Zbardhet vrasja e Jurgen Kurtit në Tiranë, arrestohen tre vrasës me pagesë

Tetë ditë pas vrasjes së bujshme të 26-vjeçarit Jurgen Kurti në Tiranë, policia e kryeqytetit ka arrestuar tre persona bashkëpunëtorë në vrasje, ndërsa një i katërt u shpall në kërkim, emri i të cilit nuk bëhet publik për efekt të hetimeve.

Policia thotë se ka sekuestruar një pistoletë TT, fishekë luftarakë, një sasi të vogël lënde narkotike, 2470 Euro e lekë shqiptare, si dhe 13 aparate celularë.

Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e  veprimeve hetimore të kryera,  dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë 3 të arrestuarit bashkë me një tjetër të shpallur në kërkim. Policia gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e tyre gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas një pune të mirë organizuar nga Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit, u arrestuan Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç lindur në Patos, Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos. Burime për Report Tv thonë se tre autorët e arrestuar janë vrasës me pagesë dhe se ekzekutimin e Kurtit e kanë bërë me porosi, për llogari të një personi tjetër.

Një nga të arrestuarit Olsi Qalliaj

Ngjarja ndodhi më 18 mars 2019, rreth orës 22:30, në rrugën “Zef Jubani”, ku u vra me armë zjarri Jurgen Kurti. 26 vjeç.

“Veprimet hetimore janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarje. Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera pasi cënojnë hetimin”, thotë policia.

Veprat penale të ngritura ndaj tyre janë: “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”,  “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne