Wilders: Në parlament dua vetëm holandezë. Nuk dua turq, marokenë….

HAGË – Lideri i partisë së djathtë ekstreme në Holandë, Partia për Liri (PVV), Geert Wilders, tha se në Parlamentin e Holandës dhe në kabinet duhet të ketë vetëm holandezë, raporton Anadolu Agency.

“Ky është parlamenti i Holandës. Këtu duhet të ketë vetëm holandezë. Nuk dua turq, marokenë ose suedezë në këtë parlament. A nuk kam të drejtë ta them këtë? Ky është vendi im”, tha Wilders në një fjalim në parlament.

Wilders, i cili ka kundërshtuar faktin që deputetët ose ministrat të kenë shtetësi të dyfishtë, u shpreh se në vend të lojalitetit ndaj dy shteteve, anëtarët duhet të jenë lojal ndaj vendit në parlamentin e të cilit janë pjesëtarë.

Ndërkohë, kjo deklaratë tërhoqi reagime të mëdha në parlament.

“Kush është holandez e kush jo, vendos kushtetuta e vendit, e jo Wildersi. Shtetësia e dyfishtë nuk tregon asgjë për lojalitetin e një personi ndaj shtetit. Lojaliteti i një individi mund të matet nga sjelljet e tij”, tha Tunahan Kuzu, lideri politik i Partisë Denk, e cila është formuar nga turqit në këtë vend.

Kuzu theksoi se është Wilders ai që duhet ta shqyrtojë lojalitetin e tij.

“Në të kaluarën, Wilders është gjendur më shumë në Ambasadën e Izraelit sesa në shtëpinë e tij. Kjo gjë tërhoqi aq shumë vëmendje, saqë Agjencia Holandeze e Inteligjencës u detyrua ta hetojë këtë gjendje”, shtoi Kuzu.

Ndryshe, PVV në programin e saj partiak kishte premtuar mbylljen e xhamive në vend, ndalimin e Kuranit dhe shfuqizimin e lejeqëndrimit të refugjatëve.

Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në muajin mars, PVV arriti të sigurojë 20 ulëse në kuvend dhe të bëhet partia e dytë më e madhe politike.

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne