Zyrtari i larte i Dubait bën thirrje për bombardim të Al Jazeeras

Një zyrtar i lartë i sigurisë në Emiratet e Bashkuara Arabe ka shkaktuar zemërim pasi ka bërë thirrje për bombardim të Al Jazeeras, rrjetit mediatik të Katarit.

Në një seri postimesh në Twitter të premten, zyrtar i lartë i Dubait Dhahi Khalfan nisi një sulm të ashpër ndaj Al Jazeeras, duke e akuzuar atë për provokimin e një sulmi me bomba dhe armë në një xhami në Gadishullin Sinai të Egjiptit.

“Aleanca duhet të bombardojë makinerinë e terrorizmit … kanalin e ISIS-it, al-Kaedas dhe Frontit al-Nusra, Al Jazeeran terroriste,” u tha 2.42 milion ndjekësve në rrjetin social ish shefi i policisë tani kreu i sigurisë së Emirateve.

“Për sa kohë atjo [Al Jazeera] do të vazhdojë të ngatërrohet me sigurinë e Egjiptit dhe botës arabe?” shkroi në Twitter.

Më vonë Khalfan postoi imazhin e televizionit Al Jazeera të vendosur përpara Ebu Bekër el Bagdadit kreut të ISIS, ish-liderit të Al Kaedës Bin Ladenit, Hassan Nasrallahut kreut të Hezbollahut dhe teologut islam 91 vjeçarit Jusuf al-Qaradavi.

Yaser Abuhilalah, drejtori i Al Jazeeras në gjuhën arabe, tha se Khalfan mban përgjegjësi të plotë për çdo sulm që mund të bëhet ndaj Al Jazeeras dhe punonjësve të saj”.

“Emiratet e Bashkuara Arabe duhet ti japin përgjigje komenteve të Khalfanit. Ai nuk është thjesht një qytetar i Emirateve, por është një zyrtar i vendit,” tha për al-Quds al-Arabi të shtunën Abuhilalah.

“Ai po përdor një moment zemërimi dhe pikëllimi mbi sulmin e tmerrshëm në Sinai për të ushqyer urrejtjen ndaj Al Jazeeras.

“Ajo që Dhahi Khalfan po bën është nxitje e terrorizmit. Terrorizmi nuk është i kufizuar vetëm tek kryerja e një krimi, ai është çdo veprim apo deklaratë që i hap rrugën një akti terrorist apo e nxit atë, dhe nxitja e terrorizmit është vetë terrorizmi,” tha ai.

Nxitja e polemikave

Khalfan ka bërë mjaft komente të diskutueshme në të kaluarën, por asnjëherë nuk është ndjekur sipas ligjeve të anti-urrejtjes të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në mars të vitit të kaluar ai bëri bujë pasi u bëri thirrje arabëve që të bëheshin aleatë me Izraelin kundër “armiqve të Lindjes së Mesme”, Iranit dhe muslimanëve shiitë të rajonit.

Në fillim të këtij viti, 66-vjeçari publikoi në Twitter “mbështetjen e plotë” të tij për ndalimin e udhëtimit të myslimanëve në SHBA bërë nga presidenti amerikan Donald Trump.

Khalfan u vu kundër irakianëve, somalezëve dhe iranianëve, kombësi të përfshira në kufizimet e udhëtimit në SHBA. Ai i quajti ata “grupe joproduktivë,” u tall me luftën dhe varfërinë e Irakut të rrënuar dhe i bëri thirrje Emirateve të Bashkuara Arabe për të aneksuar Katarin, duke iu referuar atij si “emirati i tetë”.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjipti i ndërprenë mardhëniet me Katarin më 5 qershor, duke e akuzuar atë për mbështetjen e “terrorizmit”, një akuzë që Doha ka mohuar me forcë.

Si pjesë e bllokadës, Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën si vepër të dënueshme burgimin deri në 15 vjet burg dhe gjobën prej të paktën 500.000 AED (136,000 dollarësh) për këdo që do shprehte simpati ndaj Katarit .

Më 22 qershor, grupi i udhëhequr nga Arabia lëshoi ​​një listë kërkesash prej 13 pikash, duke përfshirë mbylljen e Al Jazeeras, kufizimin e lidhjeve me Iranin dhe dëbimin e trupave turke të vendosura në vend si parakusht për heqjen e sanksioneve.

Katari i hodhi poshtë kërkesat dhe i quajti shkelje e sovranitetit.

Që nga fillimi i punës para 21 vjetësh, zyrat e Al Jazeeras herë pas here janë bombarduar dhe mbyllur në shumë vende si Kabul, Bagdad dhe Gaza./aljazeera/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne