Me 6908 vota, Ylfete Fanaj, ka fituar më së shumti nga të gjithë kandidatët e qytetit të Lucernit.
Më shumë se ajo kanë fituar katër kandidatë nga FDP, të gjithë nga zonat tjera të kantonit, jashtë qytetit të Lucernit.
Edhe partia e saj, SP ka shënuar një rezultat shumë të mirë, duke fituar tri vende më shumë në parlament. Nga ana tjetër, partitë e djathta, SVP, CVP dhe FDP të cilat janë zakonisht favorite në këtë kanton, kanë shënuar rënie të theksuar, me 7 gjegjësisht 4 dhe 3 vende më pak të fituara.
Fitoren më të madhe e ka realizuar Partia e Gjelbër (Grüne Partei) e cila ka dyfishuar numrin e vendeve në parlament: nga 7 sa i ka pasur deri tash, në 14.
Të kujtojmë: Ylfete Fanaj është prej tetë vitesh deputete në Parlamentin Kantonal ndërsa pak më vonë ajo është zgjedhur edhe shefe e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate në këtë parlament.
E lindur në vitin 1982 në Prizren dhe e ardhur në Zvicër në vitin 1991, Ylfete Fanaj ka qenë femra e parë shqiptare që është zgjedhur në nivel asambleje komunale dhe kantonale në këtë vend. Ajo po ashtu është shqiptarja e parë e Zvicrës në përgjithësi, e zgjedhur shefe e një grupi parlamentar në çfarëdo niveli.
Fanaj ka qenë femra e parë shqiptare në Zvicër, e zgjedhur në një parlament kantoni dhe asamble komune.
Për një kohë Ylfete Fanaj ka qenë edhe kryetare e organizatës Second@s në nivel të Zvicrës.
Ajo ka qenë dhe është shumë aktive në jetën shoqërore të shqiptarëve të Zvicrës./ albinfo.ch/