Një tjetër pajisje që dyshohet se kryen përgjime ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar. Mbrëmjen e së dielës, autoritetet policore në Portin e Durrësit kanë shoqëruar shtetasin italian G.I, i cili po dilte nga Shqipëria me një pajisje të dyshuar si përgjuese.

Mwsohet se ai ka qëndruar për pak ditë në një zonë të frekuentuar të Durrësit dhe ditën e dielë po largohej nga vendi ynë. Ende nuk është e qartë se si ka mundur të fusë në Shqipëri këtë pajisje, e cila është pikasur vetëm kur ai ka synuar të largohet me traget nga porti i Durrësit drejt vendlindjes.

Burime policore thanë për News24 dhe BalkanWeb se shtetasi italian ka deklaruar që pajisja shërben për matjen e cilësisë së ujit. Por deklarimet e tij sipas hetuesve janë te dyshimta, për shkak se pajisja duket qartë që kryen shërbime të tjera elektronike, të cilat nuk kanë lidhje me cilësinë e ujit.

Shtetasi italian nuk ka pranuar të tregojë se nga kush autoritet publik apo agjenci private është kontraktuar për të ofruar shërbimet e tij. Aktualisht, policia po mban të shoqëruar shtetasin italian, G.I, i cili gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri ka qenë i shoqëruar nga një zonjë, po italiane.
Tashmë pajisja është dërguar për ekspertizë pranë laboratorit shkencor dhe priten rezultatet për të përcaktuar se për çfarë shërben realisht pajisja që u gjet në posedim të italianit./ BW

8