Xhihadi 2.0: Krijimi i një makthi tjetër

Ju jeni gati për të hyrë në fushën përfundimtare të minuar.

Le të fillojmë me 28 krerët e BE-së që diskutojnë mbi Ballkanin Perëndimor në një samit të fundit dhe fajësojnë – çfarë tjetër – “agresionin rus” në oborrin e BE-së.

Vazhdojmë me një prokuror të Malit të Zi që thotë se “organet shtetërore ruse” organizuan një përpjekje për grusht shteti gjatë zgjedhjeve të tetorit 2016 për të ndaluar vendin nga hyrja në NATO.

Dhe vazhdojmë me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker që paralajmëron se retorika anti-BE e Donald Trampit mund të çojë në luftë në Ballkan. Juncker, i përulur si gjithmonë, pohon se, “nëse i lëmë ato vetëm – Bosnjen dhe Hercegovinën, Republikën Srpska, Maqedoninë, Shqipërinë, të gjitha këto vende – do të kemi përsëri një luftë”.

Ballkani mund të jetë gati të shpërthejë – i gjithi përsëri. Megjithatë, me një ndryshim; ndryshe nga viti 1999, NATO nuk do të shpëtojë duke bombarduar Beogradin për 78 ditë. Një brez i ri i raketave ruse do ta parandalonte lehtësisht atë.

Tragjedia e vitit 1999 në Ballkan u shkaktua kryesisht nga masakrat e rreme në Kosovë të ngritura nga BND – inteligjenca gjermane – që përdori shqiptarët lokalë dhe agjentët provokatorë të BND-së, të cilët qëlluan të dyja palët për të nxitur një luftë dhe për të shkatërruar Jugosllavinë.

Të gjithë sytë janë mbi Shqipërinë

Ajo që po zhvillohet në momentin e tanishëm gjeopolitik është edhe më e zymtë.

Të dyshuarit e zakonshëm bëjnë atë që zakonisht bëjnë; fajësojnë Rusinë dhe mallkojnë çdo provë.

Pra, le të jetë një i njohur i brendshëm, Dr. Olsi Jazexhi, drejtor i Institutit të Medias së Lirë në Tiranë, Shqipëri, udhërrëfyesi ynë.

“Në dhjetor 2016, John Brennan i CIA-s shkoi në Shqipëri dhe lëshoi ​​një fetva për ‘luftë kundër Rusisë’ – veçanërisht në Maqedoni.”

Siç shpjegon Dr. Jazexhi, “pasi Brennan u nda nga Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, mik i ngushtë i Xhorxh Sorros, mblodhi të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe i urdhëroi ato që të mbështesnin Zoran Zaev kundër Nikolla Gruevskit. Gruevski shihet si filo-rus dhe anti-NATO, ndërsa Zaev është një qenush i Sorrosit. Si rezultat, Gruevski u bojkotua nga shqiptarët dhe Zaev pati mbështetjen e tyre për të formuar një qeveri. Premtimi i Zaev për shqiptarët është që Maqedonia do ta fusë shqipen si gjuhë zyrtare dhe do të krijojë një shtet të tretë (gjysmë) shqiptar në Ballkan. Maqedonasit po rezistojnë, por Tirana dhe Edi Rama po orkestrojnë partitë politike shqiptare kundër Gruevskit. Loja e fundit është që Maqedonia të bëhet një anëtare të NATO-s.”

“Ndërkohë, në Kosovë – që është në thelb një rrëmujë e keqe narko-mafioze që paraqitet si një shtet dhe që strehon Kampin Bondsteel, bazën më të madhe ushtarake të jashtme amerikane në planet – presidenti Hashim Thaçi dhe ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), po ‘formon një Ushtri për Kosovën. Qëllimi përfundimtar është integrimi i Kosovës në NATO, edhe pse Serbia e hedh poshtë këtë për ish-provincën e saj autonome’.”

Jazexhi gjithashtu detajon se si “në Shqipëri kemi dy organizata të mëdha terroriste që mbrohen nga amerikanët dhe evropianët”.

E para është ajo që Ankaraja e përshkruan si Organizata Terroriste e Fetullah Gylenit (FETO), që supozohet se instrumentalizohet nga inteligjenca gjermane; “Turqia po proteston përse Shqipëria strehon grupin FETO, por amerikanët i strehojnë ata kundër Erdoganit”.

E dyta është Muxhahedin-e Halk (MEK), që lufton kundër Teheranit; “Shqipëria po shndërrohet në qendër të MEK. John Bolton ishte kohët e fundit në Tiranë, me përkrahës të tjerë ndërkombëtarë të MEK, dhe po sulmojnë Iranin e po bëjnë thirrje për ndryshim të regjimit”.

Marjam Raxhavi e MEK ka vizituar gjithashtu Tiranën, duke zhvilluar plane për “rrëzimin e Ajatollahëve” në Iran.

Çështja kyçe, siç thekson Jazexhi, është se “pas kthimit të Ballkanit në një qendër rekrutimi për ISIS / Daesh gjatë luftës së Sirisë, tani amerikanët po e kthejnë Shqipërinë në një shtet xhihadi 2.0”.

“Pra, ajo që po ndodh është ‘i njëjti gabim historik i bërë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë lidhur 100% të ardhmen e tyre me Kampin Bondsteel, dhe mund të ri-pushtohen menjëherë nga Serbia në rast se NATO ose SHBA largohen (gjë që herët a vonë do e bëjnë, në mënyrë të pashmangshme)’.”

Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe amerikanët, të cilët dëshirojnë të de-radikalizojnë muslimanët vahabistë të Evropës, strehojnë nënën e xhihadistëve iranianë.

Armiku “i padukshëm”

“Pra, pjesa kryesore e enigmës është konfigurimi i Shqipërisë si qendër e xhihadit 2.0 – kundër sllavëve në Maqedoni, kundër Teheranit dhe gjithashtu kundër Ankarasë. Nuk është çudi që këshilltari i kryeministrit të qeverisë shqiptare, deri para pak muajsh, ishte një farë Tony Blair.”

Por pastaj kemi edhe një armik “të padukshëm” që me të vërtetë ka rëndësi.

Në fund të marsit, presidenti serb Tomisllav Nikoliç shkoi në Pekin në vizitën e tij të fundit zyrtare përpara zgjedhjeve të 2 prillit. Presidenti kinez Xi Jinping theksoi se bashkëpunimi ekonomik me Serbinë dhe Ballkanin në përgjithësi është një prioritet për Kinën.

Pa dyshim. Në vitin 2014, Pekini krijoi një fond që do të investojë 10 miliardë euro në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Vitin e kaluar, China Everbright bleu aeroportin e Tiranës në Shqipëri. China Exim Bank po financon ndërtimin e autostradës në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Në Serbi, China Road and Bridge Corporation ndërtoi urën Pupin prej 170 milionë euro mbi Danubin në Beograd – a.k.a “Ura e Miqësisë Sino-Serbe”, e inauguruar në vitin 2014 dhe 85% e financuar nga një kredi e Bankës Kineze Exim Bank.

Dhe qershia mbi tortë (infrastrukturë) është linja hekurudhore me shpejtësi të lartë prej 350 km, mes Athinës dhe Budapestit, që kalon përmes Maqedonisë dhe Beogradit.

BE i ka rënë këmbanave të alarmit për linjën Budapest-Beograd prej 1.8 miliardë dollarësh, duke hetuar nëse pjesa hungareze ka shkelur ligjet strikte të BE-së, sipas së cilave tenderat publikë janë një domosdoshmëri për projektet e mëdha të transportit.

Është tipike arroganca proverbiale perëndimore, që vendos se kinezët ndoshta nuk do të ishin në gjendje të ndërtonin infrastrukturë hekurudhore me shpejtësi të lartë për një kosto më të ulët se në Evropë.

Budapest-Beograd është shtrirja thelbësore e Linjës Ekspres që Pekini u zotua të ndërtonte gjatë vitit 2014 me Hungarinë, Serbinë dhe Maqedoninë. Ky është thelbi i nyjes së Evropës Juglindore në Rrugët e Reja të Mëndafshit – tani Iniciativa “Rrip dhe Rrugë”; një korridor tregtar ndërmjet portit kontejner të Pireut në Mesdhe – bashkëpronar me China Ocean Shipping Company që nga viti 2010 – dhe Evropës Qendrore.

Qëndrimi zyrtar i NATO-s është se ai duhet të vendoset në Ballkan për të luftuar “kërcënimin e terrorizmit”. Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, “Kohët e fundit kam vizituar Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, dhe jam inkurajuar teksa shihja se sa shumë janë fokusuar ata në kundërshtimin e kërcënimit të luftëtarëve të huaj”.

“Epo, ‘luftëtarët e huaj’ ndodh të jenë fiks në shtëpi, jo vetëm në Kosovë, por së shpejti në Shqipëri, në kryeqytetin e Xhihadit 2.0. Tek e fundit NATO shquhet për krijimin e ‘kërcënimeve’, të cilat janë thelbësore për të justifikuar ekzistencën e tij.”

Xhihadi 2.0 mund të drejtohet kundër sllavëve në Maqedoni, kundër Iranit dhe kundër Turqisë. Për të mos përmendur Rusinë. Këndvështrimi i padukshëm është se ata gjithmonë mund të vendosen për të rrezikuar lëvizjen e Kinës në integrimin e Evropës Juglindore, si një nyje kryesore e Rrugëve të Reja të Mëndafshit.

Pepe Escobar

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne