Zgjedhjet e 24 qershorit në median amerikane: Erdogani shpalli fitoren në Turqi

Media amerikane ndoqi nga afër zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare (për legjislaturën e 27-të), që u mbajtën të dielën e 24 qershorit në Turqi, duke nxjerrë në plan të parë fjalimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan pas suksesit bindës në këto votime.

Organet kryesore të medias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës informuan publikun në kohë reale me të dhëna e Agjencisë Anadolli (AA).

Fjalimin e kreut të shtetit turk, ku ai foli për suksesin në këto zgjedhje, media amerikane e përcolli me tituj të minutës së fundit duke theksuar si një zhvillim të rëndësishëm faktin që Erdogani do të vazhdojë të qeverisë Turqinë edhe në këtë periudhë të re.

Kanali televiziv “CNN” e ndoqi agjendën postzgjedhore nëpërmjet kryetitullit “Erdogani shpalli fitoren e tij në zgjedhjet turke”, kurse detajet e lajmit i publikoi me disa kryefjalë nga fjalimi i presidentit të Turqisë.

Ndërsa gazeta “The New York Times”, e cila ka bërë jo pak lajme të diskutueshme në lidhje me Turqinë, në artikullin e saj të titulluar “Erdogani shpalli fitoren në zgjedhjet kritike turke”, shkroi se kreu i shtetit turk ka fituar rreth 53% dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) gati 43% të votave.

Duke u kushtuar vend deklaratave kryesore nga fjalimi i Erdoganit, e përditshmja në fjalë hodhi pretendimin se presidenti turk ka shtyrë në plan të dytë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe është afruar me Rusinë.

“The Washington Post”, një tjetër gazetë amerikane që spikat me qëndrimin e saj kritik në raport me Turqinë dhe presidentin e saj, lajmin për zgjedhjet e 24 qershorit e publikoi nën titullin: “Erdogani shpalli fitoren në zgjedhje duke u bazuar tek rezultatet jozyrtare, partia opozitare pretendon për dezinformacion (në rezultate).”

Në detajet e këtij artikulli thuhet se rezultatet zyrtare nuk janë shpallur ende dhe opozita ka kundërshtime në lidhje me votat.

Agjencia e amerikane e lajmeve, “AP”, e përcolli triumfin e presidentit turk me një titull modest: “Erdogani shpalli fitoren elektorale në Turqi.” Duke ndjekur dhe përcjellë këtë proces zgjedhor nën dritën e të dhënave të AA-së, ajo tërhoqi vëmendjen mbi suksesin bindës të Erdoganit në fitoren e të gjitha zgjedhjeve që ka marrë pjesë.

“Erdogani shpalli fitoren në zgjedhje, opozita ka rezerva”, është ky titulli i agjencisë “Reuters” për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare (për legjislaturën e 27-të) në Turqi. Ajo shkruan se Erdogani i ka fituar të gjitha zgjedhjet që ka marrë pjesë në më shumë 15 vitet e fundit, ndërsa nxjerr në plan të parë këto fjalë nga deklarata e fitores së kreut të shtetit turk: “Kombi ynë na besoi edhe postin e presidentit, edhe detyrën e ekzekutivit.”/ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne