12 Qershor 1999: NATO hyn në Kosovë, nis larja e hesapeve mes UÇK dhe LDK

Njëzet vjet më parë, Kosova realizoi ëndrrën e saj shekullore: çlirimin nga sundimi serb. Trupat e para të NATO-s, hynë nga kufiri shqiptar, sipas Marrëveshjes së Kumanovës. Ato u pritën si fitimtarë me lule nga i gjithë populli i Kosovës.

Çlirimi ndodhi pas një fushate 78-ditore të bombardimeve ajrore. Masakrat dhe luftimet në terren mes trupave serbe dhe shqiptarëve, shkaktuan 13.518 të vdekur. Sipas rezolutës nr.1244 të OKB, në Kosovë u dërguan 50 mijë ushtarë paqeruajtës të KFOR-it, nga 36 shtete të botës. Vendi u nda në 5 zona administrimi, amerikane, angleze, franceze, gjermane dhe italiane. Por dhjetëra mijëra trupat e huaja, nuk arritën të shmangnin larjen e hesapeve pas luftës.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=sLb3WqPrECo?feature=oembed]

Ende sot mbeten të pazbardhura qindra vrasje të ndodhura në javët dhe muaj e parë të çlirimit të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e vjetër në vend, pretendon se 112 anëtarë dhe drejtues të saj, u vranë me një urdhër politik.

LDK ka akuzuar shpesh për këto vrasje ish-drejtuesit e UÇK, mes tyre edhe Hashim Thaçin. Veç aktivistëve të LDK, pas lufte u vranë edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, pjesëtarë të komunitetit rom, dhe serbë të Kosovës. Këta të fundit, dyshohej se kishin bashkëpunuar me ushtrinë serbe në masakrat dhe plaçkitjen e shtëpive të shqiptarëve, që u dëbuan me dhunë.

Dosja për krimet e pas luftës ndodhet në Hagë. PDK, si partia që lindi nga UÇK, ka hezituar të bashkëpunojë, duke u druajtur se gjyqe të tilla, do të njollosin imazhin e luftës së saj për pavarësi./tiranatoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne