Vuçiç: Vendimi i Kosovës për taksat, i ndihmuar nga fuqitë e mëdha

Pavarësisht reagimeve, Prishtina Zyrtare nuk heq dorë nga taksa 100 % për mallrat serbe. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se masa ndaj importit të mallrave serbe nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Unë mendoj se masat që kemi vendosur ndaj prodhimeve që vijnë nga Serbia duhet të jenë të përhershme deri në njohje, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk duhet ta heqim”- tha Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ai tha se pas këtij vendimi qëndrojnë fuqi të mëdha.

Haradinaj ka thënë se nuk do t’i heqë taksat derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por kjo tregon se pas kësaj deklarate qëndrojnë disa fuqi të mëdha të cilat po bëhen sikur nuk dinë asgjë. Ai këtë nuk e ka menduar vet. Kjo nuk ka dalë prej kokës së tij. Ai vetëm e ka lexuar ndonjë letër. Mirë… Atëherë duhet të jemi të gatshëm për një luftë të gjatë dhe të vështirë pasi pavarësinë e tyre nuk do ta njohim”- theksoi Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Megjithatë presidenti Vuçiq një natë më parë ishte më i butë në deklaratë. Ai madje iu lut autoriteteve të Kosovës që ta tërheqin vendimin.

Porosia ime ndaj shqiptarëve është: Ju lutem o njerëz sikur Zotit, kthjelluni dhe kuptojeni që neve na duhet paqe, kuptojeni që nuk na duhet eskalimi i situatës, as popullatës serbe e as asaj shqiptare. Ju lutem, ju lutem largojeni këto (taksat ) dhe të ulemi e të bisedojmë që të gjejmë një kompromis”- pohoi Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Edhe Brukseli i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë masën për rritjen e taksën në 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja. Shefja e diplomacisë evropiane tha se ky vendim përbën shkelje të Marrëveshjes për tregti të lirë – CEFTA-s dhe Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Por Haradinaj përmes një letre u përgjigj se kjo masë lidhet kryesisht me mosrespektimin e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Serbi, nga ana e Serbisë duke vënë bllokadë tarifore për produktet e Kosovës përfshirë agresivitetin ndaj Kosovës. Qeveria e Kosovës në një ditë më parë miratoi vendimin për vendosjes e taksës 100 % ndaj mallrave të Kosovës si kundërpërgjigje ndaj politikës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne