Astronomët për herë të parë kanë zbuluar praninë e gazit helium në atmosferën e një planeti jashtë sistemit diellor (ekzoplanet).

Ekipi ndërkombëtar i hulumtuesve, duke përdorur spektroskopin me rreze infra të kuqe të Teleskopit Hubble, ka përcaktuar prani të heliumit në atmosferën e ekzoplanetit WASP-107b, 200 vite dritë larg Tokës.

Jessica Spake, studente e doktoraturës në Universitetin e Exeter-it në Britani, e cila kryesoi hulumtimin, theksoi rëndësinë e gjetjes.

“Heliumi është elementi i dytë më i shpeshtë i universit pas hidrogjenit dhe është gjithashtu një nga përbërësit kryesorë të Jupiterit dhe Saturnit në Sistemin Diellor. Megjithatë, në kërkimet e deritanishme, heliumi nuk ishte zbuluar në ekzoplanetë”, tha Spake.

Deri më sot, matjet e bëra me gjatësi vale ultravjollce dhe optike nuk kanë mundësuar depërtimin në komponentët e ekzoplanetëve më të largët, tha Spike, duke theksuar se kjo gjë është bërë e mundur me matjet infra të kuqe.

Duke vënë në dukje se heliumi gjendet në pjesët e sipërme të atmosferës së Tokës, Spake tha se matjet infra të kuqe do të ishin të dobishme në studimin e atmosferës së ekzoplanetëve me madhësinë e Tokës.

WASP-107b është një nga planetët me dendësinë më të ulët në mesin e ekzoplanetëve të zbuluar deri më sot. Planeti, i cili është në përmasa të njëjta me Jupiterin, ka një masë prej vetëm 12 për qind të tij. Meqenëse atmosfera e planetit është shumë e madhe, supozohet se 0,1 deri në 4 për qind e gazrave atmosferike zhduken në hapësirë në çdo një miliard vite.

Rezultatet e hulumtimit janë botuar në revistën “Nature”. (Anadolu Agency AA)

23