Washington Post: Po shtohen mundësitë e konfliktit të drejtpërdrejtë SHBA-Rusi

SHBA-të të enjten sulmuan një bazë në Siri, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kimik të kryer në qytetin kryengritës, Kan Shejkun. Rusia ka reaguar ashpër, duke e quajtur agresion këtë sulm. Ky shtet ka njoftuar gjithashtu se tërhiqet nga marrëveshjet e mëparshme me amerikanët, përkitazi me Sirinë.

Sulmi i cili është kryer të enjten, është i pari kundër Qeverisë së Bashar al-Assadit, të cilin Rusia e mbështet dhe sulmet kundër të cilit që dy vite i kundërshton.

“Presidenti Vladimir Putin e konsideron sulmin e Shteteve të Bashkuara në Siri si agresion në një shtet sovran dhe si shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ky hap do të lëkund marrëdhëniet ruso-amerikane, të cilat edhe ashtu janë në gjendje të keqe”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai shtoi se Putini sulmin e sheh si tërheqje të vëmendjes nga numri i viktimave civile në qytetin irakian të Mosulit, të shkaktuara gjatë luftimeve kundër Shtetit Islamik – të udhëhequr nga Ushtria irakiane nën mbështetjen amerikane, raporton Washing Post. Peskov tha se Siria nuk ka stoqe të armëve kimike.

Rusia të premten tha se pret shpjegime nga sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, gjatë vizitës së tij të parë në Moskë, më 11 dhe 12 prill, transmeton Telegrafi.

“Le të vijë dhe të na shpjegojë atë që bënë. Ne do ta themi atë ne e mendojmë për këtë”, ka thënë për NTV, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

“I presim shpjegimet e tij”, u shpreh ajo, duke shtuar se diplomatët rusë kanë kontaktuar të premten zyrtarët amerikanë.

Zahharova i quajti sulmet amerikane si “pa cak, pa kujdes dhe të rrezikshme”.

Ditorja e njohur Washington Post, duke analizuar ngjarjet e fundit shkruan se sulmi i forcave amerikane hap mundësinë e konfliktit të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Siri. Rusia ka forca terren dhe sisteme të afta për të rrëzuar aeroplanët dhe raketat amerikane. Ushtarët rusë janë të përzier me forcat siriane – në baza dhe në vijën e frontit – ndaj çdo sulm ndaj caqeve ushtarake siriane mund të rrezikojë jetët e tyre. Megjithatë, Pentagoni raporton se planifikuesit ushtarakë amerikanë kanë marrë parasysh të gjitha masat për të zvogëluar rrezikun e viktimave ruse.

Mariha Zakharova hodhi poshtë akuzat se sulmi amerikan ishte kundërpërgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike nga Assadi, duke shtuar se fjala është për “demonstrim të forcës paraprakisht të planifikuar”.

“Gjasat janë shumë të mëdha për konflikt midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, e pasojat mund të jenë serioze, përfshirë konfliktin ushtarak”, ka thënë Mikhail Yemelyanov, anëtar i Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, duke shtuar se sulmi i dha mesazh të gabuar opozitës siriane për të minuar procesin e paqes, transmeton Telegrafi.

Në dhjetë vitet e fundit, marrëdhëniet ruso-amerikane kanë qenë në nivel të keq. Presidentin amerikan Donald Trump, rusët e kanë kritikuar se pse nuk e ka kontaktuar Putinin edhe për t’ia shprehur ngushëllimet për sulmin terrorist në një metro në Shën Petersburg.

“Ushtarët amerikanë besojnë se regjimi sirian kishte ndihmuar në sulm kimik”, ka thënë tha të premten një oficer i Ushtrisë amerikane, duke mos akuzuar Rusinë, aleatin kryesor të regjimit të Bashar al-Assadit.

“Dyshojmë se sirianët kishin ndihmë në sulmin kimik, të martën në Kan Shejkun”, ka thënë një zyrtar i lartë i paemëruar amerikan. “Së paku, rusët nuk kanë arritur ta mbajnë situatën nën kontroll, partnerin e tyre sirian. Rusët ishin të pranishëm në bazën ajrore nga ku fluturuan aeroplanë që kryen sulmin. Nuk mund ta themi rolin që kanë luajtur ata. Por, nëse ka ndonjë dëshmi apo pretendim të besueshëm, ne do të nxjerrin përfundimet për këtë”.

Amerikanët kanë bombarduar me 59 raketa Tomahawk bazën ajrore Shajrat, nga ku janë nisur aeroplanët që kryen sulmin fatal kimik të së martës. /Telegrafi/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne