1000 shqiptarë që vënë në lëvizje dy fuqi koloniale

Ambasadorimi Mbretërisë së Hollandës në Bashkimin Europian, Robert de Groot i ka nisur sot një letër Komisionerit për Migracionin në BE, Dimitris Avramopoulos përmes së cilës kërkon nga Komisioni Europian të zgjidhë çështjen e shqiptarëve.

Letra është provë e statusit prej kërmilli që ka sot Europa dhe statusit të krimbit që ka Shqipëria.

Ambasadori përcjell qëndrimin e vendit të vet që është shqetësuar deri në këtë pikë, nga rreth 970 qytetarë të kombësisë shqiptare që në një mënyrë apo në një tjetër  rezultojnë të përfshirë në aktivitete kriminale apo që qëndrojnë ilegalisht në këtë vend.

Problemi ka ardhur në vëmendjen publike në vitin 2015 dhe sipas vetë ambasadorit dukuria e ilegalëve apo azilkërkuesve ka ardhur në rënie, por ai mbetet një problem serioz për palën hollandeze.

710 të dyshuar në vitin 2016, 499 në vitin 2017, 476 në vitin 2018. Këto janë shifrat e Hollandës që shton se përfshirja e shqiptarëve në aktivitete kriminale po rritet, ndonëse bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është shumë i mirë.

Ambasadori vë në dukje se shqiptarët kanë bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, të cilave çuditërisht nuk u përmendet etnia, ndërkohë që një vend me 10 milionë banorë ankohet në nivel politik për 500 veta.

Nuk është i ri ky qëndrim. Aftësia e vendeve “me histori”, e perandorive që plaçkitën dhe masakruan botën, që kryen asgjësime popullatash për të rënë në nivelin e një politike preventive policore është e njohur tashmë.

Mediat britanike dhe autoritetet e Britanisë, ankoheshin gjatë vitit të kaluar për 600 shqiptarë që bëkan namin në vend me trafiqe. Kujt i shesin, ku e blejnë dhe si i transferojnë paratë e drogës, këto mbeten probleme që nuk përmenden.

Në këtë situatë qytetarët shqiptarë fyhen nga politika të tilla, por poshtërohen nga shteti i tyre që është në dorë të hajdutëve. Sepse asnjë vend serioz nuk do të linte të kalonte kaq kollaj kjo paçavure e Robertit të Hollandës që barazon një problem të rendit publik në vendin e tij me kalimin në pezullim të lëvizjes së lirë për një popull të tërë. Racizmi nuk ka ndonjë shfaqje të pagjurmueshme. Ai manifestohet në këto forma, përmes akteve ndëshkuese për komunitete të tëra, zakon i vjetër ky i Kurvës Plakë që sillet si e tillë edhe përmes atyre që dërgon si ambasadorë në Tiranë./respublica

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne