Stambolli gjithmonë ka qenë urë midis Evropës dhe Azisë. Qyteti ka një histori madhështore të pushtuesve dhe adhuruesve të feve dhe origjinave të ndryshme. Me rreth 3.000 xhami të numëruara, nga çdo cep i Stambollit mund të dëgjohet ezani që vjen nga minaretë e xhamive të formave, dizajneve dhe kohëve të ndryshme.

Xhamia Sakirin u hap për vizitorët dhe adhuruesit më 7 maj 2009, si një projekt i financuar nga Fondacioni Sakir, në kujtim të Ibrahim dhe Semiha Sakirit. Projekti dhe rezultati i ndërtimit nuk është si të tjerët. Xhamia Sakirin është projektuar nga Zeynep Fadilioglu, mbesa e madhe e Ibrahim dhe Semiha Sakirit, dhe femra e parë që dizenjon një xhami.

Duke u rritur në Stamboll, Zeynep Fadilioglu ka qenë gjithmonë shumë e ndikuar nga përzierja e pasur e atmosferave moderne dhe tradicionale në qytet. Si fillim Zeynep ka dizenjuar hotele, restorante dhe dyqane, dhe Xhamia Sakirin ishte projekti i saj i parë për një vend adhurimi.

Gjatë ndërtimit, ajo u konsultua me historianët e artit dhe teologët, për të siguruar se do të ishte një vend me vlerë adhurimi.

“Mund të jetë ngjyra, mund të jetë cilësia, mund të jetë forma. Por çdo pjesë që kam projektuar në xhami, ka njëfarë lidhje me traditën,” tha ajo.

Nga jashtë dizajni është i lëmuar, metalik dhe gri, i cili i jep një pamje moderne të arkitekturës bashkëkohore.

Ajo që e bën Xhaminë Sakirin të vlefshme për adhurim, sipas vetë Zeynebit, është përulësia që ndjen nën kupolën e madhe, ndjenja e sigurt nën llambadarin e varur dhe dritaret e mëdha në vend të mureve, me metalin e ndërlikuar, të cilat lejojnë që drita të derdhet duke “të përkëdhelur, ashtu si faqet e Kur’anit”.

The Sakirin Mosque

Llambadari i varur është një tipar unik, me pika që varen e që simbolizojnë reflektimin e një lutjeje, gjë që do të thotë se drita e Allahut duhet të bjerë mbi adhuruesin si shiu. Unazat e llambadarit janë zbukuruar me 99 emrat e All-llahut, dhe emri i xhamisë (përveç pasqyrimit të emrit të familjes) është një kuptim i drejtpërdrejtë i “atyre që janë falënderues (ndaj Perëndisë)” në arabisht.

Duke qenë xhamia e parë që projektohet nga një grua, seksioni femëror është gjithashtu një tipar unik i xhamisë Sakirin. Gratë normalisht luten prapa burrave apo një perdeje, por këtu ato janë të vendosura në katin e parë, me një pamje të mrekullueshme dhe një mjedis të mirë të ndriçuar, falë llambadarit të shkëlqyeshëm.

Xhamia Sakirin qëndron si rezultat mahnitës i bashkimit të së kaluarës dhe të tashmes, të Perëndimit dhe Lindjes, modernizmit të lëmuar dhe zbukurimit tradicional. Por përveç veçantisë së llojit të saj, ajo ka një gjë të përbashkët me çdo vend tjetër të adhurimit: Qetësinë. / © Gazeta Impakt

15