist, urbanizimi, rritja e klasave punëtore dhe të gjitha këto ndikuan që të ndryshojë forma e shoqërive tradicionale dhe kështu të riformohet perceptimi i ri i konceptit të privatësisë. Sidomos nën ndikimin e filozofisë dhe mendimit iluminist, pasi që njeriu në shoqërinë tradicionale lind në një grup ose klasë shoqërore. Prandaj personi që rritet në një mjedis ku ka mbështetje nga rrethi, nuk ka probleme me identitetin ose tjetërsimin. Ndërsa në ditët e sotme, të jetuarit në qytete kozmopolite (të mëdha) e bën njeriun që vazhdimisht ta ndjejë nevojën e tjetërsimit ose veçimit nga të tjerët. Me zhvillimin e shoqërive industriale dhe me rritjen e kontrollit mbi individin, lind edhe ndarja e “sferës private” dhe “sferës publike”. Kështu, individi shpreh kërkesën për vendosjen e rregullave të reja të “jetës private”.

Shkrirja e kufijve të privatësisë

Koncepti i privatësisë, me ndryshimet që ka pësuar përgjatë historisë, në ditët e sotme krahas botës reale, ai ka fituar rëndësi edhe në botën virtuale. Sipas përkufizimeve të shumta të studiuesve, pas shoqërisë post-industriale, vjen “shoqëria e informacionit”, e cila nënkupton shoqërinë që ka qasje të lehtë në dije dhe informacion. Siç theksohet në librin e Daniel Bell për zhvillimin e shoqërisë post-industriale, se do të vijnë ndryshime të mëdha me përdorimin e shumtë të kompjuterëve si në shtëpi, shkolla ose vende të punës. Kjo situatë e re e fut shoqërinë në një sistem të ri, i cili është ndërtuar përmes informacionit. Shoqëria e informacionit, posaçërisht me përdorimin e gjerë të kompjuterëve dhe internetit, i ka thyer të gjithë kufijtë, duke ua mundësuar të gjithëve të kenë qasje në informacion dhe komunikim me të tjerët. Rritja dhe thjeshtëzimi i mundësive të qasjes në informata ka sjellë në vete pritjen e një mjedisi më liberal, por jo edhe më të sigurt. Prandaj, sot kur pritet të jetë “epoka e lirive” kemi të bëjmë me krijimin e strukturave të reja të pushteteve, që erdhën si pasojë e shkeljeve të privatësisë nga teknologjia. Zhvillimi i teknologjisë së informacionit që nga gjysma e dytë e shek. XX dhe deri në ditët e sotme ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në privatësinë. Por, në kundërshtim me atë që pritej, sot njerëzit janë bërë subjekt i “vëzhgimit elektronik”. Të gjitha informacionet në lidhje me jetët tona, dokumentet apo përmbajtjet e ndryshme, mund të shpërndahen lehtësisht në internet ose në to të ketë qasje çdokush, sidomos përmes rrjeteve sociale. Si rezultat i tërë kësaj, kufijtë e hapësirës publike dhe private janë zbehur aq shumë, saqë ajo që i përket hapësirës private ka filluar të zë vend në hapësirën publike. Prandaj, në epokën digjitale, kufijtë e privatësisë së përcaktuar më herët kanë filluar të zgjerohen dhe t’i tejkalojnë kufijtë e sferën publike, duke u bërë pjesë e sferës publike. Shembulli më i mirë i zhdukjes së kufijve ndërmjet sferës publike dhe asaj private është përhapja e publikimit në rrjetet sociale të fotografive të realizuara në ambientet e shtëpisë, që konsiderohen si ambiente private. Individi, edhe pse bën pjesë në sferën publike, ai e posedon lirinë e mbajtjes së fshehtë të asaj se ku dhe me kë ndodhet, se çfarë bën ose cilës ideologji apo besim i takon. Ndërkaq, të dhënat e shpërndara, si foto, video, vendndodhje etj. në rrjetet sociale, dita-ditës i ngushtojnë kufijtë e lirisë individuale. Kështu, pa vetëdijen tonë të dhënat tona po bëhen të dukshme përmes rrjeteve sociale dhe kështu duke e realizuar shkeljen e privatësisë. Çdokush që bëhet pjesë e rrjeteve sociale dhe botës digjitale, bie pre e shkeljeve të privatësisë me arsye ose pa arsye, me ose pa vetëdije.

Privatësia në krijimin e identitetit, në sigurimin e pavarësisë individuale dhe në krijimin e marrëdhënieve të afërta luan një rol qendror. Në të njëjtën kohë privatësia pranohet si kusht për një shoqëri demokratike dhe të fuqishme. Përderisa diskursi akademik e thekson këtë, të dhënat në jetën e përditshme e dëshmojnë të kundërtën. Sot jeta private, në vend që të mbetet vlerë që duhet ruajtur dhe mbrojtur, shihet si një çmim që duhet paguar për hir të argëtimit dhe shfaqjes. Rality show, rrjetet sociale, blogjet, telefonat e mençur, janë kanalet ose mjetet e reja për zbulimin e privatësisë së njerëzve. Si rezultat i kësaj, privatësia ose jeta private pothuajse është duke u tretur në mënyrë të papërshkruar. Teknologjia që kemi përqafuar dhe ndryshimi i stilit të jetës po ndikon që privatësia dita-ditës të zhduket. Ne, nga njëra anë duke iu përshtatur hapave dhe trendeve të reja të teknologjisë, ndërsa nga ana tjetër me vetëdëshirën tonë, po e rrënojmë privatësinë. Njëjtë siç e theksojnë edhe studiuesit e njohur David Lyon dhe Zygmund Bauman se të drejtën e privatësisë po e vrasim me vetëdëshirën tonë.

28