Zgjedhje në Ramazan, bekim apo…

Shkruan: Abdi Baleta 

Kënaqësitë shpirtërore që sjell Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit tek besimtarët myslimanë për shqiptarët këtë vit janë shoqëruar me përjetime emocionesh të forta politike, kjo për shkak të tri fushatave zgjedhore. Zgjedhjet e parakohshme, shumë të tensionuara, të dhjetorit 2016 në FYROM, u mbyllën në mënyrën më të keqe, më 27 prill 2017 pikërisht natën kur një shqiptar për herë të parë duhej të bëhej kryetar i parlamentit në Shkup. Ato zgjedhje ende vazhdojnë të prodhojnë  situata problematike e pasiguri për shqiptarët. Si papritmas e pa shumë zhurmë u shpallën dhe përfunduan më 11 qershor 2017 zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, pas një “krizë qeveritare” që u nxit nga vetë partia kryesore në koalicionin qeverisës me LDK-në. Në Shqipëri u krijua në publik një atmosferë e rëndë politike dhe një tension i lartë nervor rreth çështjes nëse do të mbaheshin apo jo zgjedhjet parlamentare të radhës në ditën e shpallur, sipas kushtetutës apo do të shtyheshin, ndoshta të mos bëheshin, dhe ngërçi pushtetor të mbetej për t’u kapërcyer me metoda populiste “revolucionare” të predikuara nga “lëvizja çadriste” e Partisë Demokratike. Nga çasti që përfundohet ky shkrim mbetet të presim pesë ditë për të parë si do të përmbyllet “beteja zgjedhore”, më 25 qershor 2017, ditën e gëzueshme të Fitër Bajramit.

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet më të mira shqiptare                             

Të gjithë shqiptarët duhet të ndjejnë lehtësim e kënaqësi për përfundimin e zgjedhjeve në Kosovë, ku për shumë kohë atje ka pasur përplasje e tensione të larta politike. Parlamenti hynte shpesh në ngërç, shndërrohej në sallë përleshjesh të ashpra me fjalë dhe me veprime të forta protestuese, që pasoheshin nga ndërhyrje policore, ndëshkime e burgosje deputetësh. Por, zgjedhjet e jashtëzakonshme u bënë me përgjegjësi e pjekuri të lartë, pas një fushate të shkurtër e të qetë, jo si fushatat e grindura në Shqipëri. Ndjen kënaqësi kur dëgjon vlerësimet e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës se zgjedhjet ishin më të mirat që janë organizuar ndonjëherë në Kosovë. Edhe herë të tjera politika dhe elektorati kosovar kanë treguar aftësi të përpunojnë e zbatojnë një model shqiptar më serioz të mbajtjes së zgjedhjeve. Shpejtësia me të cilën u bënë të njohura rezultatet e votimit është gjithashtu për t’u lavdëruar. Mbi të gjitha duhet vlerësuar serioziteti i gjithë garuesve për t’i njohur rezultatet pa kontestime, gjë që në Shqipëri nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Por, më të rëndësishme janë rrjedhojat politike të këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Ato e përcaktuan më qartë strukturën e pluralizmit politik-partiak, vendin dhe peshën e forcave politike në Kosovë. Perustia e tanishme partiake ka gjasa të jetë për mjaft kohë mbështetësja e të gjithë jetës shtetërore e politike të Kosovës. Secila nga këmbët partiake të kësaj “perustie” ka formuar fizionominë e stilin e saj të veçantë të punës, vepron në një sfond e mjedis të vetin të dallueshëm shoqëror, ka objektivat e saj të dallueshme programore, strategjinë e taktikat e veta. Opinioni publik nuk e ngatërron njërën me tjetrën. Fitimtarë dolën koalicioni i partive të krijuara mbi bazën e UÇK-së (luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës); Lëvizja “Vetëvendosje”, forca më e re e dinamike në skenën politike (për mbrojtjen e dinjitetit e të sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe për bashkimin kombëtar shqiptar); LDK-ja, si forca e parë partiake në shërbim të idesë për pavarësinë e Kosovës në rrugë paqësore. Zgjedhjet e 11 qershorit treguan që roli i LDK-së,sikurse pritej, është zbehur, ndonëse ajo ruan peshën në mjediset tradicionale politike dhe intelektuale që e kanë mbështetur qysh nga fillimi. Roli i partive të koalicionit “të partive të komandantëve të luftës së armatosur” nuk është më mbizotërues e i pasfidueshëm në atë shkallë që ishte. Zhvillimi më i ri politik nga këto zgjedhje është fitorja e konsideruar me të drejtë e jashtëzakonshme e Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila shpreh më qartë filozofinë politike dhe mbron më hapur strategjinë kombëtare e shoqërore që i duhet Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar në vitet e ardhshme në luftën për demokraci shoqërore dhe veçanërisht për zgjidhjen e plotë të çështjes kombëtare shqiptare të mbetur pezull.

Prandaj duhet përshëndetur elektorati kosovar që në votimet e kësaj radhe e ka dyfishuar numrin e votave për Vetëvendosjen, duke e bërë atë praktikisht forcën politike më të votuar në Kosovë. Kjo dukuri vërteton se në elektoratin kosovar, veçanërisht tek zgjedhësit e rinj, ka ndodhur një ndryshim i thellë politik, ka një vetëdijesim të ri për rrugën në të cilën duhet të ecin Kosova dhe kombi shqiptar, ka një ringritje të frymës kombëtariste. Urojmë që kjo të jetë një dukuri politike afatgjatë e në rritje në Kosovë dhe të ndikojë në gjithë hapësirat e tjera shqiptare. Arritjet e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë përgënjeshtruar dilemat, skepticizmin e dashakeqësinë e përhapur brenda e jashtë Kosovës se me politikat e metodat radikale populiste e “revolucionariste” të të bërit politikë Vetëvendosja më shumë po e dëmtonte Kosovën në sytë e të huajve. Ndërkombëtarët dashamirë, pavarësisht se tani u ndërlikohen skemat e kontrollit mbi zhvillimet politike në Kosovë, nuk dalin dot kundër logjikës politike të respektimit të vullnetit të elektoratit dhe do të dinë të gjejnë mundësi për të pranuar e bashkëpunuar me forcat politike për të cilat është votuar. Për zbatimin e këtyre rregullave duhet të kujdesen në radhë të parë partitë që e kanë qeverisur deri tani Kosovën, ndërsa të tregojnë maturi e vendosmëri politike partia që ka rastin e parë për t’u bërë qeverisëse, Vetëvendosja.

Tani fillon puna më e madhe e partive dhe politikanëve të Kosovës. PDK-ja bëri paraprakisht një hap me vlerë duke pranuar që postin e kryeqeveritarit të Kosovës t’ia besonte kryetarit të një partie tjetër në koalicion, Ramush Haradinajt. Por, formimi i qeverisë ka hyrë në “lojën e treshit” që bëhet shumë e bezdisshme nëse luhet pa rregull e me inat. Në rast mossuksesi të Haradinajt për të siguruar partnerë koalicioni (Vetëvendosjen ose LDK-në) atëherë mandati për të formuar qeverinë duhet t’i kalojë Albin Kurtit. Nëse edhe ky dështon, nuk mbetet rrugë tjetër normale, veçse ajo e zgjedhjeve të reja, sepse një ripërtëritje e koalicionit të mëparshëm PDK-LDK nuk do të kishte hije të mirë. Deklaratat e dy pretendentëve për kryeministër të Kosovës se ata do të bëjnë më të mirën për të krijuar qeverinë, janë inkurajuese. Por, janë dëgjuar zëra për njëversion të tretë që posti i kryeministrit t’i lihet sërish përfaqësuesit të partisë humbëse, LDK. Një drejtues i “Vetëvendosjes” e ka hedhur poshtë me të drejtë pranimin e një versioni të tillë. Në interes të Kosovës është që LDK-ja, si forca që e ka në dorë të ndihmojë në ngritjen e një qeverikoalicioni (si partitë politike shqiptare në FYROM) të hyjë në lojë për ta lehtësuar, jo për ta ndërlikuar atë, pra të mbështesë Haradinajn ose Kurtin. Përndryshe verdikti i elektoratit kosovar shpërfytyrohet e bie poshtë. Makinacionet në prapaskenë, që kryeministri të dalë nga radhët e palës më humbëse, mund të pëlqehen e mbështeten nga jashtë Kosovës, por me siguri do të pezmatojnë pjesën më të madhe të elektoratit kosovar. Kjo mund ta rindezë atmosferën e tensionuar që ka ekzistuar në Kosovë deri në zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Elektorati shqiptar në Kosovë më 11 qershor ka dhënë një mesazh të qartë për faktorët ndërkombëtarë se çfarë duan më shumë qytetarët e Kosovës. Edhe për këtë partitë nuk bën ta zhgënjejnë elektoratin.

Pse në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme 

Një shembull të mirë si ai që dha Kosova në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit duhet ta kishte dhënë Shqipëria. Por, kjo nuk po ndodhë as me këto zgjedhje të zakonshme, të vendosura për t’u bërë më 18 qershor e të shtyra në mënyrë të pakuptimtë e me motivime qesharake për datën 25 qershor. Politika nuk i la zgjedhësit as të festojnë të qetë e të shkujdesur Fitër Bajramin. Në pritje të asaj që do të ndodhë nuk mund të rrija pa shprehur disa mendime, duke bërë një retrospektivë analizash mbi “demokracinë (për)zgjedhore” në Shqipëri. Kërkoj mirëkuptimin e lexuesit që po riprodhoj një shkrim të botuar në “Rimëkëmbja” më 12 dhjetor 2006 (pjesët me shkrim të pjerrët) me ndonjë koment shtesë të sotëm (pjesët në kllapa).

Përse shërbejnë zgjedhjet në Shqipëri?!Për të ngritur tensionin politik. Për të mashtruar opinionin publik se tashmë kemi demokraci të mirëfilltë dhe punët po bëhen në rregull. Për t’u krijuar mundësinë politikanëve shqiptarë të shfrejnë egërsinë e tyre me akuza e propagandë kundër njëri-tjetrit. Për t’u dhënë mundësi propagandistëve në Shqipëri të shprehin pasionet e tyre vulgare për acarimin e nervave të njerëzve. Për t’u dhënë mundësi mekanizmave europiane të bëjnë pallavra e eksperimente për “demokracinë zgjedhore”. Për t’u dhënë raste politikave e agjenturave të huaja të ngatërrojnë më shumë punët në Shqipëri. Për një mori marifetesh të tjera që njerëzve nuk u sjellin ndonjë dobi të madhe, as përmirësojnë pushtetin e administrimin, as nuk zgjidhin hallet parësore individuale e të përbashkëta…. (Sot të gjitha këto dukuri janë shumë më të theksuara e më të shëmtuara).

A duhet të bëhen zgjedhje?Meqenëse kjo puna e zgjedhjeve është bërë modë dhe quhet demokraci le të bëhen dhe tek ne. Por e mira do të ishte të bëheshin sa më rrallë, sa më në heshtje, me sa më pak shpenzime, pa fushata elektorale… Edhe më mirë do të ishte që kryetarët e bashkive e të komunave të emëroheshin drejtpërsëdrejti nga mekanizmat europiane në Bruksel, se kështu do të përgatiteshim më mirë për të hyrë në Europë. Do të mjaftonin zgjedhjet parlamentare një herë në katër vjet. Kandidaturat për deputetë të miratoheshin në Bruksel. Atje të përcaktoheshin dhe përmasat e përfaqësimit të partive në parlament dhe alternimi i partive e koalicioneve që do të vinin në pushtet. Votuesit shqiptarë të shkonin të votonin sa për formalitet për t’i bërë qejfin Brukselit. Këshillat e bashkive e komunave mund të formoheshin sipas përpjesëtimeve që do të kishin partitë në parlament. Kështu do të thjeshtoheshin me të vërtetë punët. (Pas 10 vitesh kështu po ndodhë. Nuk mund të bëhesh më deputet, këshilltar bashkiak, ministër, gjyqtar, prokuror, polic, nëpunës i rëndomtë,doganier etj., etj., pa një pëlqim të mekanizmave europiane, të diplomatëve e agjentëve të huaj në Tiranë).

Kjo do të binte ndesh me parimet e sovranitetit, me dinjitetin kombëtar, por përderisa edhe tani ky sovranitet e ky dinjitet merren nëpër këmbë dhe shqiptarët nuk merakosen fort ose nuk kanë takat të ndryshojnë gjë, përse të mërzitemi po të bëhet më ndryshe, më hapur?!

Pse duhen sherret e tanishme për zgjedhjet? Sepse janë shumë sherretë ata që merren me këtë punë. Sepse ata që bëjnë të tilla sherre nuk shqetësohen për qeverisjen e administrimin e Shqipërisë, por për të zënë karrige që u mundësojnë të zhvasin sa më shumë në emër të pushtetit. (Tani kjo bie në sy më shumë se kurrë).

Tani data e zgjedhjeve është shpallur. Por përsëri ka orvatje nga e majta për ta ndryshuar, për ta shtyrë, për të zgjatur kështu në mënyrë të paligjshme pushtetin e atyre që sipas normave të pranuara nuk mund ta kenë më tej një date të caktuar. Bëhen përpjekje që pazaret partiake t’i venë mbi ligjin. Kur bëhet kështu zgjedhjet humbin vlerën e forcën ligjore, krijojnë pushtet të paligjshëm. Presidenti Moisiu, kundër dëshirës e shpalli datën për zgjedhjet më 20 janar 2007. Por përsëri deklaron se po të merren vesh partitë politike ai mund ta shtyjë këtë datë. Pra, me ortakllëkun e partive Moisiu është gati të shkelë kushtetutën që ai thotë se e mbron. Kur marrëveshjet e partive vihen mbi normat themelore ligjore nuk ka më shtet të organizuar, por arbitraritet e anarki të një politike të çorganizuar. Ka juristë që thonë se kjo mund të bëhet pasi është në kompetencë të presidentit të caktojë datën e zgjedhjeve. Harrojnë se kompetenca e përcaktuar e presidentit është të caktojë e të shpallë datën e zgjedhjeve në kohë të përcaktuar dhe brenda afatesh të caktuara. Nuk ka kompetencë presidenti të ndryshojë sipas qejfit e konjukturave politike datën e shpallur të zgjedhjeve. Kompetencat e presidentit nuk janë si xhaketa ose brekët e tij që ai i vesh dhe i zhvesh kur t’i dojë qejfi. Kompetencat janë veprime të përcaktuara në përmbushje funksionesh shtetërore kushtetore, të futura në kornizat e duhura nga ligji, jo nga vullneti presidencial. Vendimi i presidentit për shpalljen e datës së zgjedhjeve ka natyrën e një vendimi që shpall gjykata, e cila nuk ka më tagër ta revokojë atë vendim. Këtë mund ta bëjë një instancë më e lartë. Vendimin e tij presidenti nuk mund ta revokojë vetë, nuk ka instancë më të lartë që ta bëjë këtë. Pazaret e partive politike nuk mund të kthehen në një instancë shtetërore e pushtetore që të revokojë vendimet e kryetarit të shtetit. (Të gjitha këto mbrapshti politiko-juridike ndodhën edhe në rastin e zgjedhjeve të caktuara më 18 qershor 2017 e të shtyra në mënyrë qesharake nga ortakllëku partiak për në 25 qershor 2017. Atë që nuk guxonte ta bënte Moisiu e bëri më kënaqësi e lehtësi presidenti i tanishëm Nishani, sepse shtyrjen e kishte kërkuar Partia e tij Demokratike).

Prandaj ka të drejtë Berisha kur nuk pranon, për arsye pragmatiste ndoshta, por që gjejnë mbështetje ligjore se nuk mund të bëjë pazare për shtyrje të datës së zgjedhjeve. Në rast se futet praktika se zgjedhjet nuk mund të mbahen pa u plotësuar kërkesat e ndonjë pale politike konkurruese, atëherë zgjedhjet mund të mos bëhen kurrë, sepse çdo palë mund të paraqesë kërkesa bllokuese. Socialistët po përdorin taktika të viteve 1996-97 për të vënë nën kontrollin e tyre procesin zgjedhor. (Në rastin e zgjedhjeve të 18 qershorit 2017 Berisha doli kundër vetvetes dhe mbështeti shtyrjen njëjavore. Berisha, Basha, Rama përbuzën normat ligjore, madje nuk çanë kokën për të kuptuar se caktimi i ditës së zgjedhjeve është njësoj si “prerja e ditës së dasmës” që nuk ndërrohet as kur ka vdekje në shtëpinë e dhëndrit. Kanuni thoshte “Nga njëra derë del xhenazja, nga tjetra hyn nusja.”. Duhet të frikësohemi se“nusja pushtetore” e 25 qershorit 2017 mund të jetë e pafat. Basha ka bërë thirrje për revolucion, për shkatërrime. Berisha ka bërë thirrje që populli të armatoset. Meta ka bërë kërcënimin se po të mos i pëlqejnë zgjedhjet do të armatosë popullin. Rama kërkon vetëm qeverisje një partiake dhe çdo ditë përsërit se kërkon më shumë pushtet dhe se i duhen 71 deputetë të Partisë Socialiste. Rama inkurajohet nga një frymë autoritariste në qeverisje që po përhapet në Europë, siç treguan edhe zgjedhjet e fundit parlamentare në Francë. Formimi i qeverisë nga një partie vetme do të ishte mjaft i dobishëm për shtete si Kosova e Shqipëria. Në Kosovë, pas 11 qershorit, kjo nuk bëhet dot më. Në Shqipëri mund të bëhet më 25 qershor dhe ndoshta do të ishte zgjidhja më praktike kur të tre grupet që pretendojnë parësinë në zgjedhje nuk mund të bashkëpunojnë më në kurrfarë mënyre.)

Edhe sikur zgjedhjet të dështojnë për mos plotësim standardesh e masash praktike ato duhen bërë, mirë a keq, në datën e vendosur. Nëse zgjedhjet rezultojnë të parregullta, të pavlefshme le të anullohen e të përsëriten, sipas ligjit. Por kjo do të bëhet duke nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Atëherë instancat ndërkombëtare do të japin verdiktin e tyre, jo më rekomandime dykuptimëshe. Por mbi të gjitha zgjedhësit shqiptarë do të japin vendimin e tyre edhe më të rreptë, duke ndëshkuar me votë fajtorët. Zgjedhjet nuk duhen kthyer në pazare politike-partiake të pafund, sepse po shkojmë fatkeqësisht drejt krijimit në Shqipëri të një mafie zgjedhore dhe veprimtaria më e shenjtë për demokracinë po përfundon në veprimtari mafioze. (Mafia zgjedhore në Shqipëri është krijuar. Këtë e dëshmojnë ngrefosjet e Sali Berishës, Ilir Metës, Edi Ramës, Lulzim Bashës, rishfaqja politike e Fatos Nanos, ngrefosja dhe matrapazllëku me votat partiake të zvarranikëve të përhershëm në politikën shqiptare).

Në zgjedhje marrin pjesë ata që duan, jo ata që kanë ambicie që zgjedhjet të zhvillohen vetëm kur u plotësohen kërkesat që kanë. (Në Shqipëri kësaj here pjesëmarrja në zgjedhje u bë objekt pazaresh ndërkombëtare, madje dhe thirrjesh që i ka drejtuar Ilir Meta për ndihmë Greqisë kundër Edi Ramës. Iliri po kërcënon se po nuk mbeti i kënaqur nga rezultatet e zgjedhjeve mund të veprojë si Gjorgje Ivanovi në Shkup; të mos japë mandatin për formimin e qeverisë e të mos dekretojë qeverinë. Gramos Ruçi i Partisë Socialiste ka kërcënuar Metën se po të bëjë veprime të kësaj natyre mund të bëhet i pari president i shkarkuar në historinë e Shqipërisë. Dikur kam botuar shkrimin me titull “Kujdes nga pozat e tonet musoliniane të Metës” (“Rimëkëmbja” 21 dhjetor 2004). Sot ky shkrim më tingëllon edhe më aktual, jo vetëm për shkak të sjelljes së Metës, por për shkak të sjelljes së katërshes së madhe politike: Berisha-Basha- Rama-Meta. Më qartë gjërat do t’i shohim pas 25 qershorit 2017)./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne