Bizneset italiane janë tërhequr drejt Shqipërisë si me magnet, si rrjedhojë e afërsisë, kostove të lira të punës, jetesës së lirë dhe njohjes së gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë.
Por shumë subjekte italiane rezultojnë që nuk kryejnë asnjë aktivitet në Shqipëri.
“Monitor” ka zbuluar skemën e evazionit, me faturime fiktive, me “kështjellat e letrës”, ose “kutitë boshe” që përdorin sipërmarrjet italiane për të shmangur taksat në vendin mëmë

 

Nga Ledina Loga

 

“Ro.Ma Consulting”, me objekt aktivitet në fushën e këshillimeve financiare, të biznesit dhe të këshillimit ligjor, u themelua në gusht të 2015-s në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga ortakë italianë. Subjekti kaloi në listën e bizneseve pasive, të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke qenë se në 12 muaj nuk kishte dorëzuar asnjë deklaratë tatimore.

Megjithëse objekti i aktivitetit i një tjetër shoqërie italiane, “Panfido Albania” i tejkalon dy faqe me përshkrimin e aktivitetit në ekstraktin e dorëzuar në QKB, ajo rezulton se nuk ka kryer asnjë ditë punë në Shqipëri. Kompania thuhet se do të ofrojë nga shërbimet portuale, te transporti i mallrave dhe i njerëzve, e deri te prodhimi dhe nxjerrja e naftës. Edhe ky subjekt kaloi në listën e subjekteve pasive të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për të njëjtën arsye me kompaninë e mësipërme të konsulencës financiare.

Në të njëjtën linjë me dy kompanitë e mësipërme, ku përshkrimi i aktivitetit dhe arsyet pse janë çelur në Shqipëri vishen me mister, është dhe kompania “QITALY”. “Ushtrimi i çdo veprimtarie apo aktiviteti, i cili nuk ndalohet me ligj”, shkruhet në hapësirën përshkruese të këtij subjekti, me administratorë dhe ortakë italianë. Kjo shoqëri e regjistruar në datën 1 janar 2015 pushoi së qenë aktive në fillimin e vitit të shkuar, me vendim asambleje, ndërkohë që ka depozituar vetëm pasqyrat financiare për 2015-n me një aktivitet që mbetet enigmë.
Në fund të vitit 2016, sipas INSTAT, në Shqipëri kishte 2661 sipërmarrje italiane, ose me kapital shqiptaro-italian, duke u renditur të parët, me pothuajse gjysmën e numrit të sipërmarrjeve të huaja në vend.

Por, shumë prej tyre po rezultojnë që nuk kryejnë asnjë aktivitet. Ky fakt u konstatua fillimisht nga “Monitor” në shkurt të këtij viti, ku një sondazh me një kampion prej 300 biznesesh që kishin kaluar në status pasiv gjeti se 20% e tyre kishin pronësi italiane, të cilat jo vetëm që nuk po investonin, por po hidhnin pikëpyetje të mëdha për arsyet e regjistrimit në Shqipëri. Sipas ekstraktit historik, të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pjesa më e madhe e këtyre subjekteve nuk kryenin asnjë aktivitet. Për shkak të mungesës së deklarimeve, tatimet i kanë kaluar në regjistrin e subjekteve pasive. Sipas ligjit, bizneset që nuk kryejnë aktivitet për 12 muaj radhazi kalojnë në regjistrin pasiv. Në përgjithësi, fusha e veprimtarisë së tyre ishte në konsulencë financiare apo ligjore.
Këto biznese italiane që, nuk kryejnë asnjë aktivitet apo nuk shprehin qartë se me çfarë do të operojë biznesi i tyre, si aktiviteti i mësipërm, tashmë po listohen edhe si debitorë.

“Monitor”, në fund të muajit gusht, zhvilloi një tjetër sondazh me subjektet të cilat ishin debitorë te Tatimet (sipas listave të publikuara nga kjo e fundit), ku një përqindje e konsiderueshme ishin sërish subjekte të shtetasve italianë.
Gjatë sondazhit me subjektet, të cilët kishin kaluar në listën e debitorëve ishte edhe shoqëria e MEC Oil and Refining Co. Të kontaktuar nga “Monitor” në lidhje me arsyet se pse nuk i kanë shlyer detyrimet, u përgjigj ekonomistja. Ajo tha se nuk ishte më në dijeni se çfarë bëhej me ortakët italianë që kishin themeluar shoqërinë në nëntor të 2014-s dhe se i kishte ndihmuar që të themelonin shoqërinë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në pjesën më të madhe të rasteve të konstatuara, në të dhënat e deklaruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, këto subjekte kanë lënë si numër kontakti studio ligjore, të cilat asistojnë bizneset me procedurat e çeljes së aktivitetit.
Pas përfundimit të procedurave, personat e kontaktit në pjesën më të madhe të rasteve deklaronin se kishin humbur kontaktet me subjektet dhe se nuk dihej më se ku ishin apo nëse vërtet operonin në Shqipëri.

Vetëm nga dy sondazhet e zhvilluara nga “Monitor”, në harkun kohor të gjashtë muajve, janë evidentuar mbi 80 subjekte, të themeluara nga shoqëri apo ortakë italianë, të cilat ose kanë kaluar në regjistrin e subjekteve pasive nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ose i janë shtuar listës së subjekteve debitore, kryesisht për mospërmbushjen e detyrimeve ndaj Tatimeve.
Burime zyrtare nga Tatimet thanë se e kishin të pamundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikonin listën e plotë dhe numrin e subjekteve italiane që kishin kaluar në status pasiv vitin e fundit.

Jo zyrtarisht, mësohet se numri i madh i subjekteve italiane që regjistrohen në QKB dhe nuk kryejnë asnjë aktivitet, ka rënë në sy të Tatimeve dhe disa subjekte po ndiqen nga Tatimet, por gjithsesi nuk mund të nxirret asnjë konkluzion pa vëzhguar aktivitetin e tyre, apo transaksionet bankare.
Kontabilistët hedhin dyshime se një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbejnë për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj. Duke qenë se norma e tatimfitimit në vendin fqinj është e lartë, ato rrisin shpenzimet artificialisht, duke u faturuar nga subjektet që kanë hapur në Shqipëri.

 

Skema e faturimit fiktiv

Occari & Partners, zyrë konsulence dhe asistence në fushën fiskale, operon në Shqipëri që nga viti 2013. Diego Occari, docent ekonomie, pohoi për Monitor se, si rrjedhojë e shtimit të kompanive nga vendi fqinjë që vijnë në Shqipëri, ka një tendencë në rritje të kërkesës për mbajtjen e kontabilitetit të subjekteve italiane në Shqipëri. Por, krahas subjekteve që duan realisht të hapin aktivitet dhe të kryejnë biznes, ka dhe nga ata që vijnë në Shqipëri thjesht për ta pasur si një bazë për lëshimin e fakturave fiktive. “Ne si zyrë kontabiliteti marrim çdo muaj dy deri në tre kërkesa të tilla, të cilat i kemi refuzuar kategorikisht”, thotë z. Occari.
Ai pranon të tregojë skemën e faturimit fiktiv, që përdorin subjektet italiane.

Faturimi fiktiv është një fenomen më pak i njohur publikisht, por fatkeqësisht i pranishëm nën rrogoz, – tregon Diego Occari.
Në Itali, faturat mund të përgatiten lehtësisht në Word apo dhe në Excel dhe janë zyrtare. Shumë subjekte lëshojnë tipe të tilla faturash fiktive, duke përdorur numrin NIPT në Shqipëri. Ky fenomen njihet si “Esterovestizione” dhe ka lindur së fundmi në Itali, ku sipërmarrje të ndryshme, kërkojnë që të vendosen apo të çelin një NIPT të dytë në një nga vendet të cilësuara si të privilegjuara nga ana fiskale.
Dy janë arsyet kryesore për çeljen e një aktiviteti në një vend më të favorshëm për sa u përket taksave. Së pari, bizneset italiane faturojnë një pjesë të shërbimeve nga biznesi në Shqipëri, ndërkohë që aktivitetin e kanë kryer në Itali (justifikojnë të ardhura me aktivitetin në Shqipëri). Së dyti, me anë të bizneseve në Shqipëri, ato rrisin artificialisht shpenzimet duke faturuar bizneset jashtë Italisë, në këtë mënyrë ulin në mënyrë fiktive tatimin para tatimit në vendin e tyre.

Megjithëse këto biznese figurojnë me aktivitet zero pranë organeve tatimore shqiptare, në Itali ato rezultojnë se “operojnë” në Shqipëri. Por, identifikimi i aktivitetit të tyre bëhet i vështirë nga fakti se deri më sot, ende nuk ka kryqëzim të faturave midis dy vendeve.
“Për më tepër, formatin e faturës shqiptare, italianët pothuajse nuk e njohin fare dhe ne jemi të detyruar që çdo faturë nga blloku tatimor ta shoqërojmë me një faturë në italisht apo në anglisht”.

“Mendoje pak sa e thjeshtë është deri në këto momente që ta bësh këtë”, – tregon Occari.
Megjithatë sipas kontabilistëve, skema e faturimit fiktiv do të jetë lehtë e evidentuar pas 1 janarit të vitit që do të vijë, kur do të bëhet i mundur kryqëzimi i faturave.

Ligji i Esterovestizione

Problemet e regjistrimit të biznesit në një shtet tjetër ndërkohë që kompania operon në Itali
Çfarë është esterovestizione??

Estervestizione është një ligj italian, i cili përcakton se kur një kompani jashtë territorit italian kontrollohet nga një taksapagues rezident në Itali, trajtohet si një zgjerim i aseteve personale dhe për këtë bëhet subjekt i sistemit tatimor italian dhe duhet të tatohet edhe një herë në Itali, në përputhje me ligjet tatimore italiane për taksimin e korporatave. Ata kërkojnë që të përcaktohet saktë “vendi i menaxhimit” i kompanisë, pra nga ku merren vendimet për kompaninë dhe nëse është rezident i taksave italiane duhet që ligji i esterovestizione të aplikohet.
Autoritetet kërkojnë përmbajtjen dhe jo pamjen, kështu që fakti që zyra e regjistruar është jashtë Italisë nuk do të konsiderohet relevante kur është e qartë se vendimet, në fakt, janë marrë nga personi i cili është rezident në Itali.
Nëse individi zotëron 100% të aksioneve dhe është drejtor i vetëm i një kompanie, atëherë kjo ka të gjitha përgatitjet e një rasti tipik për autoritetet që të argumentojnë se kompania duhet të trajtohet sikur të ishte në Itali.

TaksaSa janë shanset për t’u zbuluar?

Kjo me siguri përfaqëson një fushë shumë më të ndërlikuar të shkëmbimit të informacionit krahasuar me çfarë kemi parë në vitet e fundit për një person fizik. Individët, pavarësisht synimeve dhe qëllimeve, tashmë janë në qendër të vëmendjes dhe informacioni financiar po shpërndahet në të gjithë shtetet anëtare të BE-së, por edhe në vendet jo anëtare.

Natyrisht, ndarja e informacionit mbi aksionerët themelorë në një kompani me përgjegjësi të kufizuar është shumë më e komplikuar. Megjithatë, BE ka në plan që të veprojë në një të ardhme më të afërt. Për sa i përket Shqipërisë, sipas ekspertëve të tregut do të fillojë kryqëzimi i faturave pas datës 1 të vitit që do të vijë.

Skema të tjera

Elona Lika, kontabiliste në profesion, tregoi për “Monitor” disa nga praktikat më të shpeshta që përdorin këto firma, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbejnë për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj. Duke qenë se norma e tatimfitimit në vendin fqinj është e lartë, ato rrisin shpenzimet artificialisht, duke u faturuar nga subjektet që kanë hapur në Shqipëri.

Skemë tjetër e paraqitur nga ekspertë të fushës, të cilët kërkuan që të mbeten anonimë, është sigurimi i dokumenteve justifikues të rremë, si fatura hotelesh, bileta udhëtimesh etj. Një individ me pagë të lartë në Itali vjen në Shqipëri dhe çel një NIPT si person fizik, dhe duke përfituar nga normat e ulëta, ai i faturon shërbime biznesi në Itali. Nga rezultatet e sondazhit, pjesa dërrmuese e këtyre subjekteve që kishin kaluar në pasiv ishin në fushën e konsulencës financiare, fiskale dhe juridike.

Një nga skemat e zbardhura është dhe blerja e aktiveve, p.sh., automjeteve, të cilat individët italianë, pasi nuk arrijnë t’i justifikojnë këto blerje me të ardhurat në Itali, i deklarojnë të blera me të ardhurat e gjeneruara nga bizneset në Shqipëri.

 

INTERVISTA

“Realiteti i kutive boshe”

Flet Nevjana Muhaj, Occari & Partners

Arsyet që shtyjnë bizneset italiane drejt të Shqipërisë janë të ndryshme, ku pjesa më e madhe tërhiqen nga kostot e ulëta, legjislacioni i favorshëm, taksimi i ulët, por për fat të keq edhe nga arsye më pak të pranueshme duke e menduar vendin si parajsë fiskale, thotë Nevjana Muhaj, nga Occari & Partners.

Cilat janë disa prej arsyeve që bizneset shqiptare po tërhiqen drejt Shqipërisë?

Që vendi ynë është një nga alternativat më atraktive për të bërë biznes në sytë e investitorëve italianë, ky është një fakt që mund ta konfirmoj me bindje të plotë. Këtë e dëshmojnë telefonatat e shumta që ne si studio marrim në mënyrë të vazhdueshme, ku shtetas apo shoqëri tregtare italiane na kërkojnë informacion dhe asistencë për implementimin e një biznesi në Shqipëri.

Arsyet janë të ndryshme. Pjesa më e madhe janë të tërhequra nga kosto e ulët e punës në vendin tonë, legjislacioni më i favorshëm dhe fleksibël veçanërisht në fushën e së drejtës së punës, sepse, sipas natyrisht opinionit të përgjithshëm që hasim prej tyre, Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë është shumë më pak i komplikuar dhe më i favorshëm. Natyra e deklarimeve të detyrueshme po ashtu është më pak e komplikuar, të paktën në lidhje me të drejtën e punës. Një tjetër element është natyrisht taksimi më i ulët i cili i krahasuar me nivelin italian është ndjeshëm më i reduktuar, por edhe fakti që kuadri fiskal në përgjithësi është më i thjeshtëzuar dhe sasia e deklarimeve për t’u paraqitur ndjeshëm më e ulët. Një tjetër fakt i rëndësishëm që vetë italianët nuk harrojnë asnjëherë ta përmendin është përhapja e madhe e gjuhës italiane në Shqipëri, por edhe mosha relativisht e re e shqiptarëve.

Këto janë përgjithësisht arsyet bazë dhe të logjikshme, ndërkohë që në punën tonë hasim shpesh edhe arsye më pak të pranueshme. Duke e menduar vendin tonë thuajse si një parajsë fiskale, veçanërisht individët mendojnë se duke ndërtuar realitete ekonomike në formën e “kutive boshe” në Shqipëri, mund të shmangim presionin fiskal në vendin e tyre. Shpeshherë dëgjojmë të na bëhen pyetje të tipit: “Po sikur të hap një NIPT (partita iva) në Shqipëri dhe të punoj nga shtëpia, duke faturuar në Itali është e mundur”? Natyrisht që jo, sepse jo vetëm që nuk është e mundur sepse do të ishte një formë mashtrimi fiskal që në shtetin fqinj njihet si “esterovestizione”. E thënë në fjalë të thjeshta do të ishte një telash i madh në vendin ku ata duan të operojnë realisht.

Ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me padijen e pjesës më të madhe të individëve por ndonjëherë edhe shoqërive tregtare mbi konceptin e “rezidencës fiskale”, përcaktimi i së cilës lidhet me tre elemente: selinë ligjore, selinë administrative ose “placeofmanagement” dhe objektit kryesor të aktivitetit. Pra për ta ilustruar sa më qartë bien pre e fenomenit të “esterovestizione” ato subjekte që vërtet kanë selinë ligjore në Shqipëri, por administrohen nga persona që rezidencën e tyre fizike ose qendrën e interesave të tyre jetësore e kanë në shtetin fqinj dhe që për më tepër, dhe ndoshta në këtë rast, më e rëndësishmja objektin e aktivitetit apo vendin ku gjenerojnë të ardhura e kanë në vendin fqinj.
Mosnjohja e këtyre fakteve shtyn disa prej individëve apo shoqërive italiane të ndërtojnë në vendin tonë këto “kështjella letre” që realisht nuk arrijnë të qëndrojnë as në këmbë.
Megjithatë, personalisht i qëndroj fort bindjes se është faktori punë dhe ai fiskal atraksioni më i madh në sytë e investitorëve italianë.

A ka ndonjë favorizim nga legjislacioni shqiptar?

Ndoshta në letër mund të ketë, por ajo që në realitetin e përditshëm hasin është se nuk ka ndonjë favorizim të veçantë, pasi bizneset e huaja u nënshtrohen kushteve të njëjta me çdo biznes shqiptar.

Madje shpeshherë, veçanërisht në procesin e regjistrimit, procedurat bëhen shumë më të komplikuara në rastin e bizneseve të huaja.
Vërtet ka disa lehtësi në aspektin doganor, sidomos për ata që operojnë në fushën e fasonerisë, por kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me faktin që janë shoqëri me kapital të huaj, pasi këto lehtësi i gëzojnë të gjitha bizneset që operojnë në këtë fushë, pavarësisht pronësisë së tyre. E parë në një prizëm tjetër, kjo realisht është një gjë pozitive, pasi ligji është i barabartë për të gjithë dhe të qenët investitor i huaj, realisht nuk të bën të jesh një hap para.

Madje nëse do t’i referohemi kuadrit fiskal, shoqëritë italiane që operojnë në Shqipëri, gjithmonë më rrallë përfitojnë nga struktura fiskale e tatimfitimit, pasi thuajse të gjitha shoqëritë serioze italiane që operojnë në vendin tonë, përfshihen në fashën e bizneseve të mëdha, minimalisht pas një viti aktivitet. Natyrisht ky është një afirmim që bëj duke iu referuar bizneseve që unë administroj nga pikëpamja e konsulencës financiare, të cilat kanë aktivitete serioze, ku numri i punëtorëve nuk është më i vogël se 5 asnjëherë dhe niveli i pagave është analog me ato mesatare reale.

Cilat janë disa prej përgjegjësive që kanë studio ligjore apo zyrat e kontabilitetit që bëjnë çeljet e bizneseve këtu?

Realisht studiot ligjore apo zyrat e kontabilitetit nuk mbajnë asnjë përgjegjësi në çeljet e bizneseve. Procedurat e regjistrimit të një biznesi janë kaq të thjeshtuara saqë shpeshherë nuk është as e nevojshme ndërhyrja e tyre në regjistrimin e një biznesi. Nëse një studio ligjore apo zyrë kontabiliteti asiston një biznes në regjistrimin e tij, roli i tij mund të limitohet vetëm në hartimin e akteve të shoqërisë, si statuti apo akti i themelimit ose në këshillimin mbi disa përgjegjësi tatimore që duhen marrë përsipër. Nuk janë të pakta rastet kur studiot ligjore apo zyra e kontabilitetit, pas një regjistrimi fillestar, nuk kanë më asnjë dijeni mbi ata që do të ishin klientët e tyre potencialë.

Nga ana jonë, ne si studio, pavarësisht faktit që nuk do të kishim asnjë përgjegjësi ligjore, nëse do të asistonim në hapjen e bizneseve, që më pas për një arsye apo një tjetër nuk kryejnë aktivitet, mundohemi të bëjmë një “hetim” paraprak të klientëve. Organizohen disa takime me subjektet, ku i kërkohet një detajim i asaj që do të jetë aktiviteti i tyre në vendin tonë. Paraprakisht ua organizojmë punën në mënyrë të tillë që në momentin që do të bëjnë regjistrimin, të kenë gati ambientin ku do të zhvillohet aktiviteti, punonjësit që do të punësohen, planin e veprimtarisë etj.
Kërkesat që mund të ngjallin qoftë edhe dyshimin më të vogël të “kutive boshe” shkartohen menjëherë dhe nuk ndiqen fare prej nesh.

Sipas një sondazhi të kryer nga “Monitor”, për bizneset që kishin kaluar në statusin pasiv, rreth 20% e tyre ishin sipërmarrje italiane, si e shpjegoni ju këtë fakt?

Një nga arsyet kryesore pse shumë biznese hapen dhe më pas nuk ushtrojnë asnjë ditë aktivitet është fakti që në plan të parë, Shqipëria etiketohet si një parajsë ku gjërat ndonjëherë bëhen sa hap e mbyll sytë.
Në fakt nuk është kështu. Nuk ka kapanone të mira dhe funksionale me 1 euro/m². Minimumi taksa të përfshira flasim për 2.3 euro/m², por po themi minimumi. Burokracitë janë pafund, sepse shumë aktivitete nuk kanë nevojë thjesht për një regjistrim fillestar, por edhe për plot autorizime të tjera.

Krahu ynë i punës në disa tipe aktivitetesh nuk është aq i specializuar sa pretendon dhe kostoja e ulët nuk e justifikon mungesën e rezultateve.
Me pak fjalë ka shumë nga ata biznese që me gjithë dëshirën e mirë për të punuar nuk ia dalin të ecin përpara.
Një tjetër motiv është edhe fakti që shpeshherë vijnë në vendin tonë për të kryer disa lloj aktivitetesh, që ne nuk i përqafojmë siç duhet pak për çështje mentaliteti apo pak sepse kemi shumë halle të tjera për të menduar për ato gjëra që i cilësojmë si jashtë mundësive tona.

Kutitë boshe

Duke e menduar vendin tonë thuajse si një parajsë fiskale, veçanërisht individët mendojnë se duke ndërtuar realitete ekonomike në formën e “kutive boshe” në Shqipëri, mund të shmangim presionin fiskal në vendin e tyre. Shpeshherë dëgjojmë të na bëhen pyetje të tipit: “Po sikur të hap një NIPT (partita iva) në Shqipëri dhe të punoj nga shtëpia, duke faturuar në Itali është e mundur”? Natyrisht që jo, sepse jo vetëm që nuk është e mundur sepse do të ishte një formë mashtrimi fiskal që në shtetin fqinj njihet si “esterovestizione”. E thënë në fjalë të thjeshta do të ishte një telash i madh në vendin ku ata duan të operojnë realisht.

Esterovestizione 4Bizneset italiane, shpesh të pasuksesshme

Sipas Z. Occari, bizneset italiane që vijnë në Shqipëri, jo gjithmonë kanë sukses dhe kjo kryesisht vjen prej mungesës së kualifikimit të forcës punëtore.

Diego Occari thotë se gjatë përvojës në Shqipëri ka vënë re se edhe pse ka shumë të rinj me arsim të lartë në vend, sidomos të diplomuar në ekonomi, inxhinieri dhe informatikë, shumë pak janë të edukuar me kulturën e punës.

Së dyti, zoti Occari, i cili ka asistuar shumë biznese italiane që të çelen në vend, tha se sipërmarrësit italianë nuk vijnë më të interesohen për aktivitetin, pasi bëjnë themelimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërkohë që Tatimet kanë filluar që të gjenerojnë detyrimet për këto subjekte. Detyrimet që iu krijohen bëhen shkak që këto subjekte të mos vijnë as në një moment të dytë kur janë më të organizuar. Për të rregulluar këtë, zoti Occari mendon se do të ishte mirë që të bëhet një rregullim i ligjit fiskal që bizneseve me zero aktivitet të mos iu gjenerohen detyrime.

 

monitor 799.indd

19