Vuçiç: Turqia është fuqia më e madhe në Ballkan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Turqia është forca më e madhe dhe shteti më i fuqishëm në Ballkan, duke shtuar se mendimi i Turqisë është i rëndësishëm.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe homologu i tij serb, Vuçiç mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë.

Erdoani u shpreh se ndjen kënaqësi që e mirëpret Vuçiçin në Turqi, duke sqaruar se Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë është krijuar me deklaratën e përbashkët, që ishte nënshkruar gjatë vizitës që kishte realizuar tetorin e kaluar në Serbi.

Në kuadër të mbledhjes së Këshillit ne patëm rastin për ti trajtuar marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha aspektet, si dhe të shkëmbejmë mendime lidhur me çështjet aktuale rajonale, shtoi ai.

Në fjalën e tij Presidenti Erdoan tha se për herë të parë në vitin 2017 vëllimi tregtar e ka kapërcyer pragun prej 1 miliardë dollarësh, duke e vlerësuar këtë si një lajm të gëzueshëm dhe shtoi: “Uroj që nga një miliardë dollarë të arrijmë në 2 miliardë, më pas në 3 miliardë dollarë, ndërsa qëllimi është të kapim nivelin e 5 miliardë dollarëve. Në mesin e synimeve tona prioritare është rritja e investimeve reciproke.”

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari mbi “ndikimin e bashkëpunimit Turqi-Serbi në paqen e Ballkanit” Presidenti Erdoan tha se synimi i të gjitha këtyre përpjekjeve në përgjithësi dhe veçanërisht nëpërmjet Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë është sigurimi i dominimit të paqes në rajon.

Kurse presidenti mysafir tha se në asnjë vend nuk është pritur sikurse në Turqi, duke e falënderuar Erdoanin për këtë.

Duke folur për tentativën për grusht shteti të 15 korrikut të vitit 2016 nga organizata terroriste FETO, Vuçiç tha se vendi i tij asnjëherë nuk i ka aprovuar aktet kundër subjekteve të zgjedhura në mënyrë demokratike.

“Prandaj, ne shprehëm haptazi kundërshtimin tonë dhe e dënuam sulmin ndaj demokracisë së Turqisë atë natë të pabesë. Ne kemi respekt edhe për të drejtën ndërkombëtare, edhe për rendin ligjor të çdo shteti anëtar të NATO-s. Kur vizituam sot Parlamentin, nuk mundëm të besojmë se ai ishte bombarduar. Vendosëm kurorë me lule për dëshmorët e natës së 15 Korrikut. Ne gjithmonë themi thënë këtë që, do të jemi absolutisht në anën e atyre që e përcaktojnë vet të ardhmen e tyre”, deklaroi Vuçiç.

Në përgjigje të një pyetjeje se bashkëpunon apo jo Serbia me Turqinë në kuadër të luftës me FETO, sidomos në dimensionin e informacionit të klasifikuar (inteligjencës) dhe operacioneve Vuçiç tha: “Këtu ndodhet edhe ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsa Stefanoviç, i cili është përgjegjës për koordinimin e njësive të sigurisë. Ai ka pasur takime me autoritetet turke. Bashkëpunimi në këtë drejtim do të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të zgjedhurit me rrugë demokratike”.

Presidenti i Serbisë gjithashtu tha se synojnë që vëllimi tregtar me Turqinë këtë vit të kapë nivelin e 1 miliardë e 300 milionë dollarëve. “Investitorët turq kanë hapur biznese në shumë qytete të vogla të Serbisë dhe këto vendbanime po përparojnë drejt një të ardhmeje të mirë. Ndërmjet dy vendeve është punuar edhe në drejtim të bujqësisë dhe blegtorisë. Turqit i bëjnë me kujdes punët dhe janë me të vërtetë njerëz punëtorë”,- u shpreh Vuçiç.

Presidenti serb tha se punimet për ndërtimin e rrugës mes Beogradit dhe Sarajevës janë shumë të rëndësishme edhe për serbët, edhe për boshnjakët.

“Ju përgëzoj për projektin e gazsjellësit “Rrjedha Turke”. Nëse ndërpritet lidhja e gazit me Ukrainën, ne do të jemi edhe më të ndërlidhur. Do të punojmë në çdo fushë. Jo vetëm në atë të ekonomisë, por edhe në atë shoqërore, sportit dhe fusha të tjera”, shtoi Vuçiç.

Më tej, Vuçiç tha se numri më i madh i turistëve të huaj në Serbi vijnë nga Turqia dhe shprehu dëshirën për të rritur edhe numrin e turistëve mes dy vendeve në vitin 2018.

Ai e falënderoi Turqinë për, siç tha, sigurinë dhe paqen që ka ofruar në Ballkan.

I pyetur se sa do të kontribuojë bashkëpunimi Turqi-Serbi në paqen në Ballkan, Vuçiç tha: “Turqia është forca dhe më e madhe dhe shteti më i fuqishëm në Ballkan. Është e rëndësishme se çfarë mendon Turqia”.

Serbia është e vogël, por është vendi më i madh në Ballkan dhe i kushton rëndësi asaj se çfarë mendon Turqia, Rusia, ShBA, Kina dhe Bashkimi Evropian.

“Turqia ndodhet në Ballkan dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme. Nëse njerëzit nuk e shikojnë ndikimin e Turqisë, posaçërisht në vendet e tjera, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në fushën e investimeve, atëherë mua nuk më ngelet të them diçka tjetër. Rrjedhimisht, marrëdhëniet tona me Turqinë janë shumë të rëndësishme për garantimin e partneritetit, paqes dhe sigurisë”, tha presidenti serb./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne