Zv/ministrja e Brendshme vizitë në Uashington për bashkëpunimin SHBA-Shqipëri

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko po zhvillon një vizite në SHBA, me ftesë të Departamentit të Shtetit. Në axhendën e kësaj vizite janë programet e shkëmbimit të eksperiencës në fushën e sundimit të ligjit si dhe ato për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Kuko ka zhvilluar takime zyrtare në Byronë e Kundërterrorizmit, në  Byronë e Çështjeve Europiane si dhe në Departamentin e Sigurisë së Brendshme (Homeland Security).

Gjatë këtyre takimeve u rikonfirmua mbështetja amerikane ndaj vendit tonë për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Po kështu u vlerësuan hapat e ndërmarra në fushën e hetimit të përbashkët si një dëshmi e bashkëpunimit konkret mes agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve.

Nga ana tjetër, palët ranë dakord për intensifikimin e programeve të asistencës në sistemet teknologjike dhe burimet njerëzore në fushën e hetimit të përbashkët.

Zv/ministrja Kuko zhvilloi gjithashtu disa takime të frytshme në Institutin e SHBA për Paqe dhe në Qendrën e Hulumtimit Teknologjik, ku u diskutua rreth luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Në këto takime, Romina Kuko prezantoi masat e marra nga vendi ynë në këtë drejtim dhe u diskutua edhe për realizimin e një projekti konkret të përbashkët. Në tryezat e zhvilluara u shkëmbyen përvojat specifike në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ekspertët e fushës pranë këtyre organizatave paraqitën raste ilustruese nga gjithë bota që u çmuan me interes nga palët.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne