Vuçiç i revoltuar: Ndërkombëtarët dhe Kosova ta dinë se Serbia është mjaft e fuqishme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç vazhdon të komentojë çdo ditë Kosovën. Në tubimin e sotëm “E ardhmja e Serbisë” të mbajtur në Smederevë, ai ka thënë se Serbia ka një problem serioz.

“Problemi serioz janë politikanët joserioz shqiptarë. Ata deshën të na thonë se Beogradi nuk pyetet për asgjë, mirëpo ata nuk e kanë përmbushur asnjë obligim që kanë, e vendosën edhe taksën. Këtë po e bëjnë sepse kanë mbështetjen e fuqive të mëdha”, ka thënë ai.

“Më pas e miratuan njëfarë platforme për të cilën thanë se duhet të biem dakort, kurse tani përgatitën një trik tjetër. Tani doli ministri Pacolli dhe tha se duhet të takohen ekipet tona negociatore. Që të vazhdojmë, sigurisht e kanë menduar që kjo të bëhet me kushtin e platformës së tyre, të pranojmë që gjithçka është e tyre, që Kosova është shtet i pavarur në të cilën duhet të formohet Gjykata Speciale ku do të përgjigjeshin serbët për krimet e luftës, dhunimin e shqiptareve, që të formohet komision i veçantë i cili do të thotë se Serbia duhet të paguaj për dëmin e luftës”, ka thënë Vuçiç.

Sipas tij, Serbia asnjëherë nuk i është shmangur bisedimeve, “por që të na poshtëroni dhe të na bëni për budallenj, këtë film nuk do ta shihni”.
“Njerëz, mos u merakosni. Dje e kam përdorur një fjalë serbe, kurse sot iu them atyre (shqiptarëve) – kot jeni munduar, nuk do ta shihni atë film”, ka thënë ai.

Më tej ai ka thënë se Kosova nuk e ka përmbushur “asnjë obligim nga Marrëveshja e Brukselit, sepse e kanë mbështetjen e fuqive të mëdha”.

Ai iu është drejtuar edhe serbëve të Kosovës dhe duke përdorur një ton dhe gjuhë kërcënuese për Kosovën.

“Serbia është mjaftueshëm e fuqishme që ta mbrojë secilin fëmijë dhe secilin njeri. Serbia nuk është më e dobët siç ka qenë në vitin 2004 kur u ushtrua dhunë ndaj jush, si dhe në vitin 2008 kur e shpallën pavarësinë, nuk është e pikëlluar dhe e dobët si kur kërkuam vendimin katastrofal të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është mjaftueshëm e fuqishme dhe këtë të gjithë nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga Kosova duhet ta kenë parasysh”, ka thënë ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne