Nga Ergys Mërtiri

Ambasadori amerikan Donald Lu përkujtoi sot 100 vjetorin e strehës së parë vorfnore në Shqipëri, të hapur sipas tij, me ndihmën e amerikanëve. Duke dashur të përfitojë nga rasti, Lu ka përdorur simbolikisht këtë event, për të justifikuar qendrimet e tij, për të cilat është kritikuar e madje edhe akuzuar, tallur e përqeshur vazhdimisht në opinionin publik.

Në fjalën e tij, ambasadori Lu ekspozoi bujarinë amerikane të 100 viteve më parë, duke e lidhur këtë me përpjekjet e tij për reformën në drejtësi: “100 vjet më parë amerikanët erdhën këtu për ngritjen e strehës së pare vorfnore… sot SHBA ndihmon për ngritjen e Forcave të Armatosura, luftën kundër krimit dhe ngritjen e institucioneve të reformës në drejtësi”.

Pa dyshim që SHBA-të kanë qenë një mbështetje e madhe për këtë vend dhe kjo nuk mund të mohohet, por qendrimet e vetë ambasadorit nuk e kanë reflektuar asfare bujarinë dhe parimet amerikane. Ndryshe nga ç’thotë ambasadori, ai nuk po kontribuon asfare në luftën kundër krimit, ndërsa me reformën në drejtësi, deri tani ka bërë një teatër që, duket se do jetë më shumë një instrument në duart e qeverisë për të garantuar pandëshkueshmërinë e vet.

Z. Lu ka heshtur plotësisht, në një kohë kur krimi i organizuar, të paktën prej dy vjetësh, ka shpërthyer spektaklin e kanabizimit të vendit, ditën për diell, në sytë e të gjithë shqiptarëve. Lu ka heshtur sistematikisht kur parlamenti u mbush me njerëz në kërkim e të dënuar për krime ordinere e trafiqe. Përveç një mbështetje të zbehtë që i dha në fillim ligjit të dekriminalizimit, asnjë reagim serioz nuk është parë prej tij, në çdo hap të përplasjeve të mëdha për shkuljen e roshëve, ndokëve, prengëve, e me rradhë, nga pozitat e tyre në pushtet.

Po kështu, Lu nuk ka folur asnjë fjalë për skandalet korruptive e lidhjet e faktuara të zyrtarëve të lartë të Edi Ramës me banda kriminale e rrjete trafiqesh ndërkombëtare, ashtu siç natyrisht, Lu nuk ka folur asnjë fjalë për blerjen e votës, për shkeljet rënda të herëpashershme të parimit të ndarjes së pushteteve, të kërcënuar egërsisht nga qeveria e sotme.

Lu nuk foli as për skandalin e madh që nxjerr zbuluar ish-ministrin Tahiri, e as sot me skandalet e njëpasnjëshme të kryebashkiakëve Sejdini e Dako. Përkundrazi, ai u kujtua të prononcohet për Tahirin, vetëm pasi parlamenti rrëzoi kërksën për hetim pa mbrojtjen e parlamentit, ndërsa spostoi më pas vëmendjen për pesh të mëdhenj që rrjeta e tij paska vendosur ti zërë pas tre muajsh.

I vetmi refren që kemi dëgjuar nga Lu këto vite, përveç anekdodave pa shije të një pop-diplomacie mediatike, ka qenë reforma në drejtësi, përtypur e ripërtypur gjithmonë si një instrument propagandistik për të larguar vëmendjen nga çdo problem apo skandal i rradhës i qeverisë. Vetë ky avaz i recitimit të klisheve mbi reformën në drejtësi ka qenë vazhdimisht instrument në funksion të një padrejtësie të madhe, të vazhdueshme.

Për këtë arsye z. Lu, ju nuk i përkisni traditës së politikës amerikane në Shqipëri e kudo. Dikur amerikanët hapnin streha vorfnore në Shqipëri, kurse ju strehoni zengjinët qeveritarë të pasuruar duke vjedhur një popull të varfër, e duke u përlyer me banda trafikantësh e mafiozësh./ Civitas.al

25