Bota

​​​​​​​Kalin: Masat e ndërmarra në ekonomi sollën një proces rimëkëmbjeje të shpejtë në Turqi

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, deklaroi mbrëmjen e së enjtes se po vërehet një proces i rimëkëmbjes së shpejtë pas masave të marra në ekonomi gjatë dy ditëve të fundit.

Ibrahim Kalin informoi opinionin publik në lidhje me mbledhjen e Kabinetit Presidencial, zhvilluar në Bestepe të Ankarasë nën drejtimin e Presidentit Recep Tayyip Erdgoan.

“Falënderojmë ata që iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së Presidentit tonë për mobilizim kombëtar kundër luftës ekonomike, si dhe ata që bënë deklaratat e nevojshme nga jashtë shtetit”, u shpreh zëdhënësi i Presidencës turke duke theksuar se është vërejtur ecuri pozitive prej dy ditësh në lidhje me masat e marra për zhvillimet ekonomike.

Pasi rikujtoi vendimin me Katarin për të investuar në Turqi rreth 15 miliardë dollarë, Kalin vijoi me këto fjalë: “Kjo çështje u diskutua gjithashtu në bisedat telefonike të Presidentit tonë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Ata (Macron dhe Merkel) iu bashkuan mendimit të Presidentit tonë se sa e gabuar është tendenca e administratës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të përdorur tregtinë dhe dollarin si armë.”

Kalin theksoi më tej se është eliminuar plotësisht klima e hapur për abuzime, e cila do të mundësonte lëvizjes spekulative mbi lirën turke (TL).

“Bankave u është garantuar lehtësimi i nevojshëm për likuiditetin. Ekonomia turke gëzon themele të forta dhe të shëndosha. Turqia është një vend i favorshëm për investime dhe e ka hapur portën e saj për të gjithë. Siç e ka thënë edhe Presidenti ynë, Turqia do ta shndërrojë krizën në shans”, deklaroi ai.

Turqia – nënvizoi Kalin – do të zgjerojë gjithashtu “alternativat” në tregti, energji dhe investime.

Duke u ndalur edhe mbi luftën antiterrorizëm, zëdhënësi i Presidencës së Turqisë bëri me dije se një terrorist i shumëkërkuar, i cili ishte në “listën e kuqe” dhe bënte pjesë në të ashtuquajturin “kuadër drejtues” të organizatës separatiste terroriste, PKK, është neutralizuar gjatë një operacioni të ushtrisë turke në zonën Sinxhar të Irakut.

“Vendosmëria jonë për të eliminuar terrorizmin atje ku ndodhet është e plotë dhe e palëkundur. Operacione të ngjashme me këtë në Sinxhar do të vijnë në mënyrë intensive edhe në vazhdim”, përfundoi Ibrahim Kalin./ trt

OPINIONE