12 dokumentarë do të garojnë në festivalin e Al Jazeera-s në Sarajevë

Dymbëdhjetë filma dokumentarë do të garojnë në Festivalin e Dytë Ndërkombëtar të Dokumentarëve (AJB DOC) që do të organzihet nga Al Jazeera Balkans më 20-24 shtator në Bosnjë dhe Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në festival, në të cilin AA është “Partner Global i Komunikimit”, do të shfaqen gjithsej 23 filma, prej të cilëve 12 janë pjesë në kategorinë e garimit.

Tarik Xhoxhiq, drejtori i Al Jazeera Balkans, duke folur në konferencën për media lidhur me festivalin që organizohet me sloganin “Ndryshim”, tha se edhe këtë vit do ta vazhdojnë cilësinë e arritur vitin e kaluar.

Ndërkaq, Edhem Foço, drejtori i festivalit, tha se ky eveniment përfshin filma dokumentarë të përshtatur për transmetim televiziv, duke shtuar se “karakteret kryesore këtë vit janë caktuar të jenë gra dhe mbizotërojnë dokumentarë me tema që kanë të bëjnë me gratë”.

Xhani Hasesiq, një nga përgjegjësit e festivalit, tha se 400 filma nga 21 vende kanë aplikuar për kategorinë e garimit, dhe shtoi se festivali do të hapet me filmin “For Sama”.

Festivali synon të inkurajojë shkrimtarët dhe dokumentarët që merren me fenomene sociale me fokus në vlerat universale njerëzore, ndërsa në të do të ndahen tre çmime, edhe atë “Çmimi Kryesor AJB”, “Çmimi i Programit AJB” dhe “Çmimi i Audiencës”.

Filmat që do të shfaqen në festival, në të cilin realizohen edhe punëtori të ndryshme për talentët e rinj, mund të ndiqen në Cinema City në Sarajevë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne