nga Moon of Alabama.
Tiranët e Arabisë Saudite kanë bërë një plan për ta shitur Palestinën. Ata e shohin këtë si gjë të nevojshme për të siguruar mbështetjen amerikane për fushatën fanatike kundër armikut të tyre të njohur, Iranit.

Një memorandum i brendshëm saudit, i zbuluar nga media libaneze Al-Akhbar tregon elementët kryesorë të saj. Al- Akhbar deri tani ka një rekord të shkëlqyeshëm të publikimeve të vërteta.
Sipas memorandumit, sauditët janë të gatshëm të heqin dorë nga e drejta palestineze. Humbet sovraniteti palestinez mbi Jeruzalemin dhe nuk insistohet për statusin e një shteti palestinez. Në këmbim, ata kërkojnë një aleancë amerikane-saudite-izraelite (ushtarake) kundër armikut të tyre të njohur në anën lindore të Gjirit Persik.

Negociatat mbi këtë çështje u mbajtën midis Sauditëve dhe Sionistëve me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Netanjahu dhe asistenti kryesor i Trumpit, Jared Kushner janë personat kryesorë në këto negociata. Kushneri bëri të paktën tre udhëtime në Arabinë Saudite këtë vit për këtë cështje ku i fundit ishte këto kohë.

Operacionet saudite të muajit të fundit kundër kundërshtarëve të brendshëm si dhe kundër Hezbullahut në Liban, duhet të shihen në kontekst si përgatitje të një plani më të madh. Le ti radhisim si më poshtë:

Javën e kaluar, lideri palestinez Mahmoud Abbas mori disa udhëzime nga Rijadi. Atij iu tha të pranonte çfarëdo që do të paraqitej si plan paqeje nga SHBA ose të jepte dorëheqjen. Ai u nxit që ti presë të gjitha lidhjet palestineze me Iranin dhe Hezbollahun:

Paralajmërimet mund të kërcënojnë marrëveshjen e re të palestinezëve e nënshkruar nga Fatah dhe Hamasi i mbështetur nga Irani. Mediat palestineze shfaqën një nivel të ulët uniteti në ditët e fundit duke dalë kundër Iranit.
Në 6 nëntor një letër nga kryeministri izraelit Netanjahu dërguar ambasadave izraelite zbulohet qëllimisht. Në të Netanjahi u kërkon diplomatëve të tij të bëjnë presion për mbështetje të plotë për planet Saudite në Liban, Jemen dhe më gjerë. Në të njëjtën ditë Trump publikon në Twitter:
Donald J. Trump @ RealDonaldTrump – 3:03 – 6 Nën 2017
Kam besim të madh tek Mbreti Selman dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, ata e dinë mirë se çfarë po bëjnë ….
(Mesazhi në Twitter u promovua gjërë nga sauditët.)

Tirani saudit mban peng Kryeministrin e Libanit Saad Haririn, dhe shpall gjendjen kaotike në vend. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është largimi ose izolimi i Hezbollahut, rezistencës shite të Libanit, e cila është e lidhur me Iranin dhe kundërshton planet e Arabisë për Palestinën.

Në 11 nëntor New York Times raporton për hartimin e një “plani paqësor” amerikan, por jep pak detaje. Shansi për një sukses u përshkrua i ulët.

Media majtiste libaneze Al-Akhbar siguron një kopje të planit (në arabisht) në formën e një memorandumi nga ministri i jashtëm saudit Adel Al-Jubeir drejtuar princit klloun Mohammed Bin Salman.
Dokumenti, i cili po shfaqet për herë të parë, dëshmon gjithçka që është zbuluar nga vizita e Presidentit Trump në Arabinë Saudite majin e kaluar në nisjen e përpjekjeve amerikane për të nënshkruar një traktat paqeje midis Arabisë Saudite dhe Izraelit. Kjo u pasua me informacione mbi shkëmbimin e vizitave midis Rijadit dhe Tel Avivit, ku më e rëndësishmja ishte vizita e Princit të Kurorës tek entiteti sionist. Dokumenti zbulon madhësinë e koncesioneve që Rijadi ka ndërmend të paraqesë në kontekstin e likuidimit të çështjes palestineze dhe shqetësimin e saj për të marrë në kthim elementë te fuqishëm kundër Iranit dhe rezistencës të udhëhequr nga Hezbollahu.

Memorandumi i Ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite fillon duke parashtruar perspektivën e saj strategjike:

Të përballet Irani duke i rritur sanksionet mbi raketat balistike dhe duke u rishikuar marrëveshja bërthamore. Mbretëria ka premtuar në marrëveshjen e partneritetit strategjik me Presidentin Donald Trump se çdo përpjekje amerikano-saudite është çelës i suksesit.

Afrimi i Arabisë Saudite me Izraelin përfshin një rrezik për popullin musliman të mbretërisë, sepse cështja palestineze përfaqëson një trashëgimi shpirtërore, historike dhe fetare. Mbretëria nuk do ta ndërmarrë këtë rrezik nëse së paku nuk ndjen një kundërshtim të sinqertë amerikan ndaj Iranit, i cili po destabilizon rajonin duke sponsorizuar terrorizmin, politikat sektare dhe duke ndërhyrë në punët e të tjerëve.

Letra Saudite përshkruan çështjet dhe hapat e procesit drejt një marrëveshjeje me pesë pika:

Së pari: Sauditët kërkojnë një “barazi të marrëdhënieve” midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Në nivelin ushtarak ata kërkojnë që Izraeli të heqë dorë nga armët bërthamore ose Arabisë Saudite ti lejohet të sigurojë një mundësi të tillë.

Së dyti: Në këmbim, Arabia Saudite do të përdorë fuqinë e saj diplomatike dhe ekonomike për të nxitur një “plan paqeje” midis Izraelit, palestinezëve dhe vendeve arabe përgjatë linjave që do të paraqesin Shtetet e Bashkuara. Brenda këtij plani të paqes, sauditët, sipas memorandumit, janë të gatshëm të bëjnë lëshime të jashtëzakonshme:

Qyteti i Jeruzalemit nuk do të bëhet kryeqyteti i një shteti palestinez, por do t’i nënshtrohet një regjimi të veçantë ndërkombëtar i administruar nga Kombet e Bashkuara.
E drejta e kthimit për refugjatët palestinezë, të cilët u përzunë dhunshëm nga cionistët, do ndalet. Refugjatët do të integrohen si qytetarë në ato vende ku aktualisht banojnë.
(Asnjë kërkesë për sovranitet të plotë të një shteti palestinez nuk përmendet.)

Së treti: Pas arritjes së një marrëveshjeje të “parimeve kryesore në zgjidhjen përfundimtare” për Palestinën midis Arabisë Saudite dhe SHBA-së (Izraeli), do kryhet një mbledhje e të gjithë ministrave të jashtëm të rajonit për ta mbështetur këtë. Negociata përfundimtare do ta pasojnë.

Së katërti: Në koordinimin dhe bashkëpunimin me Izraelin, Arabia Saudite do të përdorë fuqinë e saj ekonomike për të bindur publikun arab për planin. Pika e thekson saktë: “Në fillim të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, normalizimi nuk do të jetë i pranueshëm për opinionin publik në botën arabe”. Plani është që në thelb publiku arab te kamuflohet (korruptohet) për pranimin e tij.

Së pesti: Konflikti palestinez largohet nga çështja reale që sunduesit sauditë kanë në rajon pasi tani është cështja e Iranit: “Prandaj, pala saudite dhe izraelite bien dakord për sa vijon:

Kontribut për të kundërshtuar çdo aktivitet që i shërben politikave agresive të Iranit në Lindjen e Mesme. Afërsia e Arabisë Saudite me Izraelin duhet të jetë e akorduar me një kundërshtim të sinqertë amerikan ndaj Iranit.
Rritja e sanksioneve amerikane dhe ndërkombëtare lidhur me raketat balistike iraniane.
Rritja e sanksioneve mbi sponsorizimin e terrorizmit nga Irani në mbarë botën.
Ri-ekzaminimi i grupit (pesë plus një) në marrëveshjen bërthamore me Iranin për të siguruar zbatimin e termave të saj fjalë për fjalë dhe rreptësisht.
Kufizimi i aksesimit të Iranit në asetet e tij të ngrira dhe të shfrytëzohet situata e përkeqësuar ekonomike dhe tregtare në Iran me qëllim për të rritur presionin ndaj regjimit nga brenda vendit.
Bashkëpunim intensiv i inteligjencës në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës të mbështetur nga Irani dhe Hezbollahu”.

Memorandumi është nënshkruar nga Adel al-Jubeir. (Por cilët ishin ‘këshilltarët’ që ja diktuan?)

Plani amerikan për paqen në Palestinë është që të shtyjë palestinezët dhe arabët drejt çdo gjëje që kërkon Izraeli. Sauditët do të pajtohen me këtë por vetëm me disa kushte të vogla, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i ndihmojnë ata që të heqin qafe Iranin. Por kjo është e pamundur. As Izraeli dhe as SHBA nuk do bien dakord për një “barazi të marrëdhënieve” me Arabinë Saudite. Arabisë Saudite i mungojnë të gjitha elementet për t’u bërë një shtet suprem në Lindjen e Mesme. Irani nuk mund të mposhtet.

Irani është në zemrën e zonës shite dhe në zemër të rezistencës ndaj imperializmit “perëndimor”. Popullatat shite dhe sunnite në Lindjen e Mesme janë me madhësi pothuajse të barabartë. Irani ka rreth katër herë numrin e qytetarëve që ka Saudia. Është shumë më i vjetër dhe më i kulturuar sesa Arabia Saudite. Ai ka një popullsi të arsimuar dhe ka kapacitete industriale të zhvilluara mirë. Irani është një komb, dhe jo një konglomerat fisesh të shkretëtirës të cilët janë nën sundimin Saudit. Pozicioni gjeografik dhe burimet e saj e bëjnë atë të pamposhtur.
Për të mposhtur Iranin, sauditët nisën shumë luftëra në Irak, Siri, Jemen dhe tani në Liban. Ata kishin nevojë për ushtarë për ti fituar këto luftëra. Sauditët punësuan dhe dërguan këmbësorinë e vetme të rëndësishme që kishin në dispozicion. Hordhitë e tyre të Al-Kaedës dhe fanatikët e ISIS-it u mundën. Dhjetëra mijëra prej tyre janë vrarë në fushëbetejat e Irakut, Sirisë dhe Jemenit. Pavarësisht fushatës botërore të mobilizimit, gati të gjitha forcat potencialisht të disponueshme u mposhtën nga rezistenca në terren. As shteti kolonial dhe as SHBA nuk ishin të gatshëm të dërgonin ushtarët e tyre në betejën për epërsinë e Arabisë Saudite.
Plani i administratës Trump për të arritur paqen në Lindjen e Mesme ka shpresa të mëdha, por i mungojnë të gjitha detajet e nevojshme. Premtimi Saudit është në mbështetje të planit amerikan nëse administrata Tramp është e gatshme të luftojë kundër rivalit te saj, Iranit. Të dy lidershipët janë të pafat dhe impulsivë dhe planet e tyre kanë pak shanse për një sukses përfundimtar. Ata gjithsesi do të vazhdojnë në të tyren dhe do të krijojnë një sasi të madhe të dëmeve kolaterale. Entiteti sionist nuk ndjen ndonjë presion real për të bërë paqe. Ai tashmë po i zvarrit këmbët në këto plane dhe do përpiqet që ti përdorë ato vetëm për dobinë dhe epërsinë e tij./ Gazeta Impakt

burimi:globalresearch

117