Xhandarmëria e Francës pajis policinë e Shqipërisë me dronë, aparate fotografike, kamera…

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti një delegacion francez nga Zyra Qendrore e Luftës kundër Kriminalitetit, kryesuar nga gjenerali i Xhandarmërisë, z.Bernard Thibaut. Në vlerësim të bashkëpunimit të ndërsjelltë Franca i dhuron Shqipërisë në kuadër të programit “EMPACT” drone, aparate fotografike, kamera, radio, mikrofon, dylbi dhe njësi qendrore kompjuterike për regjistrimet video.

Njoftimi i plotë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti një delegacion francez nga Zyra Qendrore e Luftës kundër Kriminalitetit, kryesuar nga gjenerali i Xhandarmërisë, z.Bernard Thibaut. Në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, identifikimi i fushave në të cilat ky bashkëpunim mund të fuqizohet më tej.

Drejtori Veliu tha se bashkëpunimi i Policisë shqiptare me Policinë dhe xhandarmërinë franceze, është konkret dhe i njohur nga palët e përfshira. 4 oficerë të Policisë shqiptare në Francë janë pjesë aktive e organeve ligj zbatuese. Ai foli për iniciativën në ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore si në Francë apo Shqipëri, jo vetëm për arrestime të personave me precedentë kriminalë, por duke thelluar hetimet deri në identifikimet dhe sekuestrimet e pasurive të grupeve kriminale të vendosura në formë jo ligjore.

“Lufta kundër migracionit të paligjshëm ka dhënë rezultatet e veta duke sjellë një ulje të theksuar të numrit të shtetasve shqiptarë, të cilët kërkojnë azil në Francë. Ka patur një shkëmbim të shpejtë informacioni mes dy vendeve në çështje dhe raste konkrete, në goditjen e migracionit të paligjshëm”, tha Veliu.

Gjenerali i Xhandarmërisë Bernard Thibaut, vlerësoi bashkëpunimin dhe u ndal në luftën kundër krimit ‘shëtitës’, bashkëpunimit policor, sfidat që paraqiten dhe perspektiva në vijim. “Hetimet e përbashkëta kanë ndihmuar në evidentimin e shtetasve shqiptarë me rekorde kriminale, por edhe në njohjen dhe tipologjinë e këtyre grupeve për t’i goditur dhe nga ana financiare. Programi “SPECTRE”, të cilin Franca po e aplikon në bashkëpunim me disa vende evropiane, program të cilit i është bashkuar dhe Shqipëria, po mundëson një koordinim të ngushtë me Task Forcën Anti-Skifter dhe Policinë Kriminale kundër krimit të organizuar,” tha Thibaut.

Ambasadorja e Francës Christina Vasak theksoi se ka faktuar se bashkëpunimi mes dy vendeve deri më tani ka qenë mjaft i frytshëm dhe gjithashtu perspektiva për të ardhmen është mjaft pozitive.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u ekspozuan pajisjet qe u dhuruan në kuadër të programit “Empact” të Europol, si: drone, aparate fotografike, kamera, radio, mikrofon, dylbi dhe njësi qendrore kompjuterike për regjistrimet video. Pajisjet, të një teknologjie të avancuar do të perdoren nga Task-Forca “Anti Skifter” dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne