Zgjedhjet në Komunitetin Mysliman

Më datë 2 mars do të organizohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Kryetari aktual, Skënder Bruçaj, kërkon një mandat të dytë në krye të këtij komuniteti, ndërkohë që do të sfidohet nga Ylli Gurra, myftiu i Tiranës, dhe nga Gëzim Abdishaku, inspektor i xhamive.

Bruçaj ka luajtur një rol konsensual në drejtim të KMSH-së, ndërkohë që kundërshtimet më të mëdha i ka patur nga politika, dhe veçanërisht nga shtete të tjera, siç është rasti i Turqisë. Për Ankaranë, Skënder Bruçaj është përfaqësues i Lëvizjes Gylen në Shqipëri dhe disa herë ka bërë thirrje që të largohet nga drejtimi i KMSH-së.

Burime diplomatike kanë bërë me dije se presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, në fund të këtij viti, nëse Bruçaj vijon të jetë në krye të KMSH-së.

Ndërhyrjet e turqve në punët e brendshme të myslimanëve shqiptarë i frenoi për herë të fundit ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në pritjen që i bëri homologut Mevlut Çavusoglu, në tetor të 2018-ës.

Ndërkohë, Ylli Gurra konsiderohet konkurrenti i drejtpërdrejt i Skënder Bruçajt në këtë garë dhe kjo jo vetëm për faktin se drejton Myftininë e Tiranës. Gurra ka një mbështetje të fortë politike nga partia në pushtet dhe kryesisht nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

I konsideruar si njeriu i Veliajt brenda KMSH-së, Ylli Gurra ka bërë disa dalje mediatike në krah të kryebashkiakut, ku nuk kanë munguar as mesazhet politike. Në maj të 2018-ës, mediat raportuan se Komunitetin Mysliman kishte vendosur të shkarkonte Gurrën nga drejtimi i myftinisë për shkak se kishte shkaktuar probleme në daljet mediatike, pa lejen e KMSH-së. Sërish sipas këtyre burimeve, ky institucion u tërhoq nga vendimi pas presionit që iu bë nga Erion Veliaj.

Sa i përket zgjedhjeve, janë 35 myftinj, 12 anëtarë të kryesisë së KMSH-së dhe 45 anëtarë të shoqërisë civile, të cilët do të zgjedhin me votë të fshehtë, më 2 mars, për kryetarin e ri me mandat pesë vjeçar.

*Skënder Bruçaj

*Ylli Gurra dhe Erion Veliaj

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne