Zheji ‘analizon’ qeverisjen e Ramës: Gra ministrash me super makina, dashnoret apo fisi derdhen dyqaneve më të shtrenjta

Analisti Artur Zheji në një analizë të tij, duke ju referuar kryeministrit Rama thotë se rruga e pushtetit po i bëhet gjithmonë e më e përpjetë. Zheji ndalet tek situata ekonomike dhe pabarazia në vend ku thotë se “kryeministri nuk e sheh, ose nuk do ta shohë, që pas shtirjes servile të ministrave të tij dhe të superdrejtorëve të tij, në jetën e ditës apo në jetën e natës, ata, nuk kanë më nerva dhe dëshirë të fshehin lekët e grabitura”.

“Ata përshembull, të nesërmen mbasi qeveria vendos të shkurtojë ndihmën mjerane ekonomike, me pretekstin e “sistemit të ri të pikëzimit”, u hipin makinave të tyre lluksoze, ndërsa gratë, dashnoret apo fisi i tyre në biznes të qeverisë apo të anekseve të saj, derdhen si të harbuara, dyqaneve më të shtrenjta të Shqipërisë apo të Europës”, shkruan Zheji në analizën e tij në botuar në portalin ‘360 gradë’.

Analisti shkruan më tej në “shikoni disa gra ministrash me super makina, super të shtrenjta, me super tesha të supershtrenjta, që pordhërojnë rrugëve të kryeqytetit shqiptar dhe kryeqyeteve Europiane, këto bejleresha me fis e farë të përkëdhelur në para të madhe”.

Shkrimi i plotë i Zhejit

Boll bëre sikur pastron nevojtoret e ministrave…

Duket në rraskapitje kryeministri. Rruga e pushtetit po i bëhet gjithmonë e më e përpjetë, sepse ai nuk kupton apo nuk do ta pranojë, që pakënaqësia e përgjithshme për dhunën brutale ekonomike që bëjnë zaptiet dhe taksidarët e qeverisë në terren. Përpos kësaj, kryeministri nuk e sheh, ose nuk do ta shohë, që pas shtirjes servile të ministrave të tij dhe të superdrejtorëve të tij, në jetën e ditës apo në jetën e natës, ata, nuk kanë më nerva dhe dëshirë të fshehin lekët e grabitura.

Ata përshembull, të nesërmen mbasi qeveria vendos të shkurtojë ndihmën mjerane ekonomike, me pretekstin e “sistemit të ri të pikëzimit”, u hipin makinave të tyre lluksoze, ndërsa gratë, dashnoret apo fisi i tyre në biznes të qeverisë apo të anekseve të saj, derdhen si të harbuara, dyqaneve më të shtrenjta të Shqipërisë apo të Europës.

Dhe popull ziu, sheh dhe dëgjon, sheh, dëgjon dhe bën krahasimet e veta modeste, ndërmjet fjalëve “shtetformuese” dhe sheh nga ana tjetër, shkapërderdhjes shpërdoruese të parasë së pajustifikuar, të pushtetarëve të kamur e të pakapur dot nga askush dhe pordhacë të paparë, në para të vjedhur.

Shikoni disa gra ministrash me super makina, super të shtrenjta, me super tesha të supershtrenjta, që pordhërojnë rrugëve të kryeqytetit shqiptar dhe kryeqyeteve Europiane, këto bejleresha me fis e farë të përkëdhelur në para të madhe.

Ndërkohë duhet të dëgjojmë edhe dokrraxhiun që i udhëheq, tek na thotë disa herë në ditë se “ai dhe ata që e pasojnë”, nuk qenkan njësoj me kundërshtarët e vet, por na qenkan, 2 Soje të ndryshme…

Gjithmonë e më pak të vërteta në fjalët e kryeministrit, gjithmonë e më shumë gënjeshtra të domosdoshme, në mbrojtje të mëkateve shtetshkatrruese të përditshme, me fytyrë të nxirosur nga sikleti se mos po bëhet qesharak.

Por të bërit qesharak është gjithmonë e më i pashmangshëm, sepse drama shndrrohet në komedi herët a vonë, kur gënjeshtra i mbivendoset gënjeshtrës, për të ruajtur gjoja të vërtetën që na servir zoti kryedokrraxhiu i rradhës, që po arrin rekorde të reja, si më i gjati i gënjeshtarëve…

Dhe qesharakja që i ve kapak, është se, tashmë ish kryeministri i pritshmërive të mëdha, ky djalë i kulturuar, ku shumëkush nga Elita shqiptare e para viteve ’90 dhe e pas viteve ’90, depozitoi në kafkën e tij, idera, syçelje, imazhe e vizione romantike dhe shqiptardashëse, nga komandant është shndrruaar në një shërbëtor mjeran të llumit…

Një shërbëtor ekselent, që shtupon vërrat dhe pastron nevojtoret e anijes së vet pirate.

Pastron dhe merr përsipër të aromatizojë me fjalët e veta, gjithmonë e më me pak aromë, tërë të dhjerat dhe halerat e stafit të vet, vetëm sepse ka frikë tashmë, të mbijetojë pa pushtet.

Dhe në mënyrë të nënshtruar e detyrabërës shembullor, e me një krenari false ndër foltore e banaqe, ish kryeministri i pritshmërive të mëdha, u shërben me devocion pikërisht atyre, që në të vërtetë i neverit së brendshmi, se i di mirë çfarë bythrash janë e ç’të dhjera të pështirshme bëjnë, kudo ku munden…

Pra në të vërtetë, t’vjen edhe gjynah nganjëherë, se për ata që njohin shpirtin e artistave dhe aq pak sa mund të ketë mbetur artist kryeministri, tuj e krye këtë detyrë të halepastrimit të detyrueshëm, artistin Rama, sigurisht e pushtojnë në vetmi, ca të vjella të tmerrshme dhe nuk përjshatoj edhe ca të qara të heshtura e me ngërçe dhe ca të dridhura ankthi, që ai e di, se si mund ti nënshtrojë e të ecë kuturu përpara…

Vetëm në mbajtje të pushtetit. Tashmë një qëllim në vetvete.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne