Zgjedhjet në Turqi/ Fitore absolute e Rexhep Taip Erdogan

Pas numërimit të më shumë se 94.7% të votave në zgjedhjet presidenciale në Turqi, kryeson Presidenti aktual Rexhep Taip Erdogan.

Kandidati i partisë islamike-konservatore Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka mbledhur 52,9% të votave të numëruara. Këtë e bën të ditur agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu. Përparësia e tij u rrudh pasi shifrat fillestare ishin mjaft më të mëdha.

Sfiduesi më i madh i Erdoganit, Muharrem Ince i partisë opozitare CHP, sipas këtyre të dhënave ka zënë vendin e dytë, me 30.6% të votave. Nëse Erdogani e humbiste shumicën absolute dhe merrte në fund më pak se 50% të votave, ai duhet ta kalonte në 8 korrik në balotazh kundër kandidatit që do të zërë vendin e dytë.

Gjithsesi mediat turke thonë se tashmë e përmbysja e rezultatit është e pamundur dhe Erdogan është rikonfirmuar edhe 5 vjet të tjera në detyrën më të lartë të vendit.

Edhe në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara po këtë të diel, koalicioni i Erdogan ka marrë mbi 53.9% të votave, një mazhorancë absolute.

Partia pro Kurde HDP e ka kaluar kufirin e 10 % të votave që duhen për në parlament. Sipas sondazheve, kjo parti pritej të merrte 5-7% të votave, por ajo shënon mbi 11%. Ky fakt fiton rëndësi sepse kjo parti është në aleancë me AKP-në e Erdoganit.

Në qendrën e CHP në Stamboll është përhapur deziluzionim, për shkak të numrit të vogël të votave të siguruar deri tani. Opozita ka publikuar shifra të saj, duke qenë se ajo nuk u beson shifrave të agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu. Shifrat i publikoi “platforma për zgjedhje korrekte” Adil Seçim, organizata ombrellë e të gjithë vëzhguesve të partive opozitare dhe organizatave civile në lokalet zgjedhore.

Pjesëmarrja në zgjedhje arriti një nivel tepër të lartë 87%. Ndryshimet kushtetuese të miratuara me referendum vitin e kaluar e shndërruan Turqinë në republikë presidenciale. Presidentit ia zgjatën mandatin nga 4 në 5 vjet, duke i dhënë edhe kompetencat e kreut të ekzekutivit. Analistët thonë se fitorja e tij ka ardhur edhe falë rregullave që kanë shtypur zërin opozitar, veçanërisht atë të grupimeve politike kurde dhe gylenistët.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne