Zbardhet raporti i KLSH, 825 milionë euro deme ne buxhet nga abuzimet, 129 zyrtare te kallezuar penalisht gjatë 2017

Gjatë vitit që lamë pas ka pasur 825 milionë euro dëme në buxhetin e shtetit nga abuzimet në administratë. Të dhënat janë publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin vjetor për vitin 2017. KLSH ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 99.05 miliard lekë, afërsisht 739.7 milionë euro. “Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliard lekë ose 85.8 milionë euro. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 99.05 miliard lekë, afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliard lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliard lekë afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 825.6 milionë euro”, thuhet në raport.

Kallëzimet penale

Por përveç kësaj, KLSH ka ndjekur dhe rrugët ligjore. KLSH ka kallëzuar penalisht në organet e prokurorisë personat përgjegjës. Kallëzimet penale përbëjnë një tregues të rëndësishëm të luftës ndaj korrupsionit dhe abuzimit me pronën publike. Për vitin 2017, KLSH ka depozituar pranë prokurorive të rretheve, 47 kallëzime dhe indicie penale edhe 4 dosje auditimi të përcjella për vlerësim organit të prokurorisë. Shumica e kallëzimeve penale (25) janë hartuar në bazë të auditimeve të kryera nga Departamenti i Auditimit të Njësive të Qeverisjes Vendore, i ndjekur më pas nga Departamenti i Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit (12). Në 47 kallëzimet dhe indiciet penale të hartuara nga KLSH, janë ngarkuar me përgjegjësi penale 129 persona nga të cilët: 23 titullarë institucionesh (7 Bashki dhe ish-Komuna, 7 ZVRPP, 4 ALUIZNI, 1 SH. A. dhe 4 të tjerë); 41 nëpunës të nivelit drejtues të tjerë (pa përfshirë 23 titullarët); 5 subjekte private dhe 60 nëpunës të tjerë. Veprat kryesore penale për të cilat akuzohen këta persona janë “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, por nuk mungojnë edhe akuza për “falsifikim dokumentesh” parashikuar nga neni 186 të Kodit Penal. KLSH ka rritur cilësinë e përgatitjes së dosjes për kallëzim penal dhe ka shkurtuar kohën e përgatitjes së kallëzimit.

Detajet nga auditimet

Në raport theksohet se KLSH nga auditimet e kryera në vitin 2017 ka identifikuar mungesë përgjegjshmërie nga titullarët e institucioneve të çdo niveli, mosnjohje të kërkesave të ligjit të menaxhimit financiar, nivele të dobëta dhe ineficiencë të sistemeve të kontrollit të brendshëm duke krijuar të gjitha mundësitë për shpenzime jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe efektivitet të ulët në shpenzimin e fondeve buxhetore. Nga auditimet e këtij viti, KLSH ka konstatuar se vijojnë praktikat dhe vendimmarrjet institucionale me efekte negative në fondet publike, ku niveli i dëmeve dhe shpenzimeve joefektive të konstatuara paraqitet si më poshtë: Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik

në shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e fondeve publike të shpenzuara nga subjektet e audituara, në shumën totale prej 99.05 miliardë lekë ose afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave ose afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë ose afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 825,64 milionë euro

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne