Zgjerimi i pandalshëm i NATO-s mund të ndezë një luftë të madhe bërthamore

nga Shane Quinn.

Më pak se dy vjet më parë Mali i Zi u bë shteti i 29-të që ju bashkua NATO-s, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga amerikanët e cila është bërë një forcë e madhe ndërhyrëse që prej rënies së Bashkimit Sovjetik. Aderimi i të fuqishmit Mal i Zi në NATO do ketë bërë që përgjatë Atlantikut deri në Uashington, zemrat të fluturojnë nga gezimi.

Dikush mund të mendojë se disa brenda administratës Trump do të jenë treguar të kujdesshëm për ta piketuar në hartat e tyre evropiane Malin e Zi me popullsinë e tij prej 600,000 njerëzish. Toka malazeze, e vendosur në juglindje të Evropës dhe për dekada pjesë e Jugosllavisë, është pothuajse sa madhësia e Bosnjes fqinje.

Në korrik 2018, presidenti Trump u ankua në një transmetim ne media për anëtarësimin e vendit ballkanik në NATO, duke thënë se malazezët janë “njerëz shumë agresivë. Ata mund të nxehen dhe pastaj urime, jemi në Luftën e Tretë Botërore”. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, kishte insistuar se Mali i Zi” do të kishte një zë të barabartë në formësimin e aleancës dhe në garantimin e pavarësisë së saj”.

Në të vërtetë, Mali i Zi do të ketë një zë të barabartë sikurse vetë Amerika në formulimin e veprimeve të politikës së jashtme të NATO-s. Është e sigurt të supozohet se qeveria e Malit të Zi e cila e ka shtyrë vendin drejt militarizimit, nuk do të ketë aspak ngurrime në pjesëmarrjen në angazhimet e ardhshme të NATO-s, për të shtuar edhe më sulmet e paligjshme në Afganistan, Libi etj.

Hyrja e pritshme e “Maqedonisë së Veriut”, e cila do ta bëjë numrin e shteteve të NATO-s në 30, është një tjetër ngjarje e ardhshme që pret qeveria Trump. Ashtu si me Malin e Zi edhe Maqedonia e Veriut është një vend i vogël që gjendet në Ballkan dhe është më pak se një e treta e madhësisë së Irlandës.

Megjithatë, New York Times është e kënaqur me mundësinë e shtimit në NATO të Maqedonisë së Veriut, duke u shprehur muajin e kaluar se kjo “mbyll një hendek tjetër në atë që dikur ishte oborri i Bashkimit Sovjetik”.

Mund të imagjinojmë se reagimi i New York Times do të ishte shumë i ndryshëm nëse Bashkimi Sovjetik do ta bindte Nikaraguan që ti bashkohej Traktatit të Varshavës. Na është thënë se Rusia nuk ka të drejtë të shqetësohet për zgjerimin e pandërprerë të NATO-s, e cila pothuajse është dyfishuar në përmasë.

Analiza e Trumpit që lidhet me mundësinë e një “Lufte të Tretë Botërore” nuk është pa bazë. Marshimi i NATO-s në lindje, në kundërshtim me premtimet verbale të shpjeguara pas kapitulimit të Bashkimit Sovjetik, padyshim që ka rritur gjasat e shpalosjes së Luftës së Tretë Botërore. Një luftë e tretë botërore, e cila do të shkaktonte një konflikt bërthamor midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë apo Kinës, është një skenar që parashikon fundin për tërë njerëzimin.

Një nga parimet e raportuara gjerësisht nga NATO është se “një sulm kundër një aleati konsiderohet një sulm kundër të gjithë aleatëve”. Moto të tilla vënë në perspektivë mentalitetin e një organizate të orientuar drejt luftës ushtarake, e cila më së shumti është fokusuar tek superfuqia bërthamore, Rusia.

Ka plane të mëtejshme nga Uashingtoni për të inkorporuar Ukrainën dhe Gjeorgjinë (vendin e lindjes së Stalinit) në NATO. Këto dy shtete janë të vendosura drejtpërsëdrejti në kufijtë perëndimorë dhe jugorë të Rusisë dhe kjo do të përfaqësonte një provokim të madh për Rusinë dhe mund të shkaktonte një luftë bërthamore.

Pavarësisht nga fakti se zgjerimi i NATO-s, së bashku me ndërhyrjet e ndryshme të aleancës, përbën një kërcënim të qartë për njerëzimin, figurat politike perëndimore i kanë përkrahur këto politika, siç kanë bërë edhe me median komerciale. Institucionet e fuqishme janë duke mbështetur hapur mundësinë e shtuar të asgjësimit të njerëzimit.

Një editorial i New York Times i datës 26 janar 2019 theksonte se NATO “ka qenë themel i stabilitetit dhe prosperitetit transatlantik për shtatë dekada” ndërkohë që “vazhdon të mbajë në brigjet e saj një Rusi grabitqare”. Në vlerësimin e Times-it nuk përmendet përparimi i shpejtë i NATO-s në drejtim të “grabitqares” Rusi.

Një kolumnist me përvojë në Guardian përshkroi bindjen me fjalët, “Arritja më e madhe e NATO-s është se me disa përjashtime të rastësishme ajo ka ndihmuar në mbarëvajtjen e paqes në Evropë për më shumë se 60 vjet … kjo është një arritje e madhe në nivel historik”.

Një nga “përjashtimet rastësore” ishte sulmi flagrant i paligjshëm kundër Jugosllavisë 20 vjet më parë. Ai përfshiu vrasje të mijëra njerëzve, bombardime të qëllimshme të Radiotelevizionit të Serbisë (RTS), si dhe shkatërrimin e ambasadës kineze në Beograd. Sulmet si ky përbënin krime të egra lufe në të cilat askush nuk u akuzua nga fituesit e konfliktit. Sulmi i udhëhequr nga SHBA ndaj Jugosllavisë provokoi madje kritika nga Ariel Sharoni i Izraelit, i cili e përshkroi atë si një akt të një “ndërhyrjeje brutale”.

Çështja në vazhdimësi e ekzistencës së NATO-s dhe përhapjes në lindje është theksuar ndër vite nga shkencëtarët që drejtojnë Orën e Ditës së Gjykimit, akrepi i së cilës aktualisht do edhe dy minuta që ti afrohet mesnatës (apokalipsit). Në rishikimin e situatës nga shkencëtarët atomikë në vitin 2019 vlerësohet se “Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të diskutojnë dhe të miratojnë masa për të parandaluar incidentet ushtarake paqësore përgjatë kufijve të NATO-s”, të cilat shihen në horizontet e Rusisë.

Në një editorial të New York Times-it të janarit të këtij viti, ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Ursula von der Leyen shkruan se NATO “përfaqëson një lidhje të veçantë, madje emocionale midis kontinentit amerikan dhe atij evropian … Ndoshta përfitimi më i vecantë nga NATO është se ai siguron besueshmëri në një botë të pasigurt”.

Në të vërtetë, “besueshmëria në një botë të pasigurt” është strategji që çon drejt kërcënimeve në rritje të një holokausti bërthamor. Për muaj të tërë ka pasur informacione se Von der Leyen mund të marrë postin e Stoltenbergut si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, kështu që mund të presim që afera e biznesit si zakonisht të filloje me përpara në kohë.

Von der Leyen thjesht përsërit atë që Angela Merkel ka diskutuar për vite me rradhë. Që kur Trump hyri në zyrën e tij në janar 2017, Merkel ka shfaqur hapur pakënaqësinë se Amerika nuk i “mbron”. Është e pabesueshme kur sheh sesi gjermanët, me një histori të gjatë të militarizmit të përgjakshëm, përulen para forcës së armatosur të një tjetër vendi mijëra milje larg perëndimit. Komentet që erdhën nga Merkel dhe Von der Leyen do ti kishin tmerruar ushtarët e vjetër të Gjermanisë të epokë së kaluar, të tillë si Helmuth von Moltke, Erich Ludendorff dhe Paul von Hindenburg. Gjermania sot është e komprometuar si në te vepruar ashtu edhe në të menduar. Në të gjitha dekadat e fundit, shteti gjerman nuk është rimëkëmbur plotësisht që nga marrja e pushtetit nga Hitleri në janar të vitit 1933. Pjesa më e madhe e fajit për ardhjen e Hitlerit si kancelar mund të bjerë mbi 53-vjeçarin Franz von Papen, një politikan konservator, njeri fisnik dhe oficer i lartë i cili mendonte se do të mund ta kontrollonte udhëheqësin nazist pasi të bëhej drejtues i shtetit. Von Papen e vlerësoi gabimisht Hitlerin.

Diktatori aspirant posedonte një damar të tmerrshëm brutal dhe të çmendur, të cilin e tregoi më vonë me gjenocidin e tij të organizuar dhe me pushtimin e pamëshirshëm të frontit lindor. Portretizimi i Hitlerit si një njeri i çmendur plotësisht nuk është dicka e saktë, megjithate kjo i shërben deri diku historisë. Albert Speer, ish-arkitekt gjerman dhe ministër i luftës, i cili u gjykua në Nuremberg, e njihte Hitlerin nga afër për më shumë se një dekadë. Speer vuri në dukje në shkrimet e tij të pasluftës se Führeri nuk ishte një njeri i çmendur fare. Ai thotë se karakteri i tij kishte shumëllojshmëri tiparesh që përfshinin atë të të qenurit “gjenial” përpara se të ishte despot. Pas luftës, Speerit i duhej që ta përçmonte Hitlerin, megjithatë nga admirimi dhe besnikëria që kishte pasur, ai e mbronte deri diku diktatorin.

Në tiparet e personalitetit të tij, Hitleri si politikan kishte dinakëri dhe aftësira të mëdha. Me ardhjen në pushtet, ai do të arrinte që të izolonte dhe të eliminonte çdo rival të tij duke e forcuar në të njëjtën kohë kontrollin e tij ndaj shtetit. Von Papen, i cili në vitin 1933 mori postin e ri si zëvendës kancelar, ishte cuditur me manovrimin e pamëshirshëm të Hitlerit kur e detyroi komandantin e tij të dytë që të japë dorëheqjen në korrik të vitit 1934 dhe vetë atë e propozoi për postin e ambasadorit në Austri, të cilën Von Papen pranoi me përulësi.

Vetë Hindenburg, një ikonë kombëtare e Gjermanise, gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të, ka bërë shumë kritika lidhur me ngritjen e Hitlerit në pushtet. Megjithatë, në janar 1933, 85-vjeçari Hindenburg ishte në shëndet të dobët dhe hyri në 18 muajt e fundit të jetës së tij. Hindenburg ishte më shumë se kushdo tjetër një ushtarak, shërbimi i të cilit datonte që nga mesi i viteve 1860 dhe ne aspektin politik ai varej ne menyre te pashmangshme tek dredhitë. Në shumë drejtime Hindenburg kishte qene peng i së kaluarës së tij, të cilën e rikujtonte me keqardhje. Ai nuk arriti që të kishte sukses në ofensivën e dështuar gjermane të vitit 1918 në frontin perëndimor, gjë që sinjalizoi edhe fillimin e fundit të Luftës së Parë Botërore. Hindenburg njihej për modestinë dhe për mospelqimin që te ishte në qender të vëmendjes, duke i lejuar në këtë mënyrë kolegut të tij Ludendorff-it që të gëzonte me shumë vemendje. Në vend që të përfshihej më shumë në llojet e politikave, Hindenburg ishte më komod kur mbikëqyrte fushën e betejës, kur analizonte hartat me mënyrën e tij metodike prusiane dhe kur jepte urdhra për oficerët e rinj. Megjithëse nuk ishte engjëll, Hindenburg nuk besonte në të tilla si vizioni nazist, i cili ishte tepër ekstrem për shijet e tij. Ai ishte një konservator dhe monarkist i modës së vjetër, i lindur në një familje fisnike në Mbretërinë e Prusisë. Për herë të parë ai e takoi Hitlerin gjatë tetorit të vitit 1931, në një dhomë të mbushur me njerëz në Berlin. Të pranishmit e vërejtën qëndrimin e hidhur dhe gjuhën e ftohtë të Hindenburgut ndaj Hitlerit

Gushtin e vitit 1932, Hindenburg tha pas një konference tjetër me Hitlerin: “Ky njeri për kancelar? Unë do ta bëja atë një postier që të ngjiste pulla me kokën time”. Ushtari i vjetër aristokrat nuk para përzihej nëpër sallonet e birrës, dhe ai iu referua Hitlerit me termin tetar austriak. Ashtu si Von Papen, edhe Hindenburg po e nënvlerësonte Hitlerin, por ndryshimi mes tyre ishte se Von Papen dëshironte që Hitlerin ta mbante në qeverinë e re. Gjatë takimeve më të shpeshta personale mes Hindenburgut dhe Hitlerit në vitet 1933 dhe 1934, marshalli së shpejti do të provonte se ai nuk arrihej kollaj, sidomos kur filloi të triumfonte mbi zotëriun e vjetër edhe në lojërat psikologjike dhe taktikat politike.

Pasi Hitlerit iu lejua kontrolli mbi Gjermaninë, e vetmja mënyrë për ta larguar atë ishte me veprime të forta në fillim të sundimit të tij kur ai ishte ende i cënueshëm ose në mungesë të kësaj edhe me vrasje. Me Hitlerin si drejtues të Gjermanisë, vendi u bë në mënyrë të pashmangshme një diktaturë tiranike e cila u zhyt në një luftë të madhe evropiane, që fillimisht u duk si fitues pas disa triumfesh të siguruar njëri pas tjetrit.

Nga mesi i dhjetorit 1941, kur Operacioni Barbarossa u godit keq nga ushtritë sovjetike në Lindje, Gjermania u gjend në perballje me tre vendet më të forta të botës: Bashkimin Sovjeik, Britaninë dhe Amerikën. Humbja ishte shkruar e gdhendur në mur. Sikur Hitleri të ishte penguar që nëntë vite më parë në përpjekjen e tij për të kapur pushtetin, një konflikt i dytë global që nisi për shkak të ashpërsisë së masave të marra kundër Gjermanisë në Traktatin e Versajës të vitit 1919 nga shtetet perëndimore, ndoshta do të mund të ishte menaxhuar ndryshe. Krimet kundër njerëzimit të kryera nga Rajhu i Hitlerit me siguri që nuk do të kishin ndodhur nën ndonjë udhëheqës tjetër gjerman.

Në këtë rast, Gjermania kishte gjasa të dilte nga një luftë e dytë botërore e mundur por jo e ndarë për 40 vjet nga kombet mbizotëruese të planetit. Që nga ribashkimi në tetor të vitit 1990, një shtet i zvogëluar gjerman pjesë e NATO-s, ka qenë një entitet klientelist i SHBA-së, ndërsa më tej ka qenë nën influencën e institucioneve financiare amerikane si FMN dhe Banka Botërore. Gjermania mund të ketë rifituar fuqi si forca në krye të Bashkimit Evropian, por iniciativat e saj të politikës së jashtme zakonisht diktohen nga Uashingtoni, ku trupat gjermane si pjesë e NATO-s gjenden të pranishme në Afganistan, Irak dhe në të gjithë Evropën Lindore./globalresearch/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne