Zaev-Tsipras: Dita e sotme, përcaktim historik

Vizita e sotme e kryeministrit të Greqisë Aleksis Tsipras në Republikën e Maqedonisë së Veriut është përcaktim historik dhe paraqet një hap historik para për Ballkanin dhe Evropën, thanë në konferencën e përbashkët për media kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras.

Kryeministri grek Tsipras sot ndodhet në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku para ndërtesës së Qeverisë u prit nga delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri i vendit, Zoran Zaev. Pas takimit të delegacioneve nga të dyja vendet, dy kryeministrat mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Zaev tha se sot vendi i tij për herë të parë në histori është nikoqir i një vizite zyrtare të një kryeministri grek.

Zaev gjithashtu tha se nga 17 qershori i vitit të kaluar, kur dy vendet nënshkruan, siç e quajti ai, Marrëveshjen historike të Prespës, për disa herë po shkruajnë historinë.

“Greqia ishte vendi i parë që nënshkroi Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, qëllimin tonë strategjik. Këto ditë, miku im dhe miku ynë Aleksis Tsipras i bëri thirrje BE-së që të fillojë negociatat për anëtarësim me vendin tonë. Ai i bëri thirrje BE-së që të shfrytëzojë shansin që të ngadhënjejë ndaj forcave të prapambeturisë, nacionalizmit dhe për fitore të politikës së përparimit, paqes dhe miqësisë mes popujve”, tha Zaev.

Sipas tij, me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës do të ndërtohet miqësia mes dy vendeve dhe dy popujve.

“Vetë marrëveshja me zbatimin e saj të qindpërqindtë do të ndërtojë miqësi të sinqertë mes dy vendeve dhe dy popujve”, theksoi Zaev, duke shtuar se qytetarët e të dyja vendeve përfitojnë nga Marrëveshja e Prespës.

Zaev tha se për këtë flet fakti që për 20,7 për qind është rritur shkëmbimi tregtar mes dy vendeve dhe po i afrohet shifrës prej një miliardë eurove.

Nga ana tjetër, kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, tha se sot Greqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Memorandum për mirëkuptim dhe avancim të proceseve paraqasëse dhe qasëse të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Vizita ime sot këtu është vizita e parë zyrtare e një kryeministri grek në vendin tuaj. Kemi humbur shumë kohë, kemi humbur tri dekada, patjetër të tejkalojmë këta hendekë”, tha Tsipras.

Ai shtoi se po përpiqen që të ndërtojnë një narrativë të re në Ballkan.

“Po përpiqemi të ndërtojmë një narrativë të re, narrativë të bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe rritjes së përbashkët. Për atë jam fort i bindur se suksesi i këtyre përpjekjeve nuk do të jetë sukses vetëm i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, por do të jetë sukses i tërë Ballkanit dhe Evropës”, theksoi kryeministri grek.

Ai shtoi se Plani Aksionar mes qeverive të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut ka përfshirë të gjithë sektorët e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Kryeministri grek informoi se me kryeministrin Zaev dhe delegacionet qeveritare nga të dyja vendet kanë biseduar edhe për bashkëpunimin në iniciativat e shumta rajonale, të cilat i vlerësoi si pozitive për zhvillimin e rajonit.

Hapja e një kalimi të ri kufitar

Kryeministri grek njoftoi po ashtu se me qeverinë e Maqedoonisë së Veriut është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për të hapur një kalim të ri kufitar, pas atij në Prespë, më saktësisht për kalimin kufitar Promahoj, i cili, sipas tij, do të forcojë bashkëpunimin në aspektin e turizmit, tregtisë dhe komunikimit mes dy popujve.

Tsipras shtoi më tej se me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut është diskutuar edhe rritja e bashkëpunimit në të gjitha fushat, përfshirë atë të ekonomisë, tregtisë, infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes, energjisë dhe sigurisë kibernetike.

“Duhet shfrytëzuar interesin e fuqive të mëdha për rajonin”

Në fushën e mbrojtjes, tha ai, të dy ministritë kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila, siç tha Tsipras, pasqyron vullnetin dhe dëshirën e Greqisë për të ndihmuar në nërtimin e mundësive mbrojtëse të Maqedonisë së Veriut duke transferuar aftësitë dhe njohuritë për t’ia forcuar interoperabilitetin në strukturat e NATO-s.

“Ky bashkëpunim është vërtetë i rëndësishëm, sepse mbulon shumë sektorë, siç janë trajnimi, industria e mbrojtjes, mbrojtja kibernetike, inteligjenca ushtarake dhe të ashtuquajturën politikë të aviacionit që mbikëqyr hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut nga aviacioni grek”, tha më tej Tsipras.

I pyetur të komentojë interesimin e fuqive të mëdha për rajonin e Ballkanit, kryeministri grek tha se ”fakti që ka shumë interes për rajonin, duhet shfrytëzuar, por njëkohësisht të gjitha fuqitë që janë të interesuara për rajonin duhet të dinë se njerëzit e këtij rajoni, e të dyja vendeve, kanë rolin e tyre në përcaktimin e të ardhmes së vendeve të tyre”.

Pas konferencës së përbashkët për mediat me yeministrin Zaev, Tsipras shkoi në një takim te kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Në orët e pasdites do të mbahet një forum biznesi midis sipërmarrësve nga Maqedonia e Veriut dhe dhe Greqisë, të cilin do ta kryesojnë kryeministrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne