Ceremonia e varrosjes së myslimanëve që u vranë në sulmet e fundit terroriste në dy xhami të Zelandës së Re filloi me funeralet e dy anëtarëve të një familje siriane, të cilët kishin ikur nga lufta dhe ishin strehuar në qytetin Christchurch.

Të mërkurën, qindra person u mblodhën në qendrën islame Linwood në Christchurch, një nga dy vendet që u sulmuan javën e kaluar, për ceremoninë e funeralit të refugjatit sirian Khalid Mustafa dhe djalit të tij 16-vjeçar Hamza.

Babai dhe djali ishin midis 50 personave që u vranë të premten nga terroristi australian Brenton Tarrant, i cili hapi zjarr kundër besimtarëve gjatë namazit të së premtes në dy xhami në Christchurch.

Djali më i vogël i Mustafës, Zaidi, 13 vjeç, u plagos gjithashtu nga të shtënat, por mbijetoi.

Trupat e mbështjellë në pëlhura të bardha u vendosën për t’u prehur në varrezat Memorial Park të Christchurch.

Ceremonia u mbajt në praninë e policisë së armatosur, të cilët rrinin te armatosur në gadishmëri dhe me lule të lidhura nëpër armët e tyre.

Familjarët presin me ankth trupat e tjerë

Dhjetëra varre janë bërë gati në varrezat e qytetit për familjet që do të varrosin të dashurit e tyre pas marrjes së trupave.

Tradita islame kërkon që një person i vdekur të varroset sa më shpejt që të jetë e mundur pas vdekjes.

Shtatë ditë më vonë, vetëm gjashtë nga viktimat u janë kthyer familjeve.

Policia thotë se po punojnë me familjet për të identifikuar trupat dhe për t’i kthyer ata për varrim.

Sipas zyrtarit të policisë Mike Bush, 21 viktima u identifikuan të martën.

Sipas kryeministres Jacnda Ardern, ka viktima që kanë lidhje me Turqinë, Pakistanin, Bangladeshin, Indonezinë, Arabinë Saudite dhe Malajzinë.

Kryeministrja Ardern, e cila vlerësohet gjerësisht për reagimin e saj ndaj tragjedisë, njoftoi se të premten më 22 mars, një javë nga sulmi terrorist, se do ta mbahen dy minuta heshtje.

Ditën në të cilën muslimanët do të mblidhen për namaz, lutjet e muslimanëve do të transmetohen edhe në televizionin dhe radion kombëtare.

“Ka një dëshirë për të treguar mbështetje ndaj komunitetit musliman kur të mblidhen në xhami të premten”, tha kryeministrja më e re femër në botë, e cila i ka qëndruar pranë popullit të saj që nga koha e masakrës.

37 vjecarja Ardern ka impresionuar shumë njerëz, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. E veshur me mbulesën e gruas muslimane, ajo u takua të shtunën personalisht me familjet e lënduara dhe të dëshpëruara të viktimave.

Të mërkurën, ajo gjithashtu vizitoi shkollën e lartë Cashmere, e cila humbi tre studentë në atë sulm.

Ajo i kërkoi studentëve që të ndihmonin vendin per largimin e racizmit dhe iu lut atyre që “të mos e përmendnin kurrë emrin e terroristit … dhe të mos e kujtonin atë asnjeherë për atë që bëri”.

Ajo gjithashtu u zotua që të mos ia përmendë asnjëherë emrin personit të armatosur me qëllimin për të mos ia rritur “famën”.

Ardern është vlerësuar gjithashtu edhe për ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për të shtrënguar ligjet mbi përdorimin e armëve për ta bërë Zelandën e Re një “vend më të sigurt”. Ajo tha të hënën se anëtarët e kabinetit të saj kishin rënë dakord “në parim” për të reformuar ligjet e armëve, të cilat ajo tha se do të shpalleshin brenda disa ditësh.

Terroristi i akuzuar për masakrën pritet që të dalë përsëri në 5 prill para gjykatës në Christchurch. Policia thotë se ka të ngjarë të përballet edhe me akuza të tjera.

Sipas kryeministres, personi i armatosur kishte udhëtuar më parë nëpër botë dhe nuk kishte qenë rezident i përhershëm. Ajo ka dhënë siguri se ai do të “përballet me forcën e plotë të ligjit”.

Një zyrtar izraelit tha të martën se Tarrant kishte kryer një vizitë nëntëditore në Izrael në tetor 2016./press/Gazeta Impakt

10