Zidane: Zemra ime i përket Realit

Trajner i Real Madridit, Zinedine Zidane në bisedë me përfaqësuesit e medias, para ndeshjes me Getafen, është pyetur nëse ai ndonjëherë do të ulej në stolin e Barcelonës. Përgjigjja e trajnerit francez dhe dikur futbollistit më të mirë ishte e shpejtë dhe e qartë: “Zemra ime i përket Realit”.

Realit nuk i shkon si duhet këtë sezon dhe pas shtatë ndeshjeve në La Liga, radhitet në pozitën e pestë me shtatë pikë më pak se kryesuesi i tabëlës Barcelona. Megjithatë, pasi Barça në xhiron e radhës është mysafire e Atletico Madridit, shumë e shohin këtë si mundësi që “klubi mbretëror” ti afrohet rivalit të saj më të madh.

“Jam fokusuar për fitoren kundër Getafes, në ndeshjen e Atleticos dhe Barcelonës do të ndodhë ajo që do të ndodhë. Nuk është e rëndësishme se cili do të jetë rezultati atje. Me rëndësi është që ne të përqendrohemi në reduktimin e diferencës në tabelë”, tha Zidane.

Më pas eksperti francez iu përgjigj pyetjes nëse do të ishte bërë trajner i Barcelonës:

“Zemra ime i takon Real Madridit, dhe kur isha lojtar, ishte njëjtë. Më patën pyetur nëse dua të luaj diku tjetër pas Realit, përgjigjja ime ishte jo”, theksoi Zidane.

Reali në xhiron e tetë të La Ligas do të ballafaqohet me Getafen në stadiumin “Alfonso Perez” duke filluar nga ora 16:15./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne