Zëri i Amerikës: Pse po ikin drejtorët kur DH Albania ishte “në rregull”?

Drejtuesit e dy institucioneve në Shqipëri, pranë të cilave kompania DH Albania kishte mundur të fitonte dy gara publike përmes dokumenteve të falsifikuara, janë larguar nga detyra.

Dy ditë më parë, administratori i Operatorit të Transmetimit, Klodian Gradeci dha dorëheqjen “për arsye personale”.

Një akt që duket më shumë i detyruar, duke qenë se nuk i ka gjetur aspak në befasi autoritetet të cilat po brenda ditës së djeshme, emëruan zëvendësin e tij. DH Albania kishte fituar pranë OST garën për ndërtimin e linjës Burrel-Peshkopi për një vlerë prej 12 milion eurosh, pothuajse aq sa ishte dhe fondi limit i përcaktuar.

Dje ka qenë radha e Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Afrim Qendro, i cili është shkarkuar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Sonila Qato ish-ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Pranë ARRSH-së, DH Albania fitoi garën për ndërtimin e një pjesë të Unazës së Re, për 18 milion euro, edhe në këtë rast thuajse sa ishte fondi limit, duke qenë e vetme në konkurrim.

Pasi u bë publik fakti se DH Albania kishte falsifikuar dokumentat, të dy garat u anuluan, dhe u rihapën nga e para. Për ndërtimin në Unazën e Re, ndryshe nga hera e parë u paraqitën 5 kompani, me oferta, ku më e ulëta ishte afro 14.2 milion euro, ose 3.8 milion euro më pak se ajo me të cilën fitoi DH Albania, duke forcuar dyshimet mbi mënyrën e zhvillimit të garës së parë.

Autoritetet shqiptare janë mbrojtur duke deklaruar se formalisht DH Albania ishte paraqitur në rregull me dokumentet dhe se ata nuk kishin pasur asnjë arsye për të dyshuar e për pasojë për të bërë verifikime. Por lëvizjet e dy ditëve të fundit në drejtimin e dy institucioneve pranë të cilave kompania fitoi tenderat, nuk shkojnë në linjë me këtë qëndrim, ndonëse zyrtarisht ato nuk janë lidhur me skandalin e mashtrimit.

DH Albania u regjistrua në Shqipëri në korrik të vitit të kaluar si degë e shoqërisë amerikane Dunëell Haberman. Përfaqësuesi i saj zyrtar ishte një 26 vjeçar i panjohur, Avdjol Dobi, i cili arriti që në pak muaj t’i siguronte kompanisë punime publike për 30 milion euro. Por në të vërtetë, një seri faktesh, ngritën dyshime të forta se pas DH Albania qëndronte biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj i cili zotëron kompaninë e ndërtimit “Gener 2”.

Pikërisht dy ditë më parë, ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi ndërprerjen e procedurës së Partneritetit Publik Privat (PPP) për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar me kompaninë “Gener 2”, me të cilën qeveria ishte drejt përfundimit të bisedimeve për të mbyllur kontratën, e cila parashikonte ndërtimin e rrugës për 225 milion euro.

Ministrja Balluku tha se qeveria “nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i këtij aksi shumë të rëndësishëm” dhe për vendimin e ndërprerjes së procedurës me GENER 2 dha një tjetër arsye. “Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e arsimit”, deklaroi zonja Balluku

Por formula e PPP-ve parashikon që ndërtimi i rrugës të kryhet nga fondet private, ndërsa qeveria ta shlyejë pagesën me këste për një periudhë 13 vjeçare, dhe në raste të ngjashme, kësti i pare, përgjithësisht, parashikohet të paguhet pas kryerjes të së paktën 25 për qind të punimeve. Dhe në fakt në buxhetin e vitit 2019, nuk është parashikuar asnjë fond për pagesën qoftë dhe të një kësti të vetëm për projektin e rrugës Thumanë-Kashar që do të duhej të ndërtohej nga “Gener 2”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne