Zbulime të reja në vitin e Skënderbeut: Të ndryshëm si dy pika uji

Në këtë simetri, ustai i parë, shoku Sabri Godo, përmbledh të gjithë epistemologjinë e shkollës historiografike shqiptare të kohës së regjimit, e cila, me makijazhin e kohës, vijon sot në 4 ungjijtë e Toenës: 1) përdorimi në funksion të pushtetit; 2) interpretimi i së shkuarës si vazhdimësi e së tashmes; 3) panegjerizmi; 4) manipulimi; 5) kodifikimi; 6) indoktrinimi. Godo e bën natyrshëm, i shqetësuar vetëm nga përputhja e imagjinatës së tij me këto 6 pika. Si i pakorrigjueshëm, në vitet e pluralizmit boton një monografi mbi Skënderbeun partizan, siç e kishte përfytyruar në krye të herës, por tashmë i lirë nga barra e citimit të Partisë, Marksit, Leninit e shokut Enver. Dhe pasi i kishte shërbyer regjimit për gjysmë shekulli, për kontribute misterioze vlerësohet te “Pedonalja me buste shumë”, përkrah Aleks Budës, gjatë qeverisjes ngjyrë blu.

I dyti, Nikë Ukgjini, njëherësh edhe doktor edhe dom – të paktën me atribute, edhe shkencërisht edhe moralisht korrekt –, pasi kalon filtrin e komisionit, të kryesuar nga një historian esencialisht enverist (ndërsa për vetë Ukgjini është ideologjikisht në anën e kundërt), kumton me emrin e Skënderbeut për interesa shumë më të tkurrura se ato të Partizanit të Godos, duke tregtuar si risi shkencore çfarë ka shkruar i mirënjohuri, botuari e cituari Giuseppe Valentini, praktikisht njëlloj sikur dikush të prezantonte një punim duke lexuar çfarë ka shkruar Kristo Frashëri për Skënderbeun! “Mamma i turchi” do të ulërinte i madhi Valentini përballë një promovuesi që citon një monsinjor të 1884 për të thënë se para çdo beteje Skënderbeu lutej te “Shenjtorja e Zojës se Shkodrës”, ndërkohë që kisha në fjalë ishte nën sundimin venedikas dhe një herë që Gjergji provoi t’i afrohej Rozafës, shkodranët e zmbrapsen me dajak. Duket që sot funksionon një afrim i tillë, e jo rastësisht, sipas kumtuesit, venedikasve u binin tokat shqiptare në duar kurse turqit pushtonin. Ec e merre vesh se si e ka kaluar komisioni i përbërë nga Pëllumb Xhufi, Shaban Sinani, Jusuf Bajraktari, Rexhep Ismajli, Ferit Duka dhe Ermal Baze (le pastaj Komiteti i Nderit) një kumtesë ku thuhet se Gjergji korrte fitore ndaj turqve ngaqë ishte kthyer në besimin e krishterë romak! Po asnjëri prej drejtuesve të seancës, Lulëzim Lajçi, Myzafer Bislimi, e më pas edhe Ferit Duka e Shaban Sinani, nuk ishte kureshtar të dinte se si shpjegohet atëherë që Skënderi u bë Bej pranë Muratit pikërisht sepse sulltani i luante përherë dysh transfertat e gjeneralit (fillimisht të sulltanit, pastaj të partizanëve e me radhë)? Në fund ky boti e shënon kumtesën në CV, drejtuesit e albanologjisë rrahin gjoksin me shifra titujsh, konferencash dhe risish shkencore, e qulli i gatuar me marrëzi e ligësi botohet dhe përfundon te librat shkollorë të Albas-it, te zbulimet e Marin Memës, te dosierët e gazetave, te kërpudhat helmuese të rrjeteve sociale, e pastaj qeshim me Eliza Spiropalin e ata që nuk lexojnë./ postbllok

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne