Xhumaja e parë ‘pa probleme’ në Al-Aksa

Në hutben e xhumasë, hatibi Sheiku Muhammed Selim Muhammed Ali, tha se “Këtu ritheksoj edhe një herë se Al-Aksa u përket vetëm muslimanëve dhe që punët e këtij objekti të shenjtë i përkasin Administratës së Vakëfeve Islame të Jerusalemit e cila po ashtu është e muslimanëve”.

Shejh Ali duke reaguar për vendosjen e kufizimit të moshës për ata që hyjnë në Al-Aksa për të falur namazin e xhumasë, tha se “Al-Aksa është një zonë e ibadetit, ne refuzojmë vendosjen e kufizimit të moshës nga forca pushtuese”.

Duke vënë theksin në rëndësinë e shteteve islame kundër shkeljeve të Izraelit ndaj Al Aksa-së, Sheiku Ali bëri thirrje për unitet.

Në anën tjetër në një deklaratë me shkrim nga Administrata e Vakëfeve Islame të Jerusalemit thuhet se në namazin e xhumasë e cila për herë të parë u fal “pa probleme” pas bllokadës nga Izraeli, morën pjesë 25 mijë muslimanë.

Izraeli pas incidenteve të ndodhura më 14 korrik, mbylli kompleksin Al-Aksa dy ditë për faljen e namazeve, kurse pas reagimeve të palestinezëve të cilët zgjatën dy javë, kishte hapur Harem-i Sherifin por mori vendim për kufizimin e moshës.

Çfarë ndodh brenda tre javësh?

Përshkallëzimi i situatës në Al Aksa ndodhi kur autoritetet izraelite mbyllën Xhaminë Al Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa pohoi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.

Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë metali dhe kamera në portat e saj.

Muslimanët protestuan kundër masave dhe falën namazin para portave të kompleksit, ndërsa hasën në ndërhyrje nga forcat izraelite. Përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, përfshirë 8 palestinezë.

Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.

Duke u përkulur ndaj presionit ndërkombëtar, Izraeli hoqi detektorët e metalit më 25 korrik, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor “kontrolle të zgjuara” bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.

Autoritetet izraelite më 27 korrik hoqën edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al Aksasë, ndërsa muslimanët atë ditë u mblodhën për të falë namazin e ikindisë në Al Aksa pas thirrjes së dijetarëve të Jerusalemit.

Fillimisht, policia izraelite nuk hapi disa porta të kompleksit, por pas reagimit intensiv të palestinezëve, në Al Aksa u hapën të gjitha portat dhe dhjetra mijëra persona filluan të hyjnë në kompleks.

Një ditë më vonë, 28 korrik, ditë e premte, teksa muslimanët planifikonin të falnin namazin e xhumasë në Al Aksa, policia izraelite kësaj radhe ndaloi hyrjen në kompleks të meshkujve nën moshën 50 vjeçe.

Pas kësaj ndalesë, mijëra muslimanë falën namazin në rrugët dhe rrugicat përreth kompleksit Al Aksa që çojnë drejt qytetit të vjetër./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne