Zv.kryeministri i Kinës vizitë në Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, priti sot në një takim anëtarin e Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe zëvendëskryeministër i Parë i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Zhang Gaoli, i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Nishani përshëndeti vizitën e Gaolit në Tiranë, duke e konsideruar si një shenjë domethënëse miqësie e të vëmendjes që Kina dhe zyrtarët e saj më të lartë po i kushtojnë në vitet e fundit marrëdhënieve me Shqipërinë.

“Nishani vlerësoi gjithashtu klimën e mirë të bashkëpunimit dhe, duke u fokusuar në marrëdhëniet dypalëshe u shpreh se, në themel të tyre qëndrojnë marrëdhëniet miqësore mes dy popujve e dy vendeve. Presidenti vlerësoi gjithashtu se, në dekadën e fundit këto marrëdhënie kanë hyrë në një fazë të re dhe bashkëpunimi ekonomik po zgjerohet në kushtet e reja të zhvillimeve rajonale e globale. E njohu shkurtimisht zyrtarin e lartë kinez me zhvillimet në rajonin e Ballkanit, duke evidentuar progresin në drejtim të paqes dhe stabilitetit pas konflikteve të armatosura e të dhunshme që shoqëruan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, si dhe zhvillimet pozitive në këtë drejtim, veçanërisht pas pavarësisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit, duke vlerësuar rolin e Kinës, në arenën ndërkombëtare dhe të Kombeve të Bashkuara, “në mbështetje të paqes dhe sigurisë, si në nivel global ashtu edhe në nivel rajonal”, theksohet se Nishani shprehu besimin se ky rol do të shtrijë efektet e veta pozitive edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në pavarësinë Kosovës.

Ndërkohë Zhang Gaoli është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. “Palët vendosën se duhet intensifikuar puna e Komisionit Ekonomiko-Tregtar, një nismë e dy vendeve që shqyrton potencialet e mundësitë për bashkëpunim. Në takim u dakorduan që ministrat e linjës të shkëmbejnë listat e projekteve strategjike në Shqipëri, për të parë hapësirat ku mund të zgjerohet bashkëpunimi.”, thuhet në njoftim zyrtar nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne