Vritet një i ri palestinez nga kolonizatori izraelit gjatë protestës së solidaritetit të grevës së urisë

Një palestinez u qëllua për vdekje dhe një gazetar u plagos nga një kolonizator izraelit, pas një incidenti gjatë një tubimi në mbështetje të grevës së urisë të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Të shtënat ndodhën në jug të qytetit të Nablusit në Bregun e pushtuar Perëndimor të enjten. Qindra palestinezë protestuan pranë një pike izraelite të kontrollit ushtarak në Huwara, kur një banor izraelit në një makinë u përpoq të çante përmes turmës. Protesta u mbajt në mbështetje të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, të cilët kanë qenë në grevë urie që nga 17 prilli.

Palestinezët thuhet se e rrethuan makinën dhe e dëmtuan atë me gurë. Izraeliti më pas u largua nga makina e tij dhe hapi zjarr së bashku me ushtarët izraelitë të vendosur në pikat e kontrollit.

Një palestinez i identifikuar nga Ministria e Shëndetësisë si Muataz Bani Shemsaj, 23 vjeç, banor i një fshati të afërt, vdiq nga një plagë me armë zjarri në kokë. Gjithashtu një fotograf i Associated Press u plagos me armë zjarri, njofton AFP duke cituar mjekët palestinezë.

Ushtria izraelite pranoi incidentin, duke e quajtur protestën një “trazirë të dhunshme” dhe duke konfirmuar viktimat midis palestinezëve. Një zëdhënës ushtarak pohoi se ushtarët nuk kishin përdorur armë vdekjeprurëse, por vetëm “mjete të shpërndarjes së trazirave”, ndërkohë që kolonizatori thuhet se kishte gjuajtur vetëm në ajër.

“Një nga qytetarët izraelitë, automjeti i së cilit u dëmtua me gurë, shtiu në ajër”, tha AFP, duke cituar zëdhënësin ushtarak. “Nga ajo që kuptojmë kjo nuk ka ardhur nga [ushtarët], por incidenti është ende në shqyrtim”.

Një këshill rajonal në veri të Bregut Perëndimor konfirmoi për Haaretz se qëlluesi ishte një prej tyre.

Kolonizatori ka paraqitur një ankesë në polici pas incidentit. Ka mbetur e paqartë nëse veprimet e tij do të jenë subjekt i ndonjë hetimi.

Ky është incidenti i dytë i llojit të tij në vetëm dy ditë. Të mërkurën, një palestinez që supozohet se hodhi gurë ndaj makinave izraelite përgjatë autostradës kryesore të Bregut Perëndimor, u qëllua dhe u plagos lehtë nga një banor izraelit. Kolonizatori pohoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje, pasi disa gurë thuhet se kishin goditur makinën e tij. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne