Yildirim për “BBC”: Nga prishja e marrëdhënieve me Turqinë do të dëmtohej edhe SHBA-ja

Shefi i Ankarasë zyrtare, Binali Yildirim, paralajmëroi të mërkurën se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dëmtoheshin nga prishja e marrëdhënieve me Turqinë.

Kryeministri turk vlerësoi rendin e ditës për Korporatën Transmetuese Britanike (BBC).

Nga vendlindja Erzincan, Binali Yildirim u ndal fillimisht mbi operacionin “Dega e Ullirit”, filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të neutralizuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

Përveç këtyre – shtoi ai – një tjetër qëllim thelbësor i operacionit është t’u japë fund provokimeve, sulmeve me raketa dhe predha mortaja që bëhen nga zona në fjalë drejt territoreve tyre.

Duke theksuar se 107 raketa janë hedhur në territoret turke nga zona e Afrinit që prej fillimit të operacionit më 20 janar e deri më sot, Yildirim tha se terroristët përndjekin gjithashtu kurdët, turkmenët dhe arabët në atë pjesë të Sirisë.

“Njerëzit e asaj zone do të gjejnë paqen dhe bien në qetësi pasi terroristët të jenë neutralizuar”, saktësoi kryeqeveritari turk.

Ai tërhoqi vëmendjen se Turqia po i kushton rëndësi të madhe sigurisë së jetës së civilëve përgjatë operacionit dhe reagoi fuqishëm kundër rrapëllimave në lidhje me këtë çështje.

“Franca është e fundit që mund të flasë për vrasjen e civilëve. E kaluara e saj në Afrikë është për faqe të zezë. Po flasim për miliona dhe jo 1 apo 2. Ajo ka precedentë shumë të këqij në Luftërat Ballkanike, në Luftën I Botërore, në Algjeri dhe Tunizi. Nëse çështja ka të bëjë me civilët, atëherë Franca duhet fillimisht të lajë mëkatet e saj”, u shpreh Yildirim.

Pasi rikujtoi se terroristët kanë ndryshuar edhe emrin për t’u maskuar apo fshehur, kryeministri turk nënvizoi se Ankaraja është e vetëdijshme që këto organizata terroriste janë PKK-ja me emër të ndryshuar.

“Ne kemi prova të mjaftueshme në lidhje me këtë çështje dhe kjo vërteton e miraton ato çfarë kemi thënë qysh prej fillimit”, vlerësoi ai duke theksuar se SHBA-ja është duke mbrojtur terroristët.

“Falë aktiviteteve efektive të Turqisë në luftën kundër terrorizmit, PKK-ja e ka tashmë të pamundur të jetojë në veri të Irakut dhe prandaj, meqenëse gëzon një protektor si SHBA-ja, e ka zhvendosur veprimtarinë e saj në Siri. Këtë e thonë edhe vetë amerikanët”, siguroi Binali Yildirim.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend anëtar i NATO-s që bën deklarata kontradiktore për ndërprerjen e mbështetjes ndaj terroristëve, duhet të mbajnë një qëndrim të qartë.

“Mbajtja e PKK/KCK/PYD-YPG në zonën Menbixh të Sirisë është armiqësi kundër Turqisë, është një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare të Turqisë. Mbi 90 për qind e banorëve të Menbixhit janë arabë. Ç’punë ka organizata terroriste atje? Nuk ka as ndonjë problem sigurie atje. Nëse këta mbahen atje posaçërisht kundër Turqisë, atëherë edhe ne duhet të veprojmë sipas kësaj. Punët ndryshojnë nëse SHBA-ja vazhdon të mbrojë edhe më tepër organizatat terroriste kundër nesh”, deklaroi Yildirim.

Më tej, kryeministri paralajmëroi se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dëmtoheshin nga prishja e marrëdhënieve me Turqinë.

“Duket qartë se kanë një lloj plani këtë rajon. Si do t’i realizojnë ato plane të tyre? Në një farë mënyre, po i kthen bërrylin e po mashtron një partnerin tënd në NATO. S’po bën atë çfarë duhet të bësh për partnerin tënd në NATO. Po miqësohesh me grabitqarë, që i bëjnë armiqësi partnerit tënd në NATO dhe përpiqen ta copëtojnë atë”, tha Kryeministri Yildirim mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne