Zv/presidenti irakien: SHBA kontribuoi në krijimin e ISIS-it, tani përpiqet të pretendojë fitoren ndaj tij në Mosul

Zv/presidenti irakien Nuri al-Maliki ka thënë për agjensinë e lajmeve RIA Novosti se rimarrja e Mosulit është një arritje e popullit irakien, duke kritikuar SHBA-në për përpjekjen për të “rrëmbyer” fitoren.

“Po, ata na mbështetën me aviacionin, por merita kryesore shkon për ushtarët irakienë, milicitë e popullit, forcat ajrore të Irakut”, tha al-Maliki.

Ai më tej tha se atij “i vjen keq dhe e mohon që [amerikanët] të pretendojnë se fitorja [në Mosul] është arritja e tyre”.

“Në realitet, kjo është fitorja e ushtrisë irakiene,” tha zv/presidenti i Irakut, duke vënë në dukje se fitorja ka lënë rreth 20,000 ushtarë dhe oficerë të policisë irakiene të vdekur ose të plagosur.

Ushtria irakiene bëri gjithçka që të mos e shkatërronte qytetin më shumë nga sa ishte e nevojshme sipas rrethanave të luftës, sipas Al-Maliki.

Iraku nisi një operacion për të çliruar Mosulin nga terroristët e ISIS-it në tetor 2016. Operacioni i dha fund sundimit të ISIS-it mbi qytetin, që kishte filluar në vitin 2014.

“Ne mund ta kishim rrethuar qytetin, por pastaj banorët e tij do të kishin vuajtur nga uria”, tha zv/presidenti iraken.

Ai shtoi se ka pasur rreth 5,000 terroristë në Irak, ndërkohë që 2,000 deri në 3,000 nga të cilët janë vrarë.

Të tjerët janë të fshehur ose kanë ikur me refugjatët, tha ai.

Ndërsa SHBA ka siguruar mbështetje për ushtrinë e Irakut dhe forcat aleate, ajo në fillim ka kontribuar në shfaqjen e ISIS-it, pohon al-Maliki, duke shtuar se Uashingtoni tani kërkon të krijojë baza ushtarake në territorin e Irakut në mënyrë që të ruajë ndikimin në rajon.

“Është njësoj me talibanët që u krijuan nga administrata amerikane për të luftuar kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan. Në të njëjtën mënyrë, ISIS u krijua për të kundërshtuar qëndrimin e Irakut, i cili nuk binte dakord të bllokonte Sirinë, ishte kundër zonave të ndalim-fluturimit në Siri dhe kundër bazave ushtarake amerikane”, tha ai.

“Shoqëria irakiene është kundër bazave ushtarake të huaja në territorin e vendit”, tha al-Maliki, duke shtuar se ai i ka paralajmëruar tashmë amerikanët kundër “kthimit në Irak dhe ngritjes së bazave këtu”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne