Zbulohet CV e ministrit të Jashtëm, Cakaj me dy Mastera e një Bachelor brenda 3 viteve

Edhe pse ishte në detyrën që prej muajit gusht të vitit 2018, CV-ja e zv.ministrit të Jashtëm, Genti Cakaj ishte mbajtur e ‘fshehur” për publikun.

I cilësuar nga Edi Rama si “gjeni”, djali nga Kosova i lindur në 1990 në curriculumin e tij tregon se është zotërues i 5 diplomave.

Cakaj është diplomuar në vitin 2012 për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).

Ndërkohë që në vitin 2016 sipas CV-së tij ai ka mbaruar studimet edhe në Fakultetin e Drejtësisë.

Po ashtu sipas CV së tij, Gent Cakaj thekson se ka përfunduar tre mastera jashtë vendit, në një Belgjikë në vitin 2014 dhe 2017 dhe një master në Hungari në vitin 2015.

Ndërkohë që pikëpyetje mbetet fakti se si e ka përfunduar shkollën 3-vjecare të Drejtësisë në Prishtinë, ndërkohë që ka qenë jashtë vendit.

Pra nëse Cakaj është diplomuar në vitin 2016, logjikisht duhet ta ketë nisur universitetin në vitin 2013 në Prishtinë, pra ciklin 3 vjeçar në Bachelor.

Ndërkohë që ai shkruan në CV që ka përfunduar studimet master në 2015 në Hungari dhe në Belgjikë në vitin 2014.

Ndërsa në fillim të CV-së zyrtare, ai shkruan se studimet në Belgjikë i ka përfunduar shkëlqyeshëm në vitin 2017.

“Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti.

Gent Cakaj mban edhe katër diplomime të tjera në fushat e filozofisë, drejtësisë dhe shkencave politike. Ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015) dhe me gradën Master i Filozofisë nga Instituti i Filozofisë i Universitetit të Leuven-it, në Belgjikë (2014)”, thuhen në CV e Gent Cakajt.

Ndoshta zv. ministri i Jashtëm është ngatërruar më datat, por kjo mbetet për t’u sqaruar.

Zëvendësministër me kompetenca të deleguara për ushtrimin e detyrës së Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990. Gent Cakaj është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari.

Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti.

Gent Cakaj mban edhe katër diplomime të tjera në fushat e filozofisë, drejtësisë dhe shkencave politike. Ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015) dhe me gradën Master i Filozofisë nga Instituti i Filozofisë i Universitetit të Leuven-it, në Belgjikë (2014).
Studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).

Gent Cakaj ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë, për të cilat është certifikuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Hungari dhe nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë.

Gjatë viteve të shkollimit, Gent Cakaj është angazhuar si konsulent dhe analist për çështje politike, si dhe është autor e bashkë-autor i disa punimeve në këto fusha, botuar nga shtëpia botuese e Universitetit të Pitsburgut në SHBA (2016) dhe së shpejti edhe nga shtëpia botuese prestigjioze Brill (2019).

Në janar 2018, Gent Cakaj i është bashkuar Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë si këshilltar politik, përgjegjës kryesisht për procesin e integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Në të njëjtën kohë, ai ka shërbyer edhe si Koordinator Kombëtar i Republikës së Shqipërisë për Zonën Rajonale Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Në qershor 2018, Gent Cakaj emërohet Zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punë të Jashtme, përgjegjës për çështjet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe Koordinator Kombëtar i procesit “screening” për hapjen e negociatave të Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne