Vuçiq: Tërheqja e UNMIK-ut dhe Ushtria e Kosovës na detyrojnë të mbrohemi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se vendimi për tërheqjen e misionit civil të Kombeve të Bashkuara [UNMIK] nga Kosova dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës do ta vendoste Beogradin në pozicion të vështirë, në të cilin “nuk do të kishte zgjidhje tjetër përveç se të mbrojë vendin dhe popullin e saj”, raporton FoNet.

“Shpresoj që askush s’do të na sjellë në atë pozicion”, ka thënë Vuçiqi pas diskutimit që pati me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen.

Vuçiqi tha po ashtu se mungesa e kuptimit të situatës në Ballkan mund të sjellë pasoja tragjike.

“Formimi i Ushtrisë së Kosovës do të paraqiste problem të madh për Serbinë dhe tërë rajonin. Mos na sillni në situatën kur mbështetemi për muri dhe vetëm mund të mbrohemi”, tha Vuçiqi.

Sipas fjalëve të tij, nuk ekziston asnjë akt ndërkombëtar që lejon formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Jemi të shqetësuar nga deklaratat se ajo ushtri do të formohet deri në fund të vitit, gjë që do të na vinte neve në pozicion të pamundshëm”, shtoi ai.

Ai tha se Beogradi është gjithmonë i gatshëm për bisedime, por “nevojitet një zgjidhje kompromisi” dhe shtoi se “nuk lejojmë që Serbia të humb gjithçka, e dikush tjetër të fitojë gjithçka”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne