Zbulohet rastësisht enzima “PETase”, shkatërron plastikën dhe lufton ndotjen

Studiues amerikanë dhe britanikë kanë zbuluar rastësisht një enzimë në gjendje të shkatërrojë plastikën, çka mund të kontribuojë në zgjidhjen e problemit botëror lidhur me këtë lloj ndotjeje, sipas një studimi të publikuar të martën.

Më shumë se 8 milionë tonë plastikë derdhen në oqeanet e planetit çdo vit duke rritur shqetësimet mbi helmimin, që shkakton ky nënprodukt i naftës, si dhe mbi efektet që ai ka në lidhje me shëndetin e gjeneratave të ardhshme dhe të mjedisit.

Shumica e këtyre plastikëve mund të rezistojë për qindra vite pavarësisht përpjekjeve për riciklim.

Për këtë arsye, shkencëtarët po përpiqen të gjejnë një mënyrë për t’i eliminuar më mirë.

Shkencëtarët e universitetit britanik të Portsmuthit dhe të laboratorit kombëtar të energjive të rinovueshme të Departamentit amerikan të Energjisë kanë përqendruar përpjekjet e tyre mbi një bakter të zbuluar në Japoni para disa vitesh, që quhet “Ideonella sakaiensis”.

Ajo ushqehet vetëm me një lloji plastiku, polietileni tereftalat (PET), i cili është pjesë përbërëse e shumë shisheve plastike.

Studiuesit japonezë mendojnë se kjo baktere është evoluar kohët e fundit në një qendër riciklimi, sepse plastika është shpikur vetëm në vitet 1940.

Objektivi i ekipit shkencor amerikano-britanik ishte që të kuptonte funksionimin e një prej enzimave të saj, që quhet “PETase”, duke zbuluar strukturën e saj.

Por, sipas përfundimeve të publikuara të martën nga Akademia Amerikane e Shkencave (PNAS), grupi shkencor ka shkuar pak më larg duke krijuar rastësisht një enzimë që është edhe më efikase për të shpërbërë plastikën PET./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne