Shqiperia

118 shqiptarët “kriminelë lufte” që u ndalohej hyrja në Shqipëri në 1991

Nga Kastriot Dervishi

Lista kryesohej nga Leka Zogu, i shpallur kriminel lufte edhe pse ishte vetëm 5 vjeç kur mbaroi lufta… Dokumenti përfshinte edhe shumë persona që atëkohë kishin vdekur…

Me dekretin nr.3005, datë 23.11.1959 të Presidiumit të Kuvendit Popullor regjimi komunist pat shpallur një amnisti për të arratisurit politike, prej së cilës u amnistuan 7.003 persona dhe u cilësuan “kriminelë lufte” 208 të tjerë.

Nga kjo amnisti u riatdhesuan në Shqipëri vetëm 60 persona, një pjesë e të cilëve edhe u burgosën pas një farë kohe. Nga 208 personat, jetonin në fundin e vitit 1990, rreth 104 persona.

Në vitin 1991 në kushtet e reja, trashëgimtarët e regjimit komunist kërkuan “aktualizimin” e dekretit të vitit 1959. Një informacion nr.959, datës 4.9.1991 i Ministrisë së Rendit Publik, listoi 118 persona si “kriminelë”.

Formulimi i listës u bë në mënyrë naive dhe qesharake nga Ministria e Rendit Publik, në bazë të dekretit të amnistisë së vitit 1959. Nuk ishte kurrfarë akti ligjor në përcaktimin e saj.

Autoritetet e ministrisë në fjalë, bënë një interpretim idiot të dekretit të vitit 1959, pa marrë parasysh rrethanat e reja në të cilat ndodhej Shqipëria. Kryegafa e kësaj liste me “kriminelë” ishte zëvendësimi i Mbretit Zog me Leka Zogun.

Pra hartuesit e listës i njihnin të drejtën vetes të vendosnin për “trashëgiminë” e “kriminelëve”. Dhe meqë Leka Zogu ishte 5 vjeç kur mbaroi lufta, ai ishte bërë “kriminel”. Ky dokument me fjalinë shoqëruese “Lista emërore e kriminelëve të arratisur jashtë shtetit që nuk përfitojnë nga amnistia e bërë me dekretin nr.3005, datë 23.11.1959”, nuk njihet deri sot.

Atë e hartuan oficerë Sigurimi që punonin në atë kohë në Ministrinë e Rendit Publik. Çdo pikë e kalimit kufitar kishte urdhër t’i ndalonte personat e kësaj liste të hynin në Shqipëri.

Por, sikurse e përmenda, kjo listë përbëhej nga të vdekur e të gjallë, duke e paraqitur kështu si një listë qesharake. Lista nuk pati fuqi. Të arratisurit u amnistuan me nenin 2 të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.

lista e 1991 te krimineleve te luftes

lista e 1991 te krimineleve te luftes

lista e 1991 te krimineleve te luftes

lista e 1991 te krimineleve te luftes

lista e 1991 te krimineleve te luftes

OPINIONE