Zyrtari i lartë amerikan: Zgjidhja e vetme e krizës në Maqedoni është formimi i Qeverisë

Pas qëndrimit dy ditor dhe takimeve me krerët politik, zyrtari i lartë amerikan Hojt Ji përsëriti edhe një herë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për formimin e shpejtë të Qeverisë, duke respektuar vullnetin e shumicës së qytetarëve.

Zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit ishte i prerë në qëndrimin e tij, që shumicës parlamentare t’i jepet mandati për formimin e Qeverisë. Ai tha se SHBA, NATO dhe BE mbështesin kryeparlamentarin e ri Talat Xhaferin.

“Ashtu siç kemi thënë edhe më përpara, është shumë e rëndësishme që liderët të gjejnë një rrugë për të lejuar shumicën e re në parlament, koalicionin e deputetëve që kanë shumicën, të propozojë një Qeveri dhe një program qeveritar. Kuptojmë se ka shqetësime për përbërjen e programit të Qeverisë dhe si në të gjitha demokracitë evropiane, ne besojmë se gjithçka që propozohet nga shumica, duhet të konsiderohet seriozisht, të diskutohet në Parlament dhe të votohet në Parlament. Sigurisht, ju e keni vënë re se SHBA-të publikisht kanë deklaruar se do të punojë me kryetarin e ri të Kuvendit, z. Xhaferi, gjithashtu BE-ja, NATO dhe Berlini e kanë thënë të njëjtën. Kështu që ne nuk jemi vendi i vetëm që beson se z. Xhaferit duhet t’i jepet çdo mundësi që të dëshmojë lidershipin e nevojshëm për të filluar hapat e duhura për të formuar një Qeveri të re, një program qeveritar, që do ta shtyjë vendin përpara”, deklaroi Hojt Ji.

“Vendi i përshtatshëm për të zhvilluar këtë debat është në Parlament, prandaj nëse ndonjë lider politik ka shqetësime, këndvështrime ose kundërshtime, ai duhet t’i shprehë ato në Parlament, nëse është deputetet ose të sigurohet që përfaqësuesit e tij t’i shprehin shqetësimet e tyre. Por ne nuk shohim arsye se pse shumicës së re nuk duhet t’i jepet një mundësi për t’u përpjekur të formojë një Qeveri dhe diskutimet të bëhen në Kuvend, aty ku edhe e kanë vendin. Duhet të pyesni z. Gruevski se cilat janë qëllimet e tij. Ajo që vura re gjatë takimeve të mija sot dhe dje ishte kuptueshmëri nga ana e të gjithë liderëve për seriozitetin e gjendjes, nevojën për t’i dhënë fund krizës dhe të çojnë vendin përpara. Se çfarë roli duhet të luajnë liderët në këto zhvillime dhe në Qeverinë e re, do të varet nga negociatat dhe diskutimet mes tyre. Ajo që u kemi sqaruar përsëri liderëve është se SHBA-të janë të gatshme të ndihmojë vendin për të arritur qëllimet, për të pasur një shtet me prosperitet, të qëndrueshëm dhe demokratik dhe për ata që duan të arrijnë qëllimet dhe kanë qenë të afërt me BE-në dhe NATO-n, do të gjejnë partner shumë të mirë te SHBA-të”, shtoi Hojt Ji.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne