Z. kryeministër boll e mbajtët peng gjyshin iranian

GJERGJI THANASI

Z. Manoucher Abdi është një shtetas iranian, i cili shumë vjet më parë u bë pjesë e MEK-ut (Muxhahedinët e Popullit Iranian), një organizatë revolucionare, ish terroriste, aktualisht me tiparet e një kulti fetar. Kjo organizatë mbas shumë peripecish në luftë me pushtetet e ndryshme në Iran (Monarkinë Pahlevi e më pas me Republikën Islamike të Iranit) u crregjistrua nga lista e organizatave terroriste. Në vitin 2013 në muajt e fundit të pushtetit të Berishës disa qindra luftëtarë të kësaj organizate erdhën nga Iraku, ku ishin strehuar si aleatë të diktatorit Sadam Husejn, në Shqipëri me statusin zyrtar të personave të mbrojtur nga OKB-ja. Gjatë viteve të kryeministrit Rama disa mijëra anëtarë të kësaj organizate (nga 2000-4000) erdhën në Shqipëri nga Iraku, por edhe nga vende të tjera si psh. Bullgaria. Organizata pretendon se nga baza e saj shqiptare e quajtur Kampi Ashraf 3 vazhdon të kryejë një luftë të rreptë kundra qeverisë legjitime të Iranit, që nga MEK-u quhet rregjimi i mullahëve të Teheranit. Disa dhjetra pjesëtarë të MEK, kanë dezertuar nga rradhët e organizatës duke shfrytëzuar rastin, që qeveria Rama e përkrah MEK-un, organizatën kult të Madam Rajavit më pak, sesa e përkrahte Sadam Husejni në Irak. Këta të arratisur, dezertorë, të zhgënjyer të MEK vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri dhe u paguhet nga UNCHR-ja një sasi parash për të mbijetuar.Disa prej tyre shpesh edhe të përkrahur financiarisht nga vetë MEK-u kanë arritur që në mënyrë të kundraligjshme të largohen nga Shqipëria duke u futur ilegalisht në vende të ndryshme të BE-së.
Njëri prej defektorëve, të arratisurve të MEK është edhe z. Abdi Manoucher i datëlindjes 1963. Për z. Manoucher idealet e aspiratat e kultit të MEK i përkasin së kaluarës. Ai thjesht do që pjesën e jetës, që i ka mbetur, ta kalojë me vajzën e tij, të cilën ka 15 vjet pa e parë me sy. E bija e ka gëzuar z. Manoucher edhe me një nipce.


Autoritetet iraniane pavarësisht nga e kaluara e z. Manoucher janë shprehur zyrtarisht se nuk do pengojnë kthimin e tij në gjirin e familjes në Iran. I kujtojmë lexuesit që kryeministri Berisha në shtator 2013 në takim me ambasadorin e atëhershëm iranian në Tiranë z. A. Majid Mozafari theksoi faktin se qeveria shqiptare garanton cilido prej tyre (muxhahedinëve), që do të ketë garancinë e plotë të autoriteteve Iraniane dhe dëshiron të kthehet në vendin e tij, nuk do të ketë asnjë pengesë nga autoritetet shqiptare. (për më shumë mund të konsultohet linku: http://arkiva.km.gov.al/?fq=brenda&m=neës&lid=18617).
Pasardhësi i Berishës kryeministri aktual Edvin Rama po bën pikërisht të kundërtën. Autoritetet shqiptare po e pengojnë z. Manoucher të kthehet në gjirin e familjes në Iran. Pavarësisht nga kërkesat e përsëritura të tija, z. Manoucher nuk i lejohet kthimi në Atdheun e vet, thjesht për të përmbushur një tekë të Madam Rajavi-t udhëheqëses së organizatës tip kulti MEK. Këtij arbitrariteti të qeverisë shqiptare z. Manoucher i është përgjigjur me të vetmin mjet, që ka: grevën e urisë. Ai me një letër (shiko faksimilen) drejtuar UNHCR-së e për dijeni Ministirië së Jashtme të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe kryeministrit Rama në datën 1 prill 2019 i informon ato, se ka vendosur të hyjë në grevë urije, me qëllim që të bindë Qeverinë Shqiptare ta lejojë të kthehet në gjirin e familjes në Iran.

Një qëndrim i tillë servil i Qeverisë Rama ndaj Madame Rajavit shkon edhe përtej qëndrimeve më servile të Qeverisë kuislinge Libohiva kundrejt Jakomonit , Luogotenentit te Mbretit Perandor Vittorio Emanuele III. Atëhere Shqipëri ishte një vend i pushtuar nga fashizmi, ndërsa sot është një vend i lirë, sovran, anëtar i NATO-s dhe aspirant për anëtar të BE-së, por fatkeqësisht me një kryeministër sa miop aq edhe servil.
Veprim kundërproduktiv i Qeverisë Rama
Mbajtja peng e gjysh Abdiut (Manoucher) në Shqipëri është jo vetëm një veprim servil dhe i pështirë i qeverisë Rama ndaj një plake të pa Atdhe (Apolide) si Madam Rajavi, por edhe komplet kundërproduktiv e me pasoja negative për Qeverinë Rama.

Unë shpresoj që “zonjusha” Fu-Fu, që mbulon marëdhëniet me publikun në kryeministri, do t’ia shpjegojë kryeministrit Edvin, se cfarë “debacle” për sa i përket marëdhënieve me publikun do të jetë për Qeverinë Shqiptare pasqyrimi ndër të tjera edhe i grevës së urisë së z.Abdi në media të jashtme e botërore duke filluar nga media daneze “Dagens Naeringsliv” te francezja “Le Monde”, nga RAI italian te “Ëall Street Journal” amerikan.
Kryeministri Edvin për më tepër duhet të ketë mirë parasysh se servilizmi pa kufi ndaj Madam Rajavi-t nuk do të mjaftojë aspak, që lobistët e mirëpaguar të kësaj plake apolide (të paatdhe), t’i sigurojnë z. Rama një takim 3-4 minutësh me Presidentin Trump në Zyrën Ovale. Një “coup de main” i tillë në kulmin e fushatës elektorale thjesht do mbetet një ëndërr në diell, që nuk ka as shansin më të vogël për t’u shndërruar në realitet.
Në shkrimin tim nuk po i bëj apel ndjenjave njerëzore të kryeministrit të vendit tim, por thjesht gjykimit të shëndoshë të tij. Mbajtja peng e gjyshit iranian në Shqipëri, nuk do i sjellë asnjë përfitim kryeministrit, por do të jetë për të një burim telashesh pa fund në fushën e marëdhënieve me publikun. Modestisht i kujtoj z. Edvin se me fjalën e deputetit Majko apo ishave si prof. Klosi, Grida, Salianji & CO, nuk shkohet as në tualet jo më të merren vendime të ti, mizore për gjysh Abdiun dhe telashndjellëse për Kryeministrin Edvin!/ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne