Pse merresh me Gjergj Zefin, më thonë shumë njerëz. Arsyeja është se Gjergj Zefi është rasti më skandaloz i përdorimit nga Policia e Shtetit të maskave mediatike për të vënë gjoba mafioze.

Gjergj Zefi njoftoi me bujë të madhe se do të publikonte në portalin e tij “Pamfleti” një të ashtuquajtur prej tij dokument-bombë dhe publikoi një dokument sekret të Zyrës së Interpol Tiranës përmbajtja e të cilit kishte të bënte me një shtetas në kërkim.

Sipas skenarit të gjobvënies mafioze, Gjergj Zefi në komentin e tij për dokumentin sekret vuri në kllapa një emër tjetër që nuk përmendej në dokument. Qëllimi ishte që të përhapen lajme të rreme, në dëm të personit të dytë, për të dëmtuar reputacionin publik të tij dhe për ta detyruar që të paguajë gjobën mafioze që të ndërpritet sulmi ndaj tij.

Personi të cilit iu vu emri në kllapa po e ndjek çështjen në rrugë ligjore duke bërë kallzim penal ndaj Gjergj Zefit. Por kjo histori nuk mund të mbyllet me dënimin e maskës mediatike, hetimi duhet të thellohet edhe me ata që kanë nxjerrë dokumente sekrete për t’ ia dhënë Gjergj Zefit që ai të sajojë mashtrimin e tij publik me emra në kllapa.

Pse ngatërrohesh ti në këtë histori, pyesin njerëzit? Unë ngatërrohem pikësëpari për dinjitetin tim se nëse do të qenë të vërteta pretendimet e Zefit nuk do të bashkëpunoja me personin që sulmon ai. Dhe pikësëdyti ngatërrohem për shkak se shoh një keqpërdorim të institucioneve shtetërore nga zyrtarët e lartë, duke i shndërruar institucionet në armë mafioze.

Që kur u publikua dokumenti sekret, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm duhet të kishte nisur një hetim në Zyrën shqiptare të Interpolit. Të njëjtën gjë duhet të kishte bërë edhe Prokuroria e Tiranës. Prokuroria duhet të kishte bërë atë që bëri në rastin e gazetarit Artan Hoxha, të cilit i sekuestroi telefonat për të zbuluar burimin e një informacioni sekret.

Ajo që duhet kuptuar është se në rastin e Gjergj Zefit nuk kemi të bëjmë me gazetari investiguese, sepse nuk quhet investigim kur një zyrtar i shtetit i jep një gazetari një dokument sekret. Dhe dokumenti që nxorri Zefi mbante shënimin sekret.

Nëse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetitnuk nisin një hetim për të zbuluar të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe për të ndëshkuar përgjegjësit, atëherë problem është më i thellë se Zyra Shqiptare e Interpolit. Atëherë bëhet e qartë se Shtabi i gjobvënies mafioze është në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Nëse Prokuroria nuk reagon si në rastin e Artan Hoxhës atëherë bëhet e qartë se Prokuroria ka frikë nga task forca mafioze e gjobvënies në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila task forcë është drejtpërdrejt e lidhur me trafikun e drogës nga shteti prej nga ku vjen shkresa e kalsifikuar si sekret shtetëror. Por për të gjithë këto do të flas më shumë më vonë, jo vetëm këtu.

I bëj thirrje Prokurorisë që ta përdorë shkrimin tim për të nisur një hetim për keqpërdorimin e zyrës së Interpolit në Ministrinë e Punëve të Brendshme si armë për gjobvënie mafioze.

/Postimi i Kastriot Myftarajt ne facebook/

48