Bota

1 palestinez bie dëshmor ndërsa shumë të tjerë plagosen pas ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë

I riu palestinez i plagosur nga ushtarët izraelitë gjatë protestave në Gazë ra dëshmor në spitalin ku ishte duke u kuruar.

Ushtarët izraelitë vazhdojnë të ndërhyjnë dhunshëm ndaj protestave në Gazë të organizuara për të treguar reagim ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës në Gazë, Eşref el-Kudra bëri të ditur se 20-vjeçari palestinez, Cemal Muhammed Salih, ra dëshmor në spitalin ku ishte marrë nën kurim pas plagosjes në protestë.

Salih ishte plagosur rëndë në kraharor pas goditjeve të ushtarëve izraelitë me plumba të vërtetë gjatë protestave në kufirin lindor të kampit El-Bureyc që gjendet në pjesën qendrore të Gazës.

Në deklaratën me shkrim, Kudra bëri të ditur gjithashtu se 33 persona janë plagosur me plumba të vërtetë nga ushtarët izraelitë.

Ai njoftoi gjithashtu se nga përdorimi i dendur i gazit lotsjellës së ushtrisë izraelite janë ndikuar 70 persona.

Ndërkaq në deklaratën me shkrim të bërë nga Ministria e Shëndetësisë së Palestinës, si pasojë e ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë ndaj protestave në afërsi të qytetit El-Halil, 3 palestinezë janë plagosur nga plumbat e vërtetë, ndërkohë që gjendja e njërit prej tyre është e rëndë.

Edhe në deklaratën e bërë nga Gjysmë Hëna e Kuqe e Palestinës, në ndërhyrjen e ushtarëve izraelitë gjatë protestave në veri të qytetit Betlehem, 4 palestinezë janë plagosur me plumba të vërtetë, 45 me plumba plastikë dhe 7 të tjerë janë plagosur për arsye të ndryshme.

Ndërkaq 77 palestinezë u ndikuan nga gazi i dendur lotsjellës, që hidhe nga ushtarët izraelitë./ trt

OPINIONE