“Xhisiela”, Grida Duma: Politika e përfshirë në fshehje krimi

Deputetja e PD, Grida Duma ka komentuar arrestimin e djalit të deputetit të PS, Rrahman Rrahaj, i akuzuar për dhunimin dhe përndjekjen e  ish të dashurës së tij, Xhisiela Maloku. E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Duma tha se në këtë rast ka fshehje krimi dhe është e përfshirë edhe politika. Sipas saj, Rexhep Rraja është akuzuar zyrtarisht vetëm për ‘përndjekje’, por ndaj tij duhet të kishte dhe akuza të tjera si përdhunim, rrëmbim personi etj.

“Policia bëri sikur arrestoi djalin e deputetit. Akuza vetëm për përndjekje tregon se krimi shtetëror vazhdon dhe se duhet të kishte edhe akuza të tjera, si përdhunim, dhunim, rrëmbim personi, privim lirie etj. Në këtë rast ka fshehje krimi dhe politika është e përfshirë. Oficeri është gati një hero sepse ka denoncuar një krim dhe ka marrë përgjegjësi të thotë një të vërtetë. Nuk ka gjë më të madhe sesa dëshmia, sepse ne po denoncojmë policinë. Denoncimi me zë dhe figurë është prova më e madhe. Ne nuk e kemi zëvendësuar rolin e institucioneve, por po denoncojmë mosveprimin e policisë. Ishte një situatë ku po fshihej krimi deri në momentin kur ngjarja mori këto përmasa. Meqë kemi ca prokurore gra, të drejtat i kanë të fituara dhe kjo është hipokrizi. Argumenti i kryeministrit është banal”- tha Grida Duma.

Deputetja u shpreh ndër të tjera se sot në orën 17:30 duhet të protestohet kundër dhunës dhe se vendi ështe në një situatë shtet-rrethimi mendor për njerëzit. Grida Duma tha se institucionet me dashje nuk po veprojnë dhe po fshehin krimin.

“Nuk mund të lejojmë që në këtë çështje të fitojë krimi. Vajzës po i thonë tërhiqe denoncimin, ndërsa ne na thonë po përdorini vajzën për politikë. Prandaj sot në orën 17:30 duhet të protestohet kundër dhunës.  Sot jemi në një situatë shtet-rrethimi mendor për njerëzit. Ne sot duhet të krijojmë një kuadër ligjor që kur të ndodhin këto duhet të kemi ku të bazohemi sepse njerëzit duhet të jetojnë në siguri. Gangrena e krimit ka hyrë në pushtetin lart dhe mekanizmat institucionalë nuk mungojnë. Ne kemi problem zbatimin e platformave.  Ne kemi një kuadër të mirë ligjor, por problem mbetet mos zbatimi.  Institucionet me dashje nuk po veprojnë dhe po fshehin krimin. Ngjarje më të rëndë se kjo nuk ka.”- tha Duma.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne