Zjarret në Kaliforni, rritet numri i të vdekurve

Numri i të vdekurve nga zjarret pyjore në shtetin Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), është rritur në 23.

Sherifi i rajonit Butte, Kory Honea, në deklaratën për shtyp tha se kanë arritur deri tek kufoma e 14 personave nga zjarri që ka kapluar qytezën Paradise dhe përreth saj, e cila gjendet 290 kilometra në verilindje të San Franciscos, ku si pasojë numri total i viktimave është rritur në 23.

Zjarri i cili filloi të enjten në shpatet e maleve Sierra Nevada, u bë zjarri i tretë më i madh ku kanë ndodhur më së shumti vdekje.

Në qytezën Paradise dhe përreth janë dëmtuar rreth 7 mijë ndërtesa, ndërsa zjarri ka arritur në një sipërfaqe prej 404 kilometra.

Ndërkohë për shkak të zjarrit i cili kaploi edhe qytetin Malibu në perëndim të Los Angeles-it, në mbarë shtetin është kërkuar evakuimi i gjithsej 300 mijë personave.

Sherifi i rajonit rural të Los Angeles, John Benedict, kishte bërë të ditur se kanë arritur deri tek kufoma e 2 personave.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në mesazhin e tij në Twitter, tha se “Zemrat tona janë me zjarrfikësit që luftojnë me zjarret, populli që evakuohet dhe të afërmit e viktimave. Dëmet në zjarret janë në nivel katastrofe. Zoti i bekoftë të gjithë”.

“Nuk ka asnjë arsye për zjarret e mëdha, vdekjeprurëse dhe të shtrenjta në Kaliforni. Çdo vit ndahen miliarda dollarë, me kaq jetë të humbura, e gjithë kjo për shkak të menaxhimit të keq me pyjet”, kishte thënë më parë Trump nëpërmjet Twitter-it./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne